Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 28 December 2013

Intervistë e Mitropolitit të Korçës Hirësi Joanit mbi të gjitha temat!

Imzot Joan Pelushi: Në kishat ortodokse mesha mbahet në gjuhën shqipe

Tre kushtet që vuri Kryepeshkopi Anastas kur pranoi detyrën nga Patriarkana Ekumenike
Intervistë ekskluzive e Mitropolitit të Korçës, Imzot Joan Pelushi dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara

Bisedoi Denion Ndrenika

-Imzot, a mund të na bëni u lutem një përshkrim të udhëtimit të autoqefalisë së shqiptarëve dhe për më tepër, cila është gjendja e Kishës tonë Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
-Imzot Joan Pelushi: Shpjegimi i autoqefalisë me të gjithë detajet, në kuptimin eklesiologjik, kërkon një kohë të gjatë. Autoqefalia është vetadministrimi i Kishës brenda një kufiri të caktuar, por duke pasur gjithmonë parasysh që një Kishë Autoqefale është prania lokale e Kishës që është “Një”. Në Simbolin e besimit, që formulon atë që të krishterët besojnë, thuhet: “Besoj…në Një Kishë, të Shenjtë, Katholike (të Përgjithëshme) dhe Apostolike”. Edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është prania lokale e Një Kishe Ortodokse-katholike. Por, për çështje administrative, për çështje praktike, autonomia ose autoqefalia, d.mth. vetëqeverisja, ndihmon për të organizuar më mirë kishën, sepse njihen më mirë problemet dhe nevojat e ndryshme lokale të vendit, statusi kulturor i popullit dhe i krahinave, duke e bërë administrimin më të efektshëm. U ndalëm pak në kuptimin eklesiologjik të autoqefalise, meqenëse perceptimi popullor dhe interesimi rreth saj, sidomos jashtë rretheve kishtare, është përqëndruar më tepër në kuptimin historiko-politik, se sa në atë eklesiologjik dhe parë vetëm në një drejtim nuk mund të kuptohet procesi kompleks i autoqefalisë.
Rrugëtimi i arritjes së autoqefalisë së Kishës në Shqipëri ishte i ngjashëm me rrugëtimet që kishin ndodhur edhe në kishat e tjera të Ballkanit. Me zgjimin kombëtar që kishte ndodhur në Ballkan filloi gjithashtu edhe lëvizja për të patur një kishë të pavarur. Në Shqipëri zgjimi kombëtar filloi më vonë se në vendet e tjera të Ballkanit dhe si rezultat edhe pavarësia e shtetit shqiptar ishte më e vonuar në krahasim me vendet kryesore të rajonit. E njëjta gjë ndodhi edhe me Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Ndonëse përpjekjet për të përkthyer Shkrimin e Shenjtë dhe tekstet liturgjike janë shumë më të hershme, lëvizja për të patur një kishë të pavarur filloi të morrë hov mbas pavarësisë së vendit. Procesi ishte i gjatë dhe i ndërlikuar për veçoritë që kishte Kisha Ortodokse në Shqipëri. Ndoshta në këtë intervistë nuk kemi kohë t’i përmendim të gjitha, sepse arritja e autoqefalisë ishte rezultat i përpjekjeve dhe kontributit të shumë patriotëve dhe figurave të shquara të ortodoksisë në Shqipëri. Por ndër ata mund të veçojmë Imzot Theofan Noli, i cili ishte personi që dominoi historinë e Kishës Ortodokse shqiptare pothuajse gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX-të. Ndonëse ai nuk ishte personi që u përfshi direkt me negociatat e gjata për realizimin e autoqefalisë, përsëri kontributi i tij në këtë realizim ishte i jashtëzakonshëm, sidomos në ndërgjegjësimin kombëtar të kishës dhe pajisjen e saj me tekste kishtare dhe liturgjike, pa të cilat nuk mund të kemi një kishë të pavarur. Meritë në realizimin e autoqefalisë kanë gjithashtu edhe autoritetet shtetërore të kohës, të cilët u përfshinë aktivisht në negociatat me Patriarkanën e Stambollit. Çdo fitim autoqefalie përfshiu, jo vetëm në rastin tonë, aspektin kishtar dhe aspektin politik. Pa kombinimin e të dyjave do të ishte shumë e vështirë arritja e autoqefalisë. Theksimi i njerës dhe nënvlerësimi i tjetrës gjithmonë e cenon historinë dhe kontributin në arrritjen e autoqefalisë. Si përfundim në 17 Prill të vitit 1934 Patriarkana dhe Tomosin Patriarkal dhe Sinodik “Mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri”, i cili është dokumenti që shpall dhe njeh Kishën Ortodokse në Shqipëri si Autoqefale. Ajo nuk varej më nga Patriarkana Ekumenike e Stambollit, por ajo ishte gjithashtu e pavarur edhe nga grupimet e tjera brenda Shqipërisë, meqënëse në Shqipëri ortodoksët nuk ishin shumica, siç ishte në vendet e tjera të Ballkanit. Autoqefali nuk do të thotë vetëm pavarësi nga jashtë vendit, por edhe nga brenda, që do të thotë se Kisha është e pavarur në organizimin e saj.
Ky ishte me pak fjalë rrugëtimi i Kishës Ortodokse në fitimin e autoqefalisë, që ishte një vepër e madhe dhe një gur themeli për vazhdimësinë e rritjes së Kishës Ortodokse në mënyrë të pavarur në shtetin shqiptar të asaj kohe”.
Ndërsa sa i përket gjëndjes së sotme, më lejoni të them diçka më shumë, ngaqë problemi i Autoqefalisë është lakuar gjatë në shtypin shqiptar gjatë këtyre viteve. Rasti i Kishës Ortodokse në Shqipërisë ndoshta është unik në historinë botërore. Ishte hera e parë që një kishë gjendej pa hierarkinë e saj dhe kjo jo për faj të të huajve. Kështu që pati zëra, ndërmjet tyre klerikë, teologë dhe kanonistë, nga kisha të ndryshme nëpër botë, të cilët mendonin dhe shpreheshin se Autoqefalia e Kishës Shqiptare tashmë nuk ekzistonte, sepse nuk ekzistonte më një hierarki e cila do ta ushtronte këtë autoqefali. Për të zgjidhur këtë çështje jetësore dhe kaq delikate dhe të rëndësishme për kishën tonë duhej patjetër një nismë ndërkombëtare. Nisma u mor nga Patriarkana Ekumenike, e cila i kishte dhënë autoqefalinë Kishës sonë dhe që ka përgjegjësinë për Kishat e tjera në vështirësi. Zgjedhja e kryepeshkopit Anastas për të kryer rindërtimin dhe organizimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri rezultoi se ishte më e mira.
Po ashtu dua të them diçka që ndonëse është bërë publike, përsëri ka mbetur në hije. Kur Kryepeshkopit Anastas iu kërkua kjo detyrë nga Patriarkana Ekumenike, ai vuri tre kushte për ta pranuar: Të ishte i pranuar nga komuniteti ortodoks, nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë dhe të ruhej Autoqefalia e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Dhe mund të them me siguri që ishte autoriteti i tij, i cili bëri të heshtin të gjithë zërat që ishin kundër autoqefalisë. Kushdo që e njeh sadopak historinë e këtyre viteve të ringjalljes së kishës e kupton se ishte pikërisht personaliteti i tij, një nga përfaqësuesit më me zë të krishtërimit botëror, përgatitja e tij e lartë teologjike dhe organizative, devotshmëria dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme, dashuria e tij e madhe për kishën dhe për Zotin, që e bënë të aftë për të mbajtur të bashkuar të gjithë komunitetin ortodoks, duke mos lejuar përçarjet, të cilat do të rrezikonin jo vetëm kishën dhe unitetin e komunitetit ortodoks, por edhe unitetin e të gjithë vendit. Të gjitha veprat e tij flasin se ai e ka konsoliduar autoqefalinë e kishës dhe për më tepër unitetin e kishës. Një njeri i cili nuk do të donte të ruante autoqefalinë nuk do të bënte përpjekje të jashtëzakonshme për të arsimuar klerin ortodoks këtu në Shqipëri. Të gjitha këto janë realizuar në Kishën tonë falë kontributit të jashtëzakonshëm dhe të pakrahasueshëm të Kryepeshkopit Anastas. Mendoj se do të ishte në nderin tonë, të paktën të shprehnin mirënjohjen. Mirënjohja është një shenjë e kombi vital, të qytetëruar dhe që ka një të ardhme.

-Në Shqipëri numërohen diku te 430 Kisha Ortodokse, thuajse gjysma e kishave që ka vendi në tërësi, që mesa di unë janë 1120. A bëni çmos, a ia dilni t’i mirëmbani dhe në të vërtetë a janë të gjitha mundësitë që këto të kryejnë funksionet me shërbesa? Pra, a janë të gjitha funksionale?
-Imzot Joan Pelushi: “Të gjitha kishat padyshim janë funksionale, ndonëse jo në të gjitha shërbehet çdo ditë. Në Dioqezën e Korçës kemi disa fshatra që mund të kenë mbi 10 kisha, kushtuar shenjtorëve të ndryshëm. Kemi gjithashtu fshatra, që dikur ishin qytete të mëdhenj, të pajisur me shumë kisha, shumë prej tyre monumente kulture, si Voskopoja ose Vithkuqi. Edhe sot këto kanë shumë kisha, por tani numri i banorëve është shumë më i vogël dhe është e pamundur të kemi shërbesa të përditëshme në të gjitha kishat. Çdo ditë shërbehet vetëm në kishën që është në qendër të fshatit. Mirëmbajtja e tyre nuk është e lehtë, siç nuk ishte i lehtë edhe rindërtimi i tyre. Pa kontributin e jashtëzakonshëm të ndihmave nga jashtë, do të ishte thuajse e pamundur. Jo vetëm për komunitetin ortodoks, por edhe për komunitetet e tjerë në Shqipëri. Me forcat e brendshme, me aq sa mund të grumbullonte komuniteti vetë, nuk do të mund të realizohej ringritja e të gjithë kishave.
Dhe për këtë, dua të përfitoj nga rasti për të falenderuar ata që e bënë të mundur mbledhjen e të gjithë këtyre fondeve për të ngritur Kishën Ortodokse Autoqefale në Shqipëri. Pa dyshim merita i takon Kryepeshkopit Anastas, i cili pati talentin, mençurinë dhe përkushtimin për të mbledhur gjithë këto fonde dhe për t’i drejtuar këto fonde në vendet ku ka më shumë nevojë. Kjo, jo vetëm në ndërtimin e kishave, por edhe të ndërtesave të tjera, që e bëjnë më efektive veprimtarinë e kishës, siç janë klinika, shkolla, menca për të varfërit, si edhe objekte të tjera për veprën social-kulturore të kishës.
Kohët e fundit ka filluar të rritet dalëngadalë ndërgjegjësimi i besimtarëve dhe kontributi i tyre po ashtu dalëngadalë po shtohet. Ne shpresojmë që ky kontribut i brendshëm të jetë në gjendje t’i mbajë gjithë këto ndërtesa dhe të gjithë funksionet e tjera të kishës. Kisha është një bashkim vullnetar, sot nuk ka një taksë të caktuar siç ishte dikur (taksa e njohur si “1/10 e Kishës”. shën.i gazetarit) që duhej të jepje një pjesë të të ardhurave… (kupto: prodhimin apo pasurore) Duhet kuptuar që Kisha egziston sepse njerëzit kanë nevojë për të dhe kur e ndjejnë dhe e përjetojnë këtë nevojë ata do të japin kontribute. Kisha nuk është vetëm e klerikëve, por edhe e popullit besimtar, klerikët janë për të shërbyer, ashtu si edhe shkollat dhe spitalet nuk janë të mësuesve dhe të mjekëve – edhe ata janë për të shërbyer. Njerëzit japin kontribute për shkollat dhe sigurimin shëndetësor sepse kanë nevojë për to. Unë mendoj se njerëzit kanë nevojë gjithashtu edhe për edukim dhe ndriçim shpirtëror.
Ndaj dhe ne kur flasim për pronat, diçka që ne mund ta shtjellojmë edhe më vonë, idea nuk është që kisha të bëhet e pasur, por që të jetë në gjendje që të kryejë misionin e saj. Në disa zona besimtarët kanë një traditë në këtë drejtim dhe dioqeza e Korçës në veçanti shquhet për këtë gjë. Kjo dioqezë edhe më parë dallohej për kontributin e besimtarëve në ndërtimin e kishave dhe në mirëmbajtjen e tyre, si edhe në kontributin e madh për arsimin dhe bamirësi të ndryshme. Edhe sot ne kemi disa famulli, që kishën e tyre e kanë ndërtuar kryesisht me kontributet e tyre. Natyrisht ky është një proces pak i gjatë, është proces ndërgjegjësimi, është proces edhe i rritjes ekonomike. Në vitet e para, kur vendi përballej me probleme të mëdha ekonomike dhe me vështirësi të shumta, nuk mund të pritej një kontribut i madh për ringritjen e kishës. Pa ndihmën e ardhur nga jashtë vendit, për të gjitha komunitetet fetare në Shqipëri, do të ishte e pamundur ringritja e tyre. Mirëpo ndihma nuk do të jetë gjithmonë dhe shpresojmë se në të ardhmen e afërt do jemi në gjendje të ecim me këmbët tona

-Ndonëse ortodoksët shpesh vërtiteshin nga 20-25 % në Shqipëri (u lutem më ndreqni nëse jam i pasaktë), në regjistrimin, censusin e vitit 2011, ata zbritën te 7 për qind (6,8%). Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare e refuzoi këtë shifër dhe filloi shpërndarjen e formularëve me qëllim që të bënte vetë evidentimin e besimtarëve. Ku jemi me saktësimin e numrit?
-Imzot Joan Pelushi: “Shifrat që ju dhatë nga 20-25 për qind kanë qenë nga regjistrimet zyrtare që u bënë qysh në kohën e monarkisë. Edhe italianët bënë një census, ku komuniteti ortodoks doli mbi 21 për qind. Pra është me të vërtetë shumë i dyshimtë fakti se si ortodoksët u pakësuan me 2/3. Censusi që u bë në vitin 2011, për fat të keq, ishte një census që kishte jo vetëm gabime trashanike në mënyrën e organizimit të gjithçkaje, por ne besojmë se numri i ortodoksëve u ul qëllimisht. Padyshim, që në këtë Census patëm një paaftësi organizimi dhe rregjistruesit nuk ishin të trajnuar për të realizuar këtë detyrë shumë të rëndësishme për vendin tonë! Por, nuk ishte thjesht vetëm një gabim teknik, sepse gabimi do të reflektohej edhe në komunitetet e tjera. Nuk kemi as dyshimin më të vogël, që të dhënat e Censusit të fundit, në lidhje me përkatësinë fetare, janë jo vetëm të pasakta dhe nuk paraqesin realitetin, por janë edhe qëllimisht të deformuara dhe si rrjedhim të papranueshme. Për këtë Kisha Ortodokse ka bërë një deklaratë zyrtare ku denoncon procedurat që u ndoqën për këtë regjistrim dhe manipulimin e këtij rregjistrimi. Me anë të kësaj deklarate ne informuam, si opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar, mbi pasaktësitë dhe mbi të dhënat jo reale të këtij rregjistrimi në lidhje me përkatësinë fetare. Ne nuk mund ta pranonim atë rezultat të rremë, që ishte jo vetëm denigrues, por edhe fyes për komunitetin ortodoks, një komunitet që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin dhe mbarëvajtjen e këtij shteti.
Për më tepër, dua ta theksoj përsëri, se kushdo që e do këtë vend, duhet ta dijë se ka disa gjëra që nuk duhen prekur. Nga kjo dallohen të mençurit dhe ata që e duan dhe i dhimbset realisht vendi i tyre. Të prekësh njerëzit, të çfarëdo komuniteti, në identitetin e tyre, do të thotë t’i lëndosh në vetë qenien e tyre dhe ky lëndim ka gjithmonë një reagim. Zhvillime të tilla të papërgjegjëshme, si ky i Censusit të fundit, dëmtojnë harmoninë fetare që është një thesar që duhet ruajtur me çdo kusht dhe nxisin përçarjet. Vendi ynë ka nevojë për unitet dhe për respekt të ndërsjelltë ndërmjet të gjithëve, pamvarësisht nga besimi apo krahina.
Ndërsa formularët që shpërndamë menjëherë pas shpalljes së rezultatit të Censusit nuk ishte një rregjistrim, por një anketim për personat që nuk ishin vizituar nga rregjistruesit, ose ishin vizituar dhe nuk ishin pyetur fare mbi përkatësinë fetare Dhe rezultati ishte befasues, duke e bërë akoma më të dukshëm përmasën qesharake të këtij rregjistrimi. Mijra e mijra ortodoksë nuk ishin vizituar fare nga rregjistruesit. Për më tepër, kemi dëshmi të shumta se regjistrimi në një pjesë të madhe të tij është kryer nga regjistruesit me shënime në fletore, jo siç e kërkon procedura të shkruhet në pyetësor dhe as nuk janë firmosur nga deklaruesit.
Përsa i përket përqindjes reale të ortodoksëve në Shqipëri ne kemi të dhënat tona që janë shumë të besueshme. Sipas regjistrave të pagëzimeve dhe të anëtarësisë së famullive, që zotëron Kisha, rezulton se ortodoksët në Shqipëri janë minimumi 24 për qind! Njohja reale është shumë e rëndësishme! E vërteta nuk dëmton askënd! Ne do të ishim shumë të gëzuar që gjithçka të paraqitet ashtu siç është, sepse kjo na ndihmon edhe ne.

-Pak më parë Imzot, Ju folët për çështjen e pronave. Çfarë po bëhet aktualisht me pronat e komunitetit ortodoks? Më lejoni të kujtoj që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare u përfshi diku nga fundi i gushtit në një mospajtim serioz me institucionet vendore të Përmetit dhe me gjykatat për Kishën e Shën Mërisë së Pazarit. Jam i saktë?
-Imzot Joan Pelushi: “Po”.

