Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Friday, 18 October 2013

Festohet 20 vjetori i Lidhjes Rinore Orthodhokse të Ballkanit (BOYA-Balkan Orthodox Youth Association)


Në Evro në datat 3–6 tetor 2013, në ambientet e kampeve rinore të Makrit në Aleksandropoli të Greqisë, me bekimin dhe mikpritjen e Mitropolitit të Aleksandropolit z. Anthimo, u zhvillua një aktivitet festiv me rastin e krijimit të 20 vjetorit të Lidhjes Rinore Orthodhokse të Ballkanit ose siç quhet ndryshe BOYA (Balkan Orthodox Youth Association).
    Qëllimi kryesor i Balkan Orthodox Youth Association është forcimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të të rinjve orthodhoksë si dhe inkurajimi i bashkëpunimit mes kishave motra të Ballkanit, nëpërmjet lëvizjeve rinore, duke u bazuar në besimin orthodhoks dhe në traditën e saj.
    Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 50 persona, të rinj, përfaqësues të rinive orthodhokse, që vinin nga të gjitha vendet orthodhokse të Ballkanit duke përfshire edhe 4 pjesëmarrës nga vendi ynë, Shqipëria.
    Tema e këtij takimi ishte: “Që të gjithë të jemi një”, varg i shkëputur nga Ungjilli sipas Joanit (17:21).
    Në këto takime përveç anës fetare, kultivohet dhe fuqizohet miqësia dhe harmonia ndërmjet shteteve fqinje të Ballkanit.
    Këto aktivitete organizohen me bekimin e drejtuesve kishtarë, të cilët duan dhe urojnë që të rinjtë, në moshë relativisht të re, nxënës apo studentë të formuar, të bëhen  pjesë e programeve të tilla në mënyrë që të krijohen lidhje dhe shkëmbime eksperiencash midis të rinjve orthodhoksë.
    Aktiviteti filloi me njohjen ndërmjet të rinjve pjesëmarrës dhe me një referat rreth temës i cili u mbajt nga Atë KostandinVleci, sekretari rajonal për Selanikun.
Në ditën e parë ishte i pranishëm Mitropoliti i Aleksandropolit, Imzot Anthimo, i cili u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe u shpreh se ishte kënaqësi e madhe që ky aktivitet i rëndësishëm të organizohej në mitropolinë e tij. “Ne orthodhoksët kudo në botë jemi një trup i vetëm, dhe kufijtë nuk duhet të përbëjnë ndarjen ndërmjet nesh. Kështu do të mbetemi gjithnjë të bashkuar me Krishtin, pikërisht ashtu si Ai vetë donte dhe uroi...”,  - u shpreh ai.
    Vijuan më pas përshëndetjet dhe shfaqjet e përgatitura nga çdo vend përfaqësues për të ndarë me të rinjtë e tjerë eksperiencat e viteve të kaluara në lidhje me aktivitete të tilla të ngjashme nga vendet ku ata vinin.
    Dita e dytë vijoi me vizita dhe ekskursione në vendet turistiske dhe në manastiret e dioqezës. Programi përmbante vizita të bukura dhe të organizuara mirë për të rinjtë. Pjesëmarrësit vizituan 2 manastire, Kosmosotira dhe Portaitisa, ku nderuan dhe lipsanet e shenjtorëve, vizituan kisha të ndryshme, qëndra kulturore të zonave të afërta dhe Parkun Kombëtar, Delta Evru, i cili njihet si një nga vendet më turistike të Thrakës për faunën dhe florën, shpendët dhe zogjtë, peshqit dhe shumë të tjera. Ky park renditet i dyti në Mesdhe për nga rëndësia e tij.
    Dita e tretë, data 6 tetor, ishte dita e dielë. Të rinjtë shkuan në manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” ku edhe morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe më pas u larguan drejt vendeve të tyre duke pasur kështu një experiencë të bukur, një përvojë ashtu siç i kishte hije edhe temës qendrore të këtij aktiviteti “Që të gjithë të jemi një”.

Joan Meni