Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Thursday, 10 October 2013

Nis viti i ri akademik i Akademisë Teologjike “ Ngjallja e Krishtit”


21 VJET AKADEMI TEOLOGJIKE
    Akademia Teologjike, institucioni më i lartë arsimor i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku përgatiten kuadrot klerikë dhe laikë, nisi më datën 7 tetor, vitin e 21-të akademik. Ky institucion i themeluar dhe i financuar nga fondet e siguruara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, që kur ishte Eksark Patriarkal, ishte jo vetëm i rëndësishëm, por më se i domosdoshëm për të plotësuar nevojat shpirtërore të pjesëtarëve të Kishës.
    Në këtë ditë, stafi, pedagogët dhe studentët morën pjesë në shërbesën e Ajazmës (Bekimit të ujit), e cila bekonte këtë vit akademik për të qenë i frytshëm. Në përshëndetjen e rastit Drejtori i Akademisë Hirësi  Nikolla, pasi përcolli urimet dhe bekimet e Kryepiskopit Anastas, për një vit të begatë, ndër të tjera tha:
    “Të nderuar klerikë, pedagogë dhe studentë, rutina dhe vështirësitë e jetës na bëjnë që të harrojmë misionin për të cilin jemi në këtë Akademi. Asnjë prej nesh nuk u detyrua as detyrohet që t’i shërbejë këtij qëllimi. Prandaj për kryerjen e tij nevojitet edhe për këtë vit një përgjegjësi më e madhe, duke punuar diçka më tepër, sepse nga të gjithë ata që gjenden në Akademi, Perëndia nuk kërkon diçka, por gjithçka që kemi. Ky mision që është një rrugëtim për tek Perëndia, përtej dobësive tona duhet të jetë i qartë. Secili prej nesh le të përgjigjet për detyrat e veta dhe le të ofrojë gjithçka jo vetëm për ne të krishterët orthodhoksë, por për të gjithë vendin tonë”.
    Pas mbarimit të shërbesës, pasi u bekuan të gjithë të pranishmit dhe mjediset e Akademisë, mësimi vijoi normalisht.