-Pra, të vendimit të kthimit të Kishës së Shën Mërisë së Pazarit te Pallati i Kulturës dhe Bashkisë së qytetit. Ju u hidhëruat nga trajtimi i objekteve kishtare. Ish-kryeministri Sali Berisha e krahasoi atë me trajtimin që iu bë objekteve të kultit, komuniteteve fetarë, në tërësi besimtarëve në kohën e mbylljes së kishave dhe xhamive nga diktatura komuniste. A mund të na thoni që nga fundi i gushtit, cfarë është bërë pas atyre ngjarjeve, ku jemi, a kemi një përpjekje për rikthim në gjendjen e mëparshme?
-Imzot Joan Pelushi: “Tani, në fakt ishin dy pyetje. E para ishte për pronat, për të cilën ne jemi përpjekur gjithmonë, dhe jo vetëm ne, por të gjithë komunitetet fetare kanë pasur probleme për këtë gjë. Unë besoj që shteti shqiptar duhet të ishte shumë i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje. Kthimi i pronave komuniteteve fetare do të ishte një vendosje e drejtësisë dhe do t’i ndihmonte komunitetet të ishin solidë dhe të pavarur nga influencat nga jashtë. Për fatin tonë të keq gjithmonë ka ekzistuar në historinë e shtetit shqiptar idea se komunitetet e dobëta mund t’i kontrollojmë më lehtë. Kjo është krejtësisht e gabuar! Shtetet që kanë traditë shumë të gjatë në shtetformimet e tyre e dinë fare mirë këtë gjë. Komunitete fetare solide do të thotë edhe shtet solid. Nëse një komunitet do të jetë realisht i pavarur, duhet të ketë edhe pavarësinë financiare dhe pronat do ta ndihmonin për këtë gjë.
Dua ta përsëris sepse shpeshherë ndoshta kjo gjë mund të shkaktojë moskuptime te njerëzit e tjerë: Arsyeja se përse ne kërkojmë që pronat të kthehen, nuk është për t’u bërë ne të pasur, por që kisha të funksionojë dhe të ndihmojë edhe njerëz të tjerë që janë në nevojë.
Në Dioqezën e Korçës ne kemi një mencë ku ushqejmë pothuajse çdo ditë rreth 100 njerëz në nevojë. Kthimi i pronave do ta siguronte këtë mencë që të kishte një vazhdimësi dhe ndoshta një shtrirje akoma më të madhe për të ndihmuar njerëz të tjerë. Njerëz në nevojë ka në të gjithë botën, madje edhe në vendet e pasura! Që, kisha të funksionojë ka nevojë për këtë gjë.
Për çështjen e Përmetit… Ishte një plagë me thënë të drejtën! Dhuna e policisë private ndaj klerikëve dhe përdhosja e gjërave të shenjta (ungjill, ikona etj), duke i hedhur në kamionin e plehrave, ishin një tregues i frikshëm për mendësinë e disa segmenteve të shoqërisë sonë ndaj komunitetit ortodoks. Për më tepër, mënyra se si u trajtua dhe se si u paraqit në media ishte e njëanshmë dhe e pasaktë, madje në disa raste dashakeqase ndaj kishës. Ne kemi të dhëna historike që ajo është kisha më e vjetër e qytetit. Përmendet edhe në Kodikun e Korçës ekzistenca e kësaj kishe. Në vitet 1930 është bërë një rikonstruksion i saj. Në vitet e rregjimit komunist ajo u shndrrua në pallat kulture. Në relacionin e arkitektes, e cila ishte ngarkuar me detyrën e shndrrimit të kishës në pallat kulture, dëshmohet qartë se kisha nuk u shkatërrua krejtësisht, muret e saj u përdorën dhe janë akoma edhe sot pjesë e pallatit të kulturës. Por në një mënyrë dinake dhe hileqare përmendej nga propoganda e disave që ndërtesa e Pallatit të Kulturës ka zënë vetëm 25-30 metra katrorë nga ndërtesa e kishës, por nuk e përmendnin që e gjithë sipërfaqja (përfshirë pallatin e kulturës dhe lulishten rrotull tij), mbi 6000 metra katrorë është pronë e kishës!
Para se ta merrnim ne Pallatin e Kulturës (atë që kishte mbetur nga Pallati i Kulturës në Përmet), kishte mbetur thjesht një bilardo dhe ca lojëra fati! Pallatet e kulturës që u ngritën gjatë komunizmit në më të shumtët e rasteve nuk funksionojnë më si të tillë. Ish objektet e kultit të transformuara në objekte social-kulturore iu kthyen me të drejtë komuniteteve të tjera fetare (siç është rasti i objektitn në qëndër të Durrësit), askush nuk protestoi. Përse vetëm për komunitetin ortodoks ky qëndrim i njëanshëm? Madje arsyetimi se Kisha është kundër një institucioni kulturor është qesharak dhe i pavërtetë. Gjatë gjithë historisë sonë kisha ka prodhuar kulturë. Pjesa më e madhe e trashëgimisë kultuore të Shqipërisë përbëhet nga monumentet kishtare! Arkitektura, piktura, kodikët, muzika e gjithçka tjetër! Kisha është pro kulturës! Madje, kisha u tregua e gatshme të ndihmonte Bashkinë e Përmetit në restaurimin e një ndërtese tjetër si Pallat Kulture. Por ne nuk mund të pranojmë që të grabitet një vend i shenjtëruar në shekuj. Nuk mund të ngihet një institucion kulture mbi padrejtësi. Qëllimi kryesor nuk ishte thjesht për Pallatin e Kulturës, sepse kisha është një institucion që prodhon kulturë, por mbrapa interesimit gjoja kulturor fshihen interesa ekonomike, sepse janë 6 mijë metra katrorë që dikush apo disa përpiqen ti përvetësojnë padrejtësisht. Ajo që na vjen akoma më keq është se segmente të caktuara nuk ishin të kënaqur që të rindërtohet kisha atje ku ka qenë.
Ne protestuam kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetjen tonë u rreshtuan edhe Komunitetet e krishtera të Shqipërisë (Ortodoksë, Katolikë dhe Ungjillorë). Madje, ishte edhe një rezolutë e Partive Popullore Europiane, e cila kritikonte këtë akt ekstremist kundër Kishës, ndonëse media vetëm sa e përmendi këtë pa asnjë koment. Ne nuk na vjen mirë që Shqipëria të kritikohet pikërisht për të tilla gjëra.
Unë besoj se shteti shqiptar duhet të jetë i drejtë dhe duhet të jetë i ndjeshëm, sidomos ndaj komunitetit ortodoks. Mënyra për ta devijuar dhe për ta paraqitur në forma të tjera nuk i shërben zgjidhjes së çështjes.
Ne nuk kemi kërkuar gjëra që janë jashtë mundësisë. Madje as kemi kërkuar që të na japin tokën që u është dhënë fshatarëve që po e punojnë dhe që dikur ka qenë e kishës. Por, nuk mund të pranojmë që objektet tona të mos na kthehen dhe tu jipen të tjerëve për përfitime të ndryshme. Kjo mua më duket se nuk është thjesht padrejtësi, por është edhe një dashakeqësi. Ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa që kisha t’i kthehet Komunitetit Ortodoks. Është e rëndësishme që të ketë respekt për vendet e shenjta dhe që të ketë drejtësi! Nuk mund të ndërtohet një shoqëri solide e ngritur mbi padrejtësi. Kemi kërkuar edhe nga qeveria aktuale të vendoset drejtësia dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë për problemin e Kishës në Përmet.
Shpresojmë, shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje”.

