Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Wednesday, 20 November 2013

Vjenë – Filloi punimet Asambleja e 9-të Botërorë e “Fetë për paqen”

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Zyra e shtypit
Vjenë – Filloi punimet Asambleja e 9-të Botërorë e “Fetë për paqen”

Liderët fetarë botërorë “Mirëpresin tjetrin”

- “Fetë për Paqen” është organizata më e madhe ndërfetare e botës, ku marrin pjesë të gjitha komunitetet më të mëdha fetare dhe ka si synim promovimin dhe arritjen e paqes-
    Nga 20-22 nëntor, në Vjenë, Austri është mbledhur Asambleja e 9-të botërore e organizatës Fetë për Paqen. Aty marrin pjesë 600 liderë fetarë, në përfaqësim të traditave fetare tradicionale nga çdo rajon i botës, për të folur mbi armiqësinë në rritje për “tjetrin” në të gjithë globin. “Fetë për Paqen” është organizata më e madhe ndërfetare e botës, ku marrin pjesë të gjitha komunitetet më të mëdha fetare dhe ka si synim promovimin dhe arritjen e paqes.
    Delegatët e Asamblesë vijnë nga rrjeti i këshillave dhe grupeve ndërfetare të “Fetë për paqen”, në 90 vende të ndryshme, nga 5 këshilla ndërajonalë, rrjetet ndërfetare të grave dhe të të rinjve etj. Asambleja përfshin udhëheqës fetarë të Krishterë, Myslimanë, Budistë, Induistë, Hebrej, Sikh, Shinto, Bahai, Jain, Zoroastrianë etj.
    Në deklaratën e  tij Dr. William Vendley, Sekretar i Përgjithshëm i “Fetë për Paqen”, theksoi se: “Secila nga fetë tona të ndryshme i bën thirrje besimtarëve të “Mirëpresin tjetrin”, të ndryshmin. Kjo Asamble është një mundësi për shumë komunitete të ndryshme fetare që të punojnë së bashku për të trajtuar problemin e rritjes së mospranimit ndaj “të tjerëve”, që merr formën e intolerancës dhe mjaft shpesh edhe të dhunës.”
    Që nga viti 1970, asambletë e “Fetë për Paqen”, kanë trajtuar kërcënime të përbashkëta kundër Paqes dhe për përparimin e bashkëpunimit ndërfetar. Edhe në këtë Asamble u kërkuan rrugët nëpërmjet të cilave komunitet fetare do të “mirëpresin tjetrin”, duke punuar për ngritjen e dinjitetit njerëzor, për një mirëqenie për të gjithë dhe një nocion më të fuqishëm të qytetarisë.
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është anëtare e “Fetë për Paqen” dhe që nga asambleja e kaluar, Kryepiskopi Anastas është President Nderi i saj. Shprehje e bashkëpunimit në kuadrin e kësaj organizate është edhe krijimi dhe funksionimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

20.11.2013
Zyra e Shtypit E Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë