Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 1 June 2013

Reagime të reja ndaj Censusit skandaloz

Instat-i vazhdon të përdorë dhe të promovojë qetësisht shifrat krejtësisht të pabesueshme

Reagim, nga Kryeredaktori i gazetës “Ngjallja”, organ i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

    Ditët e fundit, problemet skandaloze të lidhura me Censusin, kanë dalë përsëri në pah. Ai është trajtuar në dy dokumeta te rëndësishëm nga burime ndërkombëtare, një letër e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave (WCC) Rev. Dr. Olav Fykse Tveit dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare. Gjithashtu, në një veprimtari të INSTAT-it, ku u paraqitën sërish pa asnjë reflektim dhe kritikë rezultatet e Censusit për çdo qark, u reagua nga përfaqësuesit e pranishëm të Kishës sonë.

    Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave (WCC) Rev. Dr. Olav Fykse Tveit ka shprehur me forcë, shqetësim mbi metodologjinë dhe rezultatet e Censusit të 2011-tës në Shqipëri. Ai ka ngritur pyetje në lidhje me besueshmërinë e procesit i cili, sipas tij, ka implikime për të drejtat e pakicave fetare dhe lirive fetare të garantuara në kushtetutën e vendit. Tveit shprehu këtë shqetësim në letrat e dërguara në fillim të muajit maj (2013), drejtuar Prof. Dr. Bielefeldt Heiner, Raportues Special mbi Lirinë Fetare apo Besimin në Kombet e Bashkuara, Qeverisë Shqiptare dhe për dijeni Presidentit të WCC, Primatit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Kryepiskopit Anastas.

    Në 5-20 maj, u publikua në media edhe Raporti i përvitshëm për liritë fetare i Departamentit të Shtetit të SHBA, i cili ndër të tjera do të vinte në dukje faktin se “Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia përbëhet nga 2.8 milionë banorë. Është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare, sepse afro 20 % e të intervistuarve refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare.”
    Në raport vihet në dukje edhe kundërshtimi i rezultateve nga disa komunitete fetare dhe mundësia që në këto rezultate të kanë ndikuar frika nga presionet e bëra ndaj grupeve të caktuara fetare dhe etnike. Në të thuhet:  “Një numër udhëheqësish fetarë sfiduan rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, duke pretenduar që zyrtarët e regjistrimit nuk kishin vizituar kurrë një numër të madh të besimtarëve të tyre. Gjithashtu, çoroditja lidhur me pasojat e vetëidentifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë të intervistuar të mos e identifikonin përkatësinë e tyre fetare.

    Një veprimtari ku do prekej përsëri kjo çështje, por nga ku do dilnin edhe disa pyetje shqetësuese më shumë, ishte një “celebrim” i përvjetorit të INSTAT-it, me prezantimin e të dhënave të Censusit në nivel qarku. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua në këtë takim nga Episkopi i Krujës Andoni. Para mbylljes, në hapësirën e lënë për pyetje, do të deklarohej se: Kisha e ka shprehur qëndrimin edhe në muajin dhjetor. Numri i orthodhoksëve në Shqipëri i paraqitur në këtë Census nuk është real. E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet evropiane. Nga anketimi i bërë në kisha del se afro 15  mijë vetë deklarojnë, me emër dhe me firmë, se nuk janë vizituar nga regjistruesit apo se nuk janë pyetur për fenë.

    Gjithashtu, u ngrit pyetja, se si mund të verifikohet vërtetësia e atyre që kanë shkruar regjistruesit, kur formularët nuk kanë firmat e deklaruesve. Argumenti i përdorur, i privatësisë dhe i modeleve të vendeve të tjera, në këtë rast nuk qëndron, përderisa kushdo teorikisht ka të drejtë të kërkojë në Arkivin e Shtetin verifikimin e formularit të tij. Kjo bëhet edhe më skandaloze, kur mëson se në shumë raste regjistruesit i kanë plotësuar formularët sipas regjistrave të gjendjes civile, duke iu përgjigjur pyetjeve me vetdeklarim si t’u shkrepej dhe sipas paragjykimeve te tyre.