-Ortodoksia, krishtërimi ndër shqiptarë daton nga shekulli i 1-rë pas Krishtit, por liturgjia e parë shqip u mbajt nga Imzot Fan Stilian Noli Mavromati në Boston në vitin 1908. Kjo ishte edhe fillesa e autoqefalisë që Ju e përmendët më parë Hirësi. Çfarë mendoni, pengesat për autoqefalinë tonë kanë ardhur për shkak të mungesës së kohëpaskohëshme apo nga mosplotënia e kuadrit kishtar, për shkak të pretendimeve të të tjerëve për të ndikuar në kishën tonë, apo thjesht prej pushtimeve që kanë lënë gjurmë?
-Imzot Joan Pelushi: “Krishtërimi në Shqipëri, në territorin ku ndodhet sot shteti shqiptar, u përhap që në shekullin e 1-rë si në të gjithë Perandorinë Romane të asaj kohe. Shqipëria që shtrihet në veriperëndim të Ballkanit u ndodh ndërmjet dy influencave, dy qendrave shumë të mëdha politike e kulturore, siç ishte Roma dhe Kostandinopoja. Deri në vitin 731 kisha, që ndodhej në territorin e sotëm të Shqipërisë edhe pak më gjerë, ishte nën juridiksionin e Romës. Në këtë vit Perandori e ktheu nën juridiksionin e Kostandinopojës. Por, kur flasim për Romën dhe Konstandinopojën duhet të kemi parasysh se në atë kohë Kisha ishte një dhe e pandarë, kështu që nuk mund të ketë kuptimin e sotëm – ndarjen ndërmjet Romano-Katolikëve dhe Ortodoksëve. Ishin vetëm influenca gjuhësore dhe kulturore: Veriu i Ballkanit kishte një influencë pak më të madhe nga latinishtja, ndërsa jugu i Ballkanit influencë më të madhe kulturore nga greqishtja, që ishin edhe dy gjuhët kulturore të asaj kohe. Dhe, liturgjitë bëheshin pikërisht në këto gjuhë.
Lëvizja për të patur shërbesa kishtare në gjuhën e popullit, si në kishën ortodokse ashtu edhe në atë katolike dhe protestante kishte përfshirë tërë Europën dhe tek ne erdhi më vonë. Kjo lëvizje mbështetej në arsyetimin e drejtë se sa më e kuptueshme të jetë gjuha aq më shumë forcohet dhe kuptimi i besimit i njerëzve që marrin pjesë në liturgji. Në Shqipëri kjo erdhi pak më vonë. Situata kishtare në Shqipëri ishte e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera europiane, apo ballkanike. Duke qenë kisha e ndarë në veriun më tepër katolik dhe në jugun më tepër ortodoks dhe duke mos qenë krishtërimi shumica e vendit, padyshim që i bënte edhe lëvizjet brenda kishës – përkthimet kishtare në gjuhën shqipe dhe përpjekjet për autoqefalinë – më të vonuara dhe jo me të njëjtën forcë, se sa në vende të tjera, ku qoftë kisha, qoftë lëvizjet politike ishin më të bashkuara për të realizuar ëndrrat e tyre ose qëllimet e tyre kombëtare.
Ne dimë që zyrtarisht liturgjia e parë është bërë në vitin 1908, por ka të dhëna që pjesë të Ungjijve, pjesë të shërbesave të ndryshme kishtare janë bërë në gjuhën shqipe edhe më përpara se kjo datë. Komuniteti ortodoks në atë kohë nuk ishte i madh, mund të ishte rreth 200 mijë vetë. Megjithatë, përsëri pati njerëz të një cilësie jashtëzakonisht të lartë, të cilët dhanë një kontribut të madh në ndërgjegjësimin kombëtar dhe në përkthimet kishtare.
Edhe sot ne këtë bëjmë, mundohemi t’i përgjigjemi nevojave të njerëzve që janë brenda në kishë. Kjo është sanksionuar edhe në Staturin e Kishës, miratuar në vitin 2006.

-Le të bëjmë një kthim të vogël pas Hirësi. Nga aq sa keni arritur të mblidhni në përkatësinë ortodokse (ju thatë rreth 24 për qind), a kemi një ndarje se si është ndarja e kësaj përqindjeje ndërmjet shqiptarëve, vllehëve apo pakicave të tjera të vogla sllave, maqedonase ku nënkuptoj serbo-malazeze dhe greke?
-Imzot Joan Pelushi: “Ne nuk kemi statistika zyrtare rreth kësa. Edhe brenda Kishës nuk janë bërë ndonjëherë rregjistrime të bazuara në këtë ndarje. Madje, në kishë as nuk nxitet kjo gjë! Ne përpiqemi që brenda kishës të gjitha grupimet të mbahen sëbashku dhe të ndjehen të barabartë, sepse Kisha i kapërcen kufijtë etnikë pa i mohuar ato. Brenda Kishës nuk ka ndarje apo diskriminim. Në kishë çdo i pagëzuar është pjesëtar i saj, kushdo qoftë prejardhja e tij etnike. Dihet që shumica e ortodoksëve që janë në Shqipëri janë shqiptarë, më pas vinë të tjerët, grekë, vllehë e sllavë. Sllavët janë në një numër më të vogël se pakicat e tjera. Ata gjenden kryesisht në në zonën e Prespës dhe në një fshat të Shkodrës (Vrrakë, shën.i gazetarit).
Në statutin tonë është përcaktuar edhe që “gjuha zyrtare e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është shqipja”. Në adhurim ato që janë njohur si minoritete bëjnë adhurimin në gjuhën e tyre. Kjo është një e drejtë që as ua japim ne dhe as ua heqim ne, sepse është një e drejtë që i takon çdo grupimi. Por, pjesa më e madhe e ortodoksëve janë shqiptarë.

-Cilat dhe si janë marrëdhëniet Tuaja me komunitetin shqiptaro-amerikan, me ortodoksët, me At Artur Liolinin? Ju u keni kërkuar disa vjet më parë (po u citoj nga një intervistë e Juaja) “priftërinjve shqiptarë në Amerikë që të vijnë të ndihmojnë, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër njëvjeçare, por ndoshta nga arsye serioze nuk kanë ardhur”. Cila është gje ndja sot? Përse mendoni se nuk kanë ardhur? Jo vetëm nga SHBA, por edhe nga Bukureshti?
-Imzot Joan Pelushi: “Marrëdhëniet tona janë jashtëzakonisht të mira dhe kontaktet tona vëllazërore janë të vazhdueshme. Nëse nuk ka ardhur dikush prej tyre për të na ndihmuar nuk ka qenë nga neglizhenca, apo nga mungesa e dëshirës për të na ndihmuar. Ata e duan Kishën në Shqipëri dhe besoj se gjithmonë do të bëjnë gjithçka që munden për këtë Kishë. Por fillimisht do të flas për komunitetin ortodoks shqiptar në Amerikë, me të cilin kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Unë kam studiuar edhe vetë në Amerikë me një bursë të Fondacionit “Fan Noli” nga Krypeshkopata Shqiptare në Amerikë dhe kam shërbyer në Kishën e Shën Gjergjit dhe në disa kisha të tjera, duke e njohur kështu nga afër komunitetin ortodoks të atjeshëm. Ata përballen vetë me një mungesë të madhe të priftërinjve, sepse nuk është e lehtë që të gjesh njerëz që të jenë të gatshëm për të shërbyer në Kishë. Ndoshta tani po afron koha që Kisha në Shqipëri mund të japë një ndihmesë, për të ndihmuar me klerikë atje. Madje, tani ata po na kërkojnë ndihmë…”

-Do ta bëni?
-Imzot Joan Pelushi: “Kur do të jetë dita që të kemi mundësinë për ta bërë, me gjithë dëshirë, sepse kisha është “Një”! Nuk ka rëndësi se ku shërben. Shërben këtu, shërben në Amerikë, apo shërben diku tjetër, Kisha është “Një”. Por ne nuk mund të lëmë këtu vendet bosh (ku ka pasur një mungesë të madhe prej dekadash të klerikëve dhe shërbimeve fetare) dhe t’i largojmë klerikët në një vend tjetër. Ndoshta në të ardhmen.
Të kthehemi përsëri në temën tonë. Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë ka ndihmuar për sa kanë pasur mundësi. Por, mundësitë e tyre nuk ishin aq të mëdha për të zgjidhur problemet tona, për vetë faktin se ata vetë kanë mungesa shumë të mëdha për priftërinj edhe në kishat e tyre, sidomos për priftërinj shqiptarë. Kështu ishte e pamundur për ata të vinin për të na ndihmuar ne këtu.
Tani jemi në një fazë tjetër. Kur e kam thënë atë ka qenë një kohë tjetër kur ne kishim shumë nevojë. Sot situata është më ndryshe, sepse tashmë kanë kaluar mbi 20 vjet. Kisha Ortodokse Autoqefale në Shqipëri është më solide tani, kemi më shumë njerëz, kemi rreth 150 priftërinj, ndonëse akoma nuk janë të mjaftueshëm për të gjithë Shqipërinë, por të paktën mbulojmë një pjesë të mirë të nevojave të popullsisë ortodokse.
Në të ardhmen, padyshim, bashkëpunimi do të jetë edhe më i ngushtë dhe nëse do të kemi mundësi, ndihma do të jetë megjithë zemër, sepse është detyrim ndaj çdo shqiptari kudo që të jetë. Madje, jo thjesht ndaj çdo shqiptari, por ne do ta bënim me të gjithë dëshirën, edhe për të ndihmuar kisha të tjera ortodokse, qofshin këto edhe në Afrikë. Por, kjo varet nga mundësitë tona dhe se sa njerëz do t’i përgjigjeshin thirrjes për t’i shërbyer Perëndisë”.

