Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Thursday, 20 March 2014

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë merr pjesë në Panairin e Ditës së Verës - Elbasan, 12-14 mars 2014.


   Kisha jonë Orthodhokse në Elbasan mori pjesë në panairin triditor (12-14 mars 2014) të organizuar nga Bashkia e qytetit. Ky panair kishte si qëllim shpalosjen dhe paraqitjen e veprimtarive të organizmave sociale, edukues, kulturorë e tregtarë të krahinës. Në qytetin e Elbasanit prej shumë vitesh tashmë festohet në 14 mars Dita e Verës, cila karakterizon largimin e dimri dhe ardhjen e pranverës. Për këtë festim tradicional organizohen veprimtari të ndryshme festive mes së cilave edhe ky panairi i madh.  
   Për të dytin vit radhazi, me bekimin e Kryepiskopit Anastas edhe nën kujdesin e Episkop Andonit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u prezantua me botimet e saj, punime kishtare dhe me ekspozitë fotografike tëveprimtarive të ndryshme social-shpirtërore si: shkollat 9-vjeçare, të mesme e të larta, kontributin publik, kujdesin shëndetësor, përkujdesjet ditore (kopshtet), shtëpinë e fëmijëve “Shpresa”, edukimin e krishterë, kampet, ndërtimet dhe restaurimet e kishave, duke shfaqur kështu një prezantim dinjitoz të ringritjes së Kishës Orthodhokse.
    Tenda e Kishës Orthodhokse u vizitua nga shumë pjesëmarrës të Panairit, të cilët morën shumë informacione rreth veprimtarive të saj por edhe të 2 famullive tona të Elbasanit, ku edhe shprehën mirënjohjen e tyre për pjesmarrjen dhe prezantimin tonë. Gjithashtu tenda u vizitua edhe nga personalitete të larta si: Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta, Ministri i Transportit dhe i Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto, Kryetari i Partisë Demokratike njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, Kryebashkiaku dhe Prefekti i Elbasanit, deputetë etj. Ky prezantim i Kishës sonë në këtë panair u organizua nga katekisti Armand Oga dhe Atë Heliodor Demiri. Në të ndihmuan edhe të rinjtë e Rinisë Orthodhokse të fshatit Fikas si edhe të rinjtë e Rinisë së Kishës së Shën Athanasit, Elbasan.

Armand Oga