Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Wednesday, 25 September 2013

Denoncim publik për klimën e terrorit ndaj Komunitetit Orthodhoks në Përmet - Deklaratë e Përfaqësuesve Arkieratikë të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
MITROPOLIA E SHENJTË E GJIROKASTRËS
Lagja 11 Janari – Gjirokastër, tel. (00355)84264266, fax. (00355)84263773
Denoncim publik për klimën e terrorit ndaj Komunitetit Orthodhoks në Përmet  - Deklaratë e Përfaqësuesve Arkieratikë të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës
   Përfaqësuesit Arkieratikë të të gjitha Periferive Arkieratike të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës të mbledhur sot më 25 Shtator 2013, në veçanti i preokupoi situata e rëndë për Komunitetin Orthodhoks në qytetin e Përmetit.
    Pas ndodhive të rënda të datës 16 Gusht 2013, ku përmes dhunës dhe sakrilegjit iu grabit këtij Komuniteti, kisha e Hyrjes  së Perëndilindëses në Tempull, që kanë tronditur mbarë opinionin, vazhdon të mbahet ndezur klima e terrorit psikologjik, dhunës dhe frikësimit të besimtarëve. Veçanarisht të Dielën, 22 Shtator 2013, besimtarët Orthodhoksë që ishin duke kryer Liturgjinë Hyjnore e panë veten të rrethuar nga forca të shumta policore, grupe të operacioneve speciale të ardhura nga reparte ku ndodhen të dislokuara dhe me synym pikërisht terrorizimin e besimtarëve.
    Një klimë e tillë e nderë konstatohet që nga dita e rishtetëzimit të Kishës në Përmet dhe synon haptazi të thyejë dhe dekurajojë komunitetin e besimtarëve Orthodhoksë nga këmbëngulja për të gjetur të drejtën duke u bërë njëherësh premisë e rrezikshme për bashkëjetesën paqësore aty. Në veçanti shteti është i ekspozuar në këtë rast sepse përveç pengimit të veprimtarisë së lirë shpirtërore po lejon edhe shtypje dhe diskriminim vetëm për arsye të besimit fetar.
    Duke denoncuar këtë klimë terrori dhe dhune psikologjike e fizike,  edhe një herë tjetër përsërisim këmbënguljen tonë, e cila tanimë gjen edhe mbështetjen e fuqishme të institucioneve Europiane se:
-          duhet menjëherë dhe pa asnjë kusht t’i dorëzohet përsëri Kishës, objekti i adhurimit
-          të ndalohen lojrat e rrezikshme të frikësimit të Orthodhoksëve
-          të dënohen në mënyrë shembullore sakrilegjet, dhuna fizike dhe terrori i ndodhur në 16 Gusht 2013 në Përmet që raste të tilla të mos përsëriten
    Përsa kohë do të vazhdojë refuzimi i së drejtës bazë të lirisë së besimit, frekuentimit të vendeve të shenjta sikundër kisha e Hyrjes në Tempull të Perëndilindëse Mari, dhe terrorizmi për të mbyllur gojën ndaj kësaj padrejtësie, Komuniteti Orthodhoks nuk do të rresht së denoncuari me qëllim pikërisht realizimin e të drejtave kushtetuese.
Gjirokastër, më 25 Shtator 2013