-Hirësi, ne kemi një problematikë në rritje të vazhdueshme në Shqipëri, ndoshta edhe mbetje nga e kaluara. Ajo që lidhet me Kongreset Panortodoksë të viteve 1922 dhe 1929 në Berat dhe në Korçë. Vendimet e këtyre kongreseve u njohën nga qeveria e kohës, madje Ju vetë e theksuat që edhe mbretëria ka qenë vendimtare në këto zhvillime. Këto janë zhvillime historike për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Sinodi i Shenjtë i formësuar në vitet 1929-1931, kishte Kryepeshkopin Visarion Xhuvani, që ishte edhe Mbikqyrës i Mitropolisë së Korçës ku Ju shërbeni sot, ka qenë Agathangjel Çamçe si Mitropolit i Beratit, Ambroz Ikonomi si Mitropolit i Drinopolit dhe Efthim Kosteva si Ndihmës i Kryepeshkopit. Pyetja është: A respektohen këto vendime dhe puna që kanë bërë këto figura të larta kishtare të ortodoksisë në Shqipëri?
-Imzot Joan Pelushi: “Padyshim, çdo vendim duhet parë në kontekstin e kohës së tij. Koha nga vetëshpallja e autoqefalisë deri në njohjen e autoqefalisë, është një periudhë, që në kuptimin më të gjerë kanonik, nuk është kanonike. Ja, shikoni kishën në Maqedoni. Ka vetëshpallur autoqefalinë, por nuk njihet nga kishat e tjera. Në momentin që do të njihet fillon edhe pranimi kanonik i asaj kishe. Në Shqipëri periudha nga 1929-1937, kur edhe u njoh autoqefalia, është një kohë e shkurtër, në krahasim me shumë kisha të tjera, pra autoqefaliaqë u arrit në 8 vjet. Ato vendime padyshim kanë meritën e tyre për kohën dhe iu përgjigjën problematikës së asaj kohe, siç ishte dhe Kushtetuta e Mbretërisë, siç ishin edhe shumë vendime të tjera. Në vitin 2013 përballemi me një problematikë tjetër dhe padyshim kërkohen vendime të tjera. Nderimi i disa vendimeve nuk do të thotë që do të zbatohen përjetësisht, sepse ato kanë humbur tashmë kontektin historik. Sipas kësaj logjike sot në vendin tonë duhet të ishte Kushtetuta e Monarkisë dhe të mos kishim Kushtetutë tjetër. Kushtetutat apo Statutet e Kishës, më lejoni që të zgjatem pak këtu se është një temë shumë e rëndësishme për t’u njohur, nuk janë kanonet e kishës. Statutet janë rregullore të brendshme të kishës, që mund të ndryshojnë në vite sa herë që paraqitet një problematikë. Ja, marrim për shembull, statutin e vitit 1929, për të cilin flitet shumë. Në këtë statut (dhe pjesa më e madhe e këtyre njerëzve që flasin për këtë ndoshta nuk e kanë lexuar ndonjëherë atë të plotë), kisha nuk ishte plotësisht e lirë. Kisha ishte vënë nën robërinë e mbretërisë së asaj kohe. Por, edhe në atë statut në nenin 63 dhe 64, që janë dy nenet e fundit, thuhet pikërisht kjo gjë: “Të gjitha nenet e statutit përveç nenit të parë, të dytë dhe të tretë (që ishin tri nene kanonikë dhe teologjikë që kanë të bëjnë me besimin dhe teologjinë e kishës), mund të ndryshohen me një vendim të Sinodit ose me një vendim të Këshillit Kleriko-Laik”, sepse shiheshin si nene që i përgjigjeshin nevojave momentale të kishës. Pas dy vjetëve mund të kishte nevoja të tjera. Paraqitja e statutit të vitit 1929 si diçka e pandryshueshme vjen nga njerëz që ndoshta nuk kanë njohuritë e duhura kishtare dhe nuk e njohin mirë se si organizohet kisha. Jo vetëm kisha, por të gjitha komunitetet fetare kanë të drejtë që statutet e tyre t’i ndryshojnë.
Ja, për shembull, Komuniteti Mysliman në Shqipëri e ka ndryshuar, dhe me shumë të drejtë, statutin në mos gabohem katër herë nga 90-a deri më sot, për t’iu përgjigjur nevojave që paraqiteshin para tyre. Edhe ne, nëse pas dy vjetësh na paraqiten nevoja të tjera, mund ta ndryshojmë edhe statutin aktual.
Nuk ndryshojnë vetëm nenet dogmatikë, që janë nene të të gjitha kishave, janë nene të besimit. Çështje të tjera të organizimit, sa Dioqeza do të ketë, ku do të jetë shkolla, sa vjet do të jetë shkolla, këto janë çështje të rregulloreve. Edhe kushtetuta e Shqipërisë është ndryshuar, madje disa herë, sepse i është përgjigjur problemeve të ndryshme.
Ka një moskuptim, shpeshherë bërë nga mosdija dhe ndonjëherë ndoshta edhe nga keqdashja, që duan ta paraqesin statutin sikur të ishin kanonet e kishës. Kanonet kishtare të hartuara nga sinodet ekumenikë kanë një fuqi mbi të gjithë Kishën Ortodokse në të gjithë botën dhe ato janë të pandryshueshëm. Por edhe ndër to një pjesë është e ndryshueshme, por vetëm kur të mblidhet përsëri një Sinod Ekumenik dhe të vendosë për t’i ndryshuar, nëse do të jetë e nevojshme.
Padyshim, gjatë historisë së kishës, në të gjithë botën, kemi pasur përpjekje të pushtetit temporal për ta kontrolluar kishën. Si pasojë, nën presionin e pushtetit, nëpër statute të disa kishave janë vendosur edhe disa nene që janë në kundërshtim me parimet kishtare bazë. Por sot ne duhet të kemi një statut që t’i përgjigjet të drejtave dhe lirisë së besimit dhe padyshim që të ruajë realisht autoqefalinë e kishës, jo vetëm nga jashtë, por ta ruajë edhe nga brenda.
Nëse ne duam që të kemi një kishë autoqefale, kjo duhet të jetë e pavarur nga të gjithë forcat e ndryshme, qofshin nga jashtë, qofshin nga brenda”.

-Mitropoliti i Trapezundës, Krisanthi i dërguar nga Patriarkana Ekumenike, pra nga Patriarku Ekumenik, e pranoi Autoqefalinë me “Tomosin” që Ju përmendët. Në atë statut të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në nenin 16 ne kemi të quajturën “garanci” të qenies së Kryepeshkopit shqiptar me gjak. Imzot Joani, sa ndikim ka kjo sot kur në disa kisha shpesh shumëkush vëren që mund të shërbehet në gjuhë tjetër? Natyrisht, përjashto ato kisha ku kemi shërbesa për shkak të komuniteve të ndryshme. Fortlumturia e Tij Anastasi përpara se të mësonte gjuhën shqipe, i ka kryer shërbesat në greqisht. A ishte kjo e kuptueshme për komunitetin ortodoks?
-Imzot Joan Pelushi: “Kjo është një pyetje që përfshin një gamë të gjërë të problemeve. Shpallja e autoqefalisë u bë me një vendim të Sinodit në Patriarkanën Ekumenike të Stambollit, jo thjesht nga një Mitropolit. Ishte një vendim që u firmos nga të gjithë anëtarët e atij Sinodi. Në atë u zgjodh edhe i pari Sinod kanonik i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Padyshim, që ishin bërë negociata shumë të mëdha, ku përfshiheshin jo vetëm organet kishtare, por edhe organet diplomatike të shtetit shqiptar. Dhe, u ra dakort që të hiqej Kryepeshkopi Visarion Xhuvani, i cili kishte qenë në këtë detyre nga 1929-1937, meqënëse konsiderohej i zgjedhur në mënyrë jo kanonike dhe në vend të tij u zgjodh Imzot Kristofor Kisi, i pranueshëm nga të gjithë palët, një person i cili kishte shkollimin e duhur dhe kishte integritetin moral të duhur për të udhëhequr kishën. Pranimi nga të dy palët i këtij personi dha një garanci edhe më të madhe.
Nuk duhet harruar që Sinodi i Parë Kanonik u zgjodh në Kostandinopojë kur u dha edhe autoqefalia. Aty nuk përmendet asnjë lloj statuti. Kisha Ortodokse në Shqipëri do të duhej të niste rrugën e saj, duke krijuar statutet që do t’i duheshin për të ruajtur pavarësinë e saj dhe për të kryer misionin e saj.
Ndërsa sa i përket statutit të vitit 1929, besoj se i shpjeguam se çfarë është statuti dhe për çfarë shërben ai. Përsa i përket shërbesave fetare në Kishën tonë mund t’u them me bindje të plotë, sepse unë jetoj në këtë vend, në të gjitha kishat bëhet në gjuhën shqipe, përveç zonave minoritare, të cilët shërbesat i bëjnë në gjuhën e tyre. Madje, edhe Kryepeshkopi që në momentet e para që ka ardhur me këmbëngulje të madhe ka mësuar pjesën liturgjike që ta thotë në shqip. Është predikimi që ka bërë në greqisht, por përsëri edhe këtë e ka bërë me përkthyes. Që, do të thotë që përsëri dëgjohej edhe shqip. Kjo nuk ka krijuar ndonjëherë problem brenda komunitetit ortodoks.
Shpeshherë flasin njerëz që ndoshta nuk kanë qenë ndonjëherë në kishë. Më kanë pyetur edhe të tjerë “përse meshohet greqisht”? Dhe, i kam thënë unë: “Ku e ke dëgjuar?! Ke qenë ndonjëherë në kishë”?! Më janë përgjigjur: “Jo, nuk kam qenë, por më kanë thënë”. Po atëherë, “ku e di ti se si meshohet”?! Por, nëse dikush do ta vërtetojë këtë gjë, nuk është shumë e vështirë. Çdo njeri mund të vijë ditën e diel qoftë në Tiranë, në Korçë, a në Berat, kudo ku kemi kisha dhe të dëgjojë se si bëhet. Kjo është më e thjeshta, sepse dyert e kishave janë të hapura për të gjithë. Madje Statuti i Kishës e sanksionon që gjuha zyrtare e Kishës është shqipja. Minoritetet përdorin gjuhën e tyre në adhurim.
Por, mund të qëllojë edhe një rast i tillë, kur vjen një vizitor nga një vend i huaj. Kur vjen nga Amerika, ai padyshim pjesën që i takon atij do ta thotë në anglisht. Ose, nëqoftëse vjen nga Rumania, atë pjesë do ta thotë në rumanisht, nëqoftëse vjen nga Rusia, atë pjesë do ta thotë rusisht, nëse vjen nga Greqia, do ta thotë greqisht. Edhe unë kur vizitoj këto vende e them në shqip. Kur kam meshuar në Athinë e kam thënë në shqip. Madje, mund t’u them edhe një fakt. Kur ne kemi bërë vizitën zyrtare si Kishë Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë në Kishën Ortodokse në Greqi, Kryepeshkopi Anastas pjesën e tij në meshë e ka thënë shqip, edhe në Athinë, për të respektuar atë që përfaqëson. Nuk i tha njeri “pse e the në shqip”? Por, meshimi në Shqipëri bëhet gjithmonë në gjuhën e vendit. Shpeshherë ndodh edhe kjo gjë, thuhet një pasaktësi nga dikush, ajo përsëritet nga të gjithë dhe pastaj ajo merr statusin e një të vërtete”.

