Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Sunday, 17 November 2013

Mësuesit kosovarë dhe shqiptarë marrin pjesë në trajnimin me temë: “Teoria e inteligjencave të shumëfishta dhe aplikimi i saj në mësimdhënie dhe mësim-marrje”



    Vazhdon bashkëpunimi midis të rinjve orthodhoksë shqiptarë dhe të rinjve kosovarë. Ky bashkëpunim vazhdon duke ndjekur një traditë të veçantë përgjatë viteve në vijim, që pas vitit 1999 kur erdhën në Shqipëri, ku Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ngriti një program të gjerë humanitar, duke pritur dhe ndihmuar 33 000 kosovarë dhe duke ngritur 2 kampe pritjeje. Përveç kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar edhe një bashkëpunim i ngushtë me mësuesit e gjashtë prej shkollave ku zhvillohen kampe çdo vit. Ata kanë pasur mundësinë që çdo vit të jenë pjesë e një trajnim mbi mësimdhënien bashkëkohore të fëmijëve.
    Tashmë është viti i gjashtë që mësues të shkollave 9-të vjeçare të Komunës së Malishevës vijnë në Shqipëri, që të marrin pjesë në një trajnim mbi mësimdhënien bashkëkohore të fëmijëve. Ky trajnim zhvillohet me bekimin dhe mbështetjen e Kryepiskopit Anastas. Këta arsimtarë u japin mësim fëmijëve të shkollave 9-të vjeçare të kësaj komune, në të cilën Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë zhvillon çdo verë kampe për fëmijët.
    Këtë vit trajnimi u zhvillua në 8-10 nëntor 2013, me temë “Teoria e inteligjencave të shumëfishta dhe aplikimi i saj në mësimdhënie dhe mësim-marrje”. Në këtë trajnim merrnin pjesë 21 mësues nga gjashtë shkollat e Komunës së Malishëvës në Kosovë dhe 7 mësues  nga Shqipëria. Mësuesit nga Shqipëria ishin pjesë e kampeve verore në Kosovë përgjatë verës. Ky trajnim u organizua nga Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku folës ishin Dr. Kathy Koch (permes vidios) dhe z. Nathan Hoppe.
    Në ditën e parë të trajnimit u bë prezantimi i Inteligjencave të Shumëfishta. U fol mbi temën se inteligjenca është e shumëanëshme dhe se çdo njeri është i pajisur me disa inteligjenca. Truri i njeriut është i formëzueshëm dhe ka veti plasticiteti. Inteligjencat mund të formohen. Inteligjenca është produkt dinamik i përvojës dhe predispozicionit gjenetik. Në ditën e parë u fol gjithashtu edhe mbi atë se çfarë implikimi kanë inteligjencat e shumëfishta dhe plasticiteti i trurit për punën tonë si mësues dhe nxënës. Pas mbarimit të seancës së parë u zhvillua puna në grup në të cilën mësuesit ndanë njëri me tjetrin mendimet dhe përvojat e tyre lidhur me atë që u fol përgjatë seancës.
    Në ditën e dytë u fol mbi kapitullin e parë të librit ‘Si jam i zgjuar?’. Znj. Kathy Koch shpjegoi se identiteti kontrollon sjelljen, dhe ajo që u diskutua pas kësaj ishte se nëse kjo është e vërtetë, si do të ndikojë kjo gjë në punën tonë me nxënësit? Si ndryshon nxënësi perceptimin për veten nëse ngrihet pyetja Si jam i zgjuar në vend të pyetjes Sa i zgjuar jam? Sa më herët të zgjohet një inteligjencë aq më shumë ka të ngjarë që do të jetë një pikë e fortë për gjithë jetën. Sa më shumë inteligjenca të përdorin fëmijët së bashku aq më shumë efektivë do të jenë në mësim-marrje dhe zhvillim. Fëmijët shpesh kanë  probleme sepse i përdorin keq pikat e tyre të forta. Këto dhe shumë pika të tjera u diskutuan në lidhje me mësimdhënien e fëmijëve.
    Dy ditët e para trajnimi u zhvilluan në Tiranë, ndërsa dita e fundit u zhvillua në formën e një ekskursioni në Durrës. Ndalesën e parë e bënë në Manastirin e bukur të shën Vlashit, ku aty u pritën nga z. Dhimitër Qosja, i cili u shpjegoi për  infrastrukturën e këtij manastiri. Pjesëmarrësit dëgjuan historinë e kishës së manastirit, para dhe pas komunizmit dhe ringritjen e këtij manastiri në vitet e demokracisë. Ata dëgjuan se  kisha e shën Vlashit ishte institucioni i parë fetar që u shemb me urdhër të qeverië komuniste. Normalisht që çdonjëri u mrekullua nga pamja e bukur e këtij manastiri dhe e natyrës përreth tij.
    Pjesëmarrësit ishin të ftuar të vizitonin Shtëpinë e Fëmijëve “Shpresa”. Në këtë shtëpi jetojnë fëmijë që vijnë nga familje me probleme të ndryshme dhe Kisha Orthodhokse kujdeset për rritjen dhe edukimin e tyre. Fëmijët paraqitën një minikoncert para të pranishmëve dhe mësuesit ishin të gjithë me lot në sy ndërsa shikonin dhe dëgjonin zërat e bukur të këtyre fëmijëve që tregonin se sa shumë janë aftësuar në inteligjencat e tyre të ndryshme. Më pas të gjithë drekuan bashkë në mencën e Akademisë Theologjike ku kënga jehoi dhe zërat e mësuesve kosovarë dhe shqiptarë u bënë një për t'i kënduar aq bukur Shqipërisë dhe Kosovës. Pas drekës mësuesit vizituan bibliotekën e pasur të Akademisë Theologjike dhe më pas shkuan për të parë disa pjesë historikë të qytetit të Durrësit.
    Disa mësues të Komunës së Malishevës: drejtori i shkollës 9-të vjeçare "Naim Frashëri", z. Izet Shala dhe mësuesi i po kësaj shkolle z. Agim Telaku, mësuesi i shkollës "17 Shkurti" z. Rexhep Begaj, u shprehën në emër të të gjithë pjesëmarrësve, se ky trajnim ishte një mundësi shumë e mirë për t’u rritur në dije dhe për të përsëritur edhe një herë fort në mendjen tonë inteligjencat e shumta të fëmijëve, me të cilët ne punojmë. Ata i ishin mirënjohës Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepiskopit Anastas për këtë mundësi të mrekullueshme. Ata nuk lanë pa përmendur edhe faktin se janë nisur nga Malisheva me shumë përshëndetje dhe urime për të gjithë mësuesit shqiptarë, që cdo vit zvillojnë kampet e fëmijëve në Kosovë, jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga prindërit e tyre. Drejtori i shkollës "Naim Frashëri", z. Izet Shala, theksoi se kampet ndihmojnë fëmijët tanë të kenë vlera në jetë, të aftësohen dhe argëtohen përgjatë pushimeve.  
 
 Zyra Qendrore e Fëmijëve