    Botimi i të dhënave sipas qarqeve ngriti edhe pyetje të reja dhe hodhi edhe më shumë hije dyshimi mbi Censusin. Në çdo tabelë për deklarimet për përkatësinë fetare, ka tre zëra: Besimtare te pacilësuar, Preferojnë të mos përgjigjen, E pavlefshme (e papërcaktuar).
    Po të shikosh shifrat e publikuara, të bie menjëherë në sy diçka në kufijtë e skandalozes dhe shumë e dyshimtë për objektivitetin dhe qëllimet e Censusit: në zonat ku nuk ka ose ka shumë pak orthodhoksë, këto tre zëra bashkë luhaten në kufijtë 7-12 për qind e të anketuarve. Në zonat ku ka numër të konsiderueshëm besimtarësh orthodhoksë ajo kalon në çdo rast 20 përqindëshin, duke arritur në kufijtë e groteskut në Fier me 30 për qind dhe në Vlorë, me 35 për qind. Pra, vetëm në zonat ku ka shumë orthodhoksë 1/3 e njerëzve refuzokan të shprehin besimin, kurse në gjithë zonat e tjera ata nuk e kanë këtë problem (vetëm 10 për qind)?! Kjo është krejtësisht e pabesueshme dhe demaskuese për ata që vazhdojnë t’i përdorin këto shifra sikur Censusi të ishte zhvilluar normalisht dhe dëshmon se shifra e përgjithshme prej 20 për qind të padeklaruar, ka të bëjë me presionin dhe manipulimet që u bënë me deklarimet e besimtarëve orthodhoksë,  të cilat këmbëngulja e verbër për të mos pranuar realitetin i dëshmon gjithmonë e më shumë si të qëllimshme.

    Por, megjithëse u pyetën për këto rezultate, që është pak të thuhet janë të çuditshme, përfaqësuesit e INSTAT dhe madje edhe konsulenti i tyre nga BE, iu shmangën të japin përgjigje të qarta, duke u fshehur pas “kështu janë përgjigjur” të anketuarit, dhe vazhduan me vetëcelebrimin dhe autolëvdatat për punën e “mirë” që kishin bërë.

    Në fund, deklarata e Këshillit Kleriko-Laik, me të dhënat e plota të anketimit nëpër kisha dhe letra e  sekretarit të përgjithshëm të KBK (WCC), iu dorëzuan drejtoreshës së Instat.

Pak histori

    Që në fillim, kur dolën rezultatet e para, u pa qartë se Censusi ishte një dështim i vërtetë, sidomos përsa i përket regjistrimit fetar. Vetëm Instat-i dhe organet përkatëse nuk kishin “syze” që t’i konstatonin ato.

    "…Nuk mund të konsiderohet të jetë i besueshëm dhe i saktë”,  kështu do shprehej Këshilli i Evropës në një raport për Censusin e kryer në Shqipëri, që në nëntor 2011. Kjo u pa edhe më qartë pas botimit në fund të vitit 2012 të të dhënave mbi fenë, të cilat ishin aq skandaloze, sa vunë në dyshim jo vetëm objektivitetin për këtë pyetje specifike, për edhe të gjithë Censusin në përgjithësi dhe sollën reagime të ashpra.
    Orthodhoksët sipas tij, nga mbi 20 për qind që kanë qenë në të gjitha regjistrimet historike dhe mbi 24 për qind që rezulton sipas regjistrave kishtarë të pagëzimeve, ishin më pak se 7 për qind, ndërkohë që gjithë komunitetet e tjera kishin ruajtur numrat që kishin. Kjo ngjante me një tallje të hidhur me Komunitetin e dytë fetar në vend, dhe dëshmonte strategji të errëta për të ardhmen.

    Ndaj këtyre të dhënave do të reagonte menjëherë dhe me forcë Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë: “E tërë metodologjia që u ndoq për regjistrimin e përkatësisë fetare nuk iu përgjigj aspak metodës elementare objektive që ndiqet në vendet evropiane. Për rrjedhojë, një gjë e tillë, fyen jo vetëm të krishterët orthodhoksë, të cilët që nga fillimi i shtetit shqiptar janë komuniteti më i madh i krishterë në numër, por edhe të gjithë të krishterët, të cilëve iu zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme madhësia nga 31% në 17%. Si përfundim, ky veprim errëson pamjen e përgjithshme të Komuniteteve Fetare në Shqipëri.”, do të deklaronte  në dhjetor 2012, Këshilli Kishtar Kleriko-laik i Kishës sonë.

    Më pas, nga një anketim shkurtër i organizuar nga Kisha jonë për disa të diela, me besimtarët praktikantë nëpër kishat orthodhokse në të gjithë vendin, ndër 25 mijë vetë që u deklaruan me emër dhe me firmë, 2/3 thanë se nuk ishin vizituar fare nga regjistruesit ose nuk ishin pyetur për përkatësinë fetare etj. Kjo dëshmoi edhe më qartë se të dhënat janë të pabesueshme dhe krejtësisht të pasakta. Rrjedhimisht, përdorimi i tyre zyrtar është jo vetëm një cenim i lirisë fetare dhe harmonisë në vend, por edhe një akt tendencioz dhe qëllimkeq. Aq më shumë, kur që në fillim u trumbetua se përgjigja ndaj këtyre pyetjeve ishte thjesht fakultative.