-Më lejoni t’u pyes për Kongresin e vitit 1950, ku edhe kjo pikë e statutit të ndryshueshëm sipas shpjegimit që po na jepni Ju sot, pra neni 16 është ndryshuar, duke i hapur rrugën zgjedhjes së një Kryepeshkopi që ndoshta kishte një lidhje gjaku joshqiptare. Bëj fjalë për Imzot Pais (Paisius) Vodica. Mos ndoshta ndikimi i të dëgjuarit në greqisht për shkak të historisë që kemi pasur, aty-këtu konfliktuale, mund të ketë bërë që të tingëllojë keq qoftë edhe një shërbesë e vogël, qoftë edhe një fjalë greke në kishën tonë? Pra, a ka qenë statuti i vitit 1950 ai që ne të kemi probleme ende të pazgjidhura?
-Imzot Joan Pelushi: “Statuti i vitit 1950 u bë nën presionin e regjimit komunist dhe nuk mund të ishte i përshtatshëm për t’i shërbyer kishës. Edhe statuti i vitit 1929 e vuri kishën nën robërinë e mbretit. Ka rreth 10 nene që japin të drejtën mbretit, nëse atij nuk do i pëlqenin, të hiqte edhe Kryepeshkopin, edhe peshkopët. Kjo nuk është kishtare! Sepse, kisha është e pavarur nga pushteti politik. Në vitin 1950 nuk mund të prisnim një statut që të ishte mbi baza kishtare. Regjimi komunist donte t’i kontrollonte të gjitha kishat dhe t’i shkëpuste, sipas tyre, nga varësia që mund të ishte jashtë territorit të Shqipërisë. Madje, u përpoqën që edhe Kishën Katolike ta bënte qendrën këtu, gjë që është në kundërshtim me atë që është kisha! Për gjendjen aktuale të Kishës sot nuk mund të merren për bazë më statutet e hartuara nën presion.
Ndërsa për atë që thoni se ndoshta për dikë “qoftë edhe një fjalë greke” mund të krijonte probleme, mendoj se ky nuk është më problemi i kishës por i atij. Sepse sipas kësaj llogjike duhet që greqishtja të shpallet gjuhë armike! Besoj se nuk ka vend për koment. Ne nuk duhet të shkojmë në ekstreme dhe të humbasim arsyen dhe seriozitetin. Edhe nëse shkoni në Vatikan, madje kur meshon edhe vetë Papa, shpeshherë kori përgjigjet me fjalët “Kirie Eleison!”, që në greqisht do të thotë “Mëshiro o Zot!”, sepse kjo është pjesë e trashëgimisë së krishterë. Siç, themi “Aleluja!”. Dikush mund të na akuzojë pse e bëjmë meshën në hebraisht, se “Aleluja!” është në hebraisht. Edhe kjo, si shumë shprehje të tjera, është pjesë e trashëgimisë dhe nuk duhet të kalojmë në ekstreme.
Padyshim që kisha duhet të ruajë identitetin e saj, ne jemi shqiptarë dhe duhet ta ruajmë gjuhën tonë dhe të jemi krenar për atë, por jo të kalojë në urrejtje, sepse kjo mund të japë efektin e kundërt. Kisha është një institucion që duhet të përhapë sa më shumë dashuri dhe mirëkuptim ndërmjet popujve të ndryshëm. Madje, ajo që vuan sot Ballkani, është pikërisht urrejtja dhe nacionalizmi i sëmurë, që kanë nxitur urrejtje mes popujve të Ballkanit, duke shkatuar tragjedira dhe vuajtje të mëdha për të gjithë popujt. Rajoni ynë ka nevojë për paqe dhe paqja vjen me respektimin reciprok të gjithsecilit”.

-Imzot Joani, Ju padyshim që prisni ndonjë pyetje për Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Fortlumturia e Tij nuk është shqiptar. Ne e përmendëm tashmë këtë në disa pika të bisedës. Fortlumturia e Tij nuk ka as nënshtetësinë shqiptare. Një kërkesë për këtë shtetësi është refuzuar prej shumë vjetësh. Duke marrë parasysh rregullatorët e Kishës Ortodokse, ndjeshmëritë që paraqet Kisha Ortodokse, nëse i jepet kjo shtetësi, a përbën problem? Çfarë rreziku ka, nëse ka?
-Imzot Joan Pelushi: “Çfarë rreziku do të kishte dhënia e nënshtetësisë? Kryepeshkopi është Kryepeshkop i kishës dhe dhënia e shtetësisë do të nderonte vetë shtetin shqiptar. Për më tepër, po e përsëris, ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që kanë dhënë kontribut për rindërtimin e kishës dhe të vendit tonë në një kohë shumë të vështirë për ne. Por në vend të kësaj kemi vetëm shpifje dhe akuza të pabaza. Unë mund t’u them me bindjen e plotë se Kryepeshkopi ka dhënë një kontributi të jashtëzakonshëm në ringritjen e kishës. Jo vetëm thjesht në ringritjen e mureve, por edhe në frymën e mirë që ka përhapur, për nxitjen e mirëkuptimit dhe respektit ndërmjet njerëzve, për të rolin e tij të rëndësishëm në dialogun ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme dhe për forcimin e dialogut ndërfetar që është aq shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Askush nuk ka faj për atë që është. As unë nuk kam faj që jam shqiptar. Unë linda shqiptar. As ai nuk ka faj që lindi grek. Nuk është as meritë dhe as faj të jesh anëtar i një kombi, sepse do të lindësh diku në një vend, por ne duhet t’i gjykojmë njerëzit në bazë të kontributeve që ata kanë dhënë. Sepse mund të jesh i të njëjtës kombësi dhe të bësh dëme të pallogaritshme. Mund të jesh i huaj dhe mund të japësh një kontribut shumë të madh.
Padyshim që kisha do të ketë vazhdimësinë natyrale. Unë besoj se vetëm një kishë solide lokale do të jetë e aftë tu përgjigjet nevojave të popullit. Kisha është në këtë vend dhe do të jetë pjesë e shtetasve që jetojnë këtu. Madje, edhe në Statutin tonë të ri themi që “peshkopët duhet të jenë shtetas shqiptarë”. Por, në raste kur ne nuk mund të plotësojmë të gjithë nevojat që kemi, me një vendim të Këshillit Kleriko-Laik dhe aprovim të Sinodit mund të merret një peshkop edhe nga një vend tjetër. Mund të merret edhe një nga Amerika për të na ndihmuar. Pjesa më e madhe e kishave nëpër botë i kanë këto gjëra! Sepse kalimi në ekstrem e mbyt edhe frymën e vërtetë të kishës. Atdhetar i vërtetë dhe shqiptar i vërtetë është ai që e do Shqipërinë. Besoj se një patriot dhe atdhetar i vërtetë është ai që lulëzon kombin e tij, vendin e tij! Masa e atdhetarisë nuk matet me masën se sa shan të tjerët që janë rrotull, por matet me masën se sa e lulëzon vendin ku ti jeton! Është koha të ndalen retorikat boshe dhe njerëzit të gjykohen jo nga fjalët që thonë por nga veprat që bëjnë. Nëse një njeri jep një kontribut të jashtëzakonshën në rindërtimin nga gërmadhat të kësaj kishe, ne të paktën t’i themi “faleminderit!”.
Do të doja të ndalesha edhe në një pikë tjetër që mendoj se është është një sëmundje si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e tjera ballkanike, që gjithmonë një grup i veçantë paraqitet sikur ka monopolin e patriotizmit. E përse e dashkërkan ata më tepër Shqipërinë se sa priftërinjtë ortodoksë shqiptarë që i shërbejnë popullit të tyre në kushte të vështira dhe me pagesa minimale?! Është e pamundur që një njeri të dojë Zotin dhe të mos dojë vendin e tij. E përse qenkërkan këta më tepër shqiptarë se sa të tjerët?! Marrja e monopolit të diçkaje vetëm nga një grup, jo vetëm që është e pavërtetë, por shpeshherë mund të japë edhe efektin e kundërt. Kisha në Shqipëri është në duart e njerëzve që jetojnë këtu! Dhe, padyshim gjithçka do të vijë natyralisht, në mënyrën siç ka ardhur në të gjitha kishat. Por, gjithmonë duke ruajtur mirënjohjen dhe falenderimin për njerëzit që na kanë ndihmuar në një moment të vështirë”.

