Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 3 August 2013

Kampi i Familjeve “Të jetojmë Liturgjinë Hyjnore”


     Natyra e bukur e Voskopojës kishte vizitorë 25 familje të krishtera ose rreth 100 persona të cilët morën pjesë në kampin e familjeve me temë: “Të jetojmë Liturgjinë Hyjnore”. Ky kamp u zhvillua më 24-29 korrik 2013. Prindërit së bashku me fëmijët e tyre patën mundësinë që për 5 ditë të shijonin bukuritë natyrore dhe kishtare të Voskopojës.
    Shumë aktivitete domethënëse përbënin programin e këtij kampi. Në këtë program përfshiheshin lutjet e përbashkëta, sesionet që kishin lidhje me temën e kampit, bisedat në grupe, vizitat në kishat e Voskopojës, lojërat, vaktet e përbashkëta të ngrënies, këngët etj.
    Prindërit morën pjesë në disa sesione që trajtuan Liturgjinë Hyjnore. Sesioni i parë konsistonte në përgatitjen për Liturgji. Gjatë këtij sesioni u trajtua kreshma, lutja dhe lëmosha, të gjitha këto si përgatitje shpirtërore për të marrë pjesë në Liturgji. Në sesionin e dytë u fol se çfarë është Liturgjia Hyjnore. Gjatë këtij sesioni u trajtua Liturgjia si punë, si festë dhe si udhëtim. Sesioni i tretë trajtoi shprehjen e thënë nga Kryepiskopi Anastas: "Liturgji pas Liturgjie". Në këtë sesion u fol mbi atë se çfarë marrim me vete pas çdo liturgjie. Dita e katërt u mbull me një shpjegim të mirëfilltë se çfarë ndodh në Liturgji. Ky shpjegim u bë përgjatë Liturgjisë Hyjnore nga Atë Spiro Kostoli.
    Programi i fëmijëve kishte brenda tij shumë aktivitete. Puna e dorës, këngët, lojërat dhe aktivitet e përbashkëta me prindërit bënë që fëmijët të gëzonin dhe të mësonin gjëra të reja gjatë këtyre ditëve. Edhe me fëmijët u fol për Liturgjinë Hyjnore por në mënyrë më të thjeshtëzuar.
    Të gjithë gëzuan shoqërinë e njëri-tjetrit, ndanë përvojat e tyre dhe mësuan më shumë për besimin. Një ditë e kampit ishte e mbushur me lojra ku të gjitha grupmoshat kaluan një kohë të këndëshme së bashku.


Ana Meni