-Hirësi, a është kjo një përgjigje për të gjithë dyshonjësit, për deklarata të Fortlumturisë së Tij Anastasit për disa raste në Himarë, të komentuara si shumë pro greke?
-Imzot Joan Pelushi: “Varet gjithmonë kush i komenton dhe si i shikon. Është e njohur thënia e famshme, nuk jam i sigurtë e Robespierit apo e Dantonit, që thoshte “më jepni një fjali nga çdo fjalim i çdo francezi dhe unë do ta çoj në gijotinë”! Nëqoftëse dikush do të dojë t’i komentojë duke i keqinterpretuar, nuk mund të merret keqinterpretimi si një e vërtetë. Por mund të them se fryma që ka përhapur Kryepeshkopi Anastas në kishën tonë, ka qenë gjithmonë fryma për respektin e çdo njeriu, kushdo qoftë ai. Zëra të tillë nuk ka shumë në Ballkan. Madje, mund të them, nga përvoja që kam nga takime të ndryshme, se Kryepeshkopi është një nga njerëzit e pakët që ka përhapur frymë paqtore në rajonin tonë. Dhe më tragjikja është se është akuzuar nga të dy ekstremet. Në Greqi e kanë akuzuar rrethet ekstremiste, duke i thënë se: “ke shitur kishën te shqiptarët”. Këtu e akuzojnë me të kundërtën. Por populli ortodoks në Shqipëri i është mirënjohës për kontributin që ai ka dhënë!
Padyshim që ka njerëz, që për arsye të ndryshme, nuk mund të pëlqejnë diçka. Unë mund të përgjigjem, por nuk do të thotë se mund t’i bind të gjithë! “Nuk ka shurdh më të madh se sa ai që nuk do të dëgjojë” – thotë proverbi. Ka njerëz që nuk duan ta dëgjojnë këtë gjë. Por, nëse një njeri do të jetojë brenda kishës dhe do të shohë të gjithë veprimtarinë e saj, do të kuptojë që është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe në favor të kësaj kishe dhe të këtij vendi. Nëse një njeri do ta donte realisht këtë vend dhe do të ishte një atdhetar i vërtetë, do ta respektonte punën që është bërë për rindërtimin e kësaj kishe. Një kishë nuk mund të ishte dot autoqefale nëse nuk do të ringrihej e gjitha. E nuk mund të jetë dot një Kishë e Krishtit, nëse do të predikohej përçarja ndërmjet grupeve të ndryshme që përbëjnë komunitetin ortodoks këtu. Madje një komunitet ortodoks solid në Shqipëri ndihmon për një shoqëri dhe një Shqipëri solide”.

-Çdo të bëhet pas tërheqjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit? Sinodi i Shenjtë me 7 anëtarë, 2 i ka grekë, 1 arvanitas, ndërsa 4 të tjerët shqiptarë. Në shifrën që ju na konfirmuat të thuajse 140-150 klerikëve që kemi gjithsej, a është ndonjëri prej tyre i përshtatshëm, me formimin e duhur duhur që të vazhdojë punën pas Fortlumturisë së Tij Anastasit? A jeni ju Imzot Joani një pasardhës i mundshëm dhe si veprohet në këto raste?
-Imzot Joan Pelushi: “Se kush do të jetë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse në Shqipëri është diçka që i përket Sinodit, sepse ai zgjidhet prej tij. Unë nuk mund të them se kush do të jetë, por mund të them se tashmë kisha i ka institucionet e saj, të cilat janë të afta për të përballuar me çdo situatë që mund të paraqitet, siç ka ndodhur gjatë tërë historisë së krishtërimit. Kjo do të vijë në mënyrë natyrale dhe mendoj se nuk ka nevojë për ngutje. Dhe kur të vijë koha do jetë Sinodi ai që do të zgjedhë kryepeshkopin e ri. Ne besojmë që zgjedhja frymëzohet nga Shpirti i Shenjtë. Atë që do të mendojnë anëtarët e Sinodit se është i aftë për ta bërë këtë detyrë, ai do të jetë. Unë besoj në pjekurinë e sinodit dhe të anëtarëve që e përbëjnë atë. Të gjithë peshkopët e rinj janë shqiptarë! Dhe për këtë duhet ti jemi mirënjohës kryepeshkopit për përpjekjet e tij për përgatitjen e peshkopëve të rinj. Formimi i një peshkopi nuk është aq i lehtë. Kërkon gati 20 vjet të përgatisësh një peshkop. Duhet kohë në arsimin, duhet që ai të ndjejë thirrjen (kupto: Thirrjen e Zotit), sepse peshkopët zgjidhen nga murgjërit, domethënë njerëz që kanë vendosur të jetojnë në një mënyrë tjetër për t’i shërbyer Zotit. Ja, do t’u jap një shembull. Në Kishën Katolike, dhe me të drejtë, deri tani akoma nuk është bërë një peshkop vendas. Do të bëhet padyshim në të ardhmen, por kjo kërkon kohë. Bërja e një peshkopi kërkon kujdes sepse ai zgjidhet për jetë. Nuk mund të bëhet sot dhe nesër ta zhbësh, sepse nuk zgjidhet për 4 vjet ose për 5 vjet dhe pastaj mund të ndërrohet. Prandaj edhe bëhet shumë kujdes te zgjedhja. Unë besoj se kryepeshkopi ka pasur një besim shumë të madh në klerin vendas, duke përgatitur kandidatë të arsimuar edhe me studime të mëtejshme jashtë vendit dhe duke i dorëzuar ata peshkopë me të drejtë vote brenda sinodit”.

-Imzot, si kujdeset Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare për shqiptarët ortodoksë në shtetin maqedonas, për ndokënd që mund të ketë mbetur në Mal të Zi, në Serbi, për shqiptarët në Çamëri? Më lejoni të përsëris shpesh shprehjen e komunitetit çam për kërkesa të refuzuara sipas tyre, për mbajtjen edhe të një meshe për çamët që kanë humbur jetën apo që janë masakruar? A ka lidhje kjo me kishën?
-Imzot Joan Pelushi: “Kisha këtu ishte e shkatërruar. Dhe, nuk mund t’i kërkoje një kishe të shkatërruar që të kujdesej edhe për të gjithë të tjerët që ishin jashtë kufijve. E njëjta gjë ishte edhe me shtetin shqiptar. Kujdesja e tij për të gjithë shqiptarët që ishin jashtë nuk ishte aq e madhe për arsye që dihen. Edhe kisha jonë ishte në momente themelimi. Padyshim, kur kisha do të jetë më solide, do të ketë një interesim për të ndihmuar çdokënd.
Përsa i përket pyetjes për çështjen e meshimit (kupto: për çamët) duhet sqaruar diçka. Kisha ka një rregull për Përshpirtjet dhe ato bëhen vetëm për anëtarët e kishës. Duhet të jesh anëtar i kishës që të të bëhet përshpirtja. Në Kishën Ortodokse shërbesat sakramentale bëhen vetëm për anëtarët e Kishës. E njejta gjë besoj është edhe për komunitetet e tjera. Kur vdes një ortodoks merret një prift, nuk merret një hoxhë apo anasjelltas. Dhe për më tepër ato bëhen në kisha dhe jo në hotele ose të urdhëruara nga deputetë. Ne nuk mund të tallemi me sakramentet e Kishës. Unë nuk di që të kemi ndonjë rast që na është kërkuar një përshpirtje për ndonjë ortodoks dhe ne nuk e kemi bërë. Ky është detyrim kishtar për çdo ortodoks, kushdo qoftë ai, Madje në çdo meshë ortodokse ne i kujtojmë “të gjithë ata që kanë rënë fli për fè dhe për atdhe”!

-Mendoni Imzot se nuk na ka asnjë lloj ndikimi greqizimi në Kishën tonë Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
-Imzot Joan Pelushi: “Ëëë… Ndikime gjithmonë ka. Gjithmonë kur je pranë dikujt ka ndikime të ndryshme reciproke. Ndikimet kulturore ndërmjet popujve kanë qenë gjithmonë. Por jo çdo ndikim do të thotë që është i keq, siç ka edhe ndikime që ndoshta nuk mund të jetë të mira dhe pozitive për një vend. Ne jemi munduar që të mos pranojmë ndikime që mund të jenë në dëm të kishës sonë, sepse nga vende të ndryshme mund të vijnë edhe ndikime të ndryshme. Ka grupe të ndryshme ekstremistësh, qoftë edhe në kuptimin kishtar të fjalës. Ajo që jemi përpjekur ne, është që ndikimet që janë të dëmshme për kishën tonë të mos i pranojmë dhe jemi munduar t’i ruajmë besimtarët tanë nga këto ndikime.
Ndërsa sa i përket greqizimit nuk mendoj, në kuptimin që përdoret fjala “greqizim”, se mund të ndodhë kjo gjë në kishë, ngaqë nuk është kisha ajo që do të bëjë ose jo greqizimin. Sot njerëzit janë më të prirur për përfitime materiale dhe Kisha nuk është vendi ku mund të ofrohen më këto. Rreziqe mund të ketë nga gjëra të tjera, ku njerëzit mund të përfitojnë. Në kishë ne tashmë i thërresim njerëzit që të japin, jo që t’u japim ne atyre.
Për vetë faktin që të gjitha shërbesat bëhen në gjuhën shqipe dhe në statutin tonë thuhet që “gjuha zyrtare e Kishës është shqipja” tregon që realiteti është ndryshe nga sa jepet në disa media të veçanta ose nga njerëz të veçantë, të cilët kanë një axhendë të tyre, të cilët nuk duan të dëgjojnë se kush është e vërteta dhe për më tepër dua ta përsëris, që këta njerëz nuk kanë qenë as edhe njëherë të pranishëm në kishë”.

-Ju folët për axhenda. Mirëpo, si si shpjegohet që çdo zyrtar nga vendi fqinj Greqia, gjithnjë e mban një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare? Padyshim që përkatësia ortodokse nuk përbën ndonjë lloj problematike nëse kjo bëhet. Por, ka një përshtypje shpesh që ndikimi i Greqisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare është pak serioz. A besoni se duhet të vazhdojë të përfshihet në çdo lloj vizite të zyrtarëve të Greqisë, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
-Imzot Joan Pelushi: “Nuk është se kisha përfshihet në këtë gjë. Por, nëqoftëse vjen dikush në Korçë dhe do të thotë se dëshiron të më vizitojë, unë nuk do t’i them “jo”. Kushdo qoftë ai! Më e rëndësishmja është të kuptohet se ato janë më tepër vizita kortezie. Presidenti i fundit që erdhi (kupto: Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias) është bashkëmoshatar me Kryepeshkopin dhe ata njihen që kur kanë qenë të rinj. Nuk besoj se vizita të tilla mund të krijojnë probleme. Rumania pret çdo primat të një kishe ortodokse me të njejtën ceremoni si presidentin e një vendi. Vizitat në kishën ortodokse kanë qenë shumë të shkurtëra, më tepër për të nderuar kishën, pra si në një vizitë kortezie dhe unë personalisht nuk shoh se ka ndonjë problem. Vizitat e tyre nuk organizohet nga ne, dhe as nuk ka kërkesë nga ne që të vizitohemi. Çdokush që vjen në kishë e ka derën të hapur. Edhe nëqoftëse vjen, për shembull një president i një vendi jo ortodoks, i një vendi i një besimi tjetër dhe do të shprehë dëshirën të më takojë mua, përse t’i them “Jo”? Nuk besoj se kjo paraqet ndonjë rrezik. Këto janë vizita zyrtare kortezie, të hapura. Nuk ka mbetur aty që të bisedohen plane! Nganjëherë fryhen më tepër se sa duhen gjëra të tilla. Ka njerëz që ndoshta janë shumë të ndjeshëm ndaj këtyre gjërave dhe i vret ajo. Mirëpo, ne duhet të mësohemi me disa gjëra dhe të dallojmë kush janë të dëmshme dhe kush janë të padëmshme. Sepse e parë me lupë dhe me paragjykim çdo lëvizje e Kryepeshkopit nuk është diçka e mirë. Çfarëdo gjëje që ai të bëjë do të thonë “përse e bëri kështu”.

-E të mos e bësh prapë…
-Imzot Joan Pelushi: “Të mos e bësh do të thonë “nuk e takoi për diçka tjetër”. Kisha nuk organizon protokollet e këtyre gjërave. Por, çdokush që shpreh dëshirën për të ardhur për të na vizituar, nuk ka ndonjë gjë të keqe për të na vizituar”.

-A keni një qëndrim për mundësinë e përfshirjes së edukatës fetare në shkolla?
-Imzot Joan Pelushi: “Unë do të kisha dashur që të ishte. Ne nuk kemi mundësi që të organizojmë një mësim fetar në shkallë të gjerë për të gjithë fëmijët. Padyshim, edhe kjo ka vështirësitë e saj, sepse duke qenë popullsi me përkatësi të ndryshme fetare do të ketë disa vështirësi. Dikur mësohej edukata fetare nëpër shkolla. Shumë vende e kanë këtë nëpër shkolla. Për kushtete vendit tonë, ardhur nga një e kaluar e një shkatërrimi të madh të besimit fetar, ndoshta do të ndihmonte në përhapjen besimit. Natyrisht, të kontrolluara dhe të mos lejohet të krijohet përçarje dhe grindje. Por besoj se nuk do të krijojë probleme, sepse predikimi bazë i komuniteteve fetare ka qenë gjithmonë respektimi i njëri-tjetrit, dashuria dhe virtutet, dashuria për vendin ku jeton, ndihma për njerëzit që janë rrotull teje dhe për ata që janë në nevojë. Dhe për këto vlera unë besoj se shoqëria shqiptare ka shumë nevojë. Madje, ajo që ka më shumë nevojë shoqëria jonë sot është pikërisht prania e vlerave. Mungesa e tyre shton korrupsionin dhe çdo plagë tjetër sociale. Mësimi fetar do të ndihmonte në nxitjen e vlerave dhe në forcimin e shoqërisë sonë. Jo se do të zgjidhte çdo problem të vendit tonë, por besoj që do të ndihmonte. Në këtë fushë ka njerëz që mund të kenë mendime të ndryshme, por parë nga këndvështrimi im dhe nga përvoja ime në këtë vend, besoj që do të ndihmonte”.

-Keni qëndrim për mundësinë e ndërtimit të varrezave murale, edhe për shkaqe tashmë të ditura të mungesës së hapësirave?
-Imzot Joan Pelushi: “Në Kishën Ortodokse nuk ka ndonjë pengesë në ndërtimin e varrezave murale. Natyrisht, që ka një procedurë. Në fillim varroset dhe pas një periudhe të caktuar kohore mund të nxirren eshtrat dhe të vendosen në varrezat murale. Nuk ka ndonjë pengesë kishtare në këtë çështje.
Por ne respektojmë opinionin e çdo komuniteti. Çdo komunitet ka besimin e tij fetar dhe kjo i dallon komunitetet nga njeri-tjetri, që nuk mendojnë për çdo gjë të njëjtën gjë. Për komunitetin ortodoks kjo nuk është një pengesë”.

-Çfarë mendimi keni, si qëndrojnë punët me shërbëtorin, priftin Nikollë Marku?
-Imzot Joan Pelushi: “Unë nuk dua të flas për personat, sepse nuk është etike, por do të flas për fenomenin. Në Kishën Ortodokse nuk mund të ekzistojë dot një prift pa episkopin. Madje, në kuptimin më të thellë eklesiologjik, në Kishën ortodokse ka vetëm një prift dhe ky është Jezu Krishti. Episkopi bëhet ikona e dukshme e pranisë së padukshme të Jesu Krishtit dhe merr pjesë në priftërinë e tij. Në fillim ishte vetëm episkopi prifti i komunitetit. Por, meqënëse krishtërimi u përhap shumë dhe episkopi nuk mund të ishte i pranishëm kudo, delegoi një pjesë të priftërisë së tij, te disa persona të tjerë (ata që ne sot i quajmë priftërinj), përveç dy shërbesave: Shenjtërimit të kishës dhe dorëzimit priftëror. Asnjë prift nuk mund të qëndrojë në vetvete pa përmendur episkopin, sepse ndryshe ai nuk ka më karakterin sakramental, me një fjalë nuk është më prift. Kështu që personi në fjalë nuk është prift dhe ne duhet të jemi serioz me dimensionin sakramental të kishës. Dikush mund të bëhet kryetar shoqate, mund të filloj një kishë tjetër të re, mund ta quajë si të dojë, por nuk mund të jetë prift i Kishës Ortodokse. Ai nuk mund të jetë prift dhe çdo shërbesë e bërë prej nuk mund të quhet e vlefshme”.