Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 19 April 2014

Mesazhi i Kryepiskopit Anastas - Pashkë 2014



Anastasi
Kryepiskopii Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
PASHKË 2014
ME DRITË PASKALE TË TËRËBARDHË NË JETËN TONË

Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Ejani t’i falemi Atij që u ngjall së vdekurish dhe i  
ndriçoi të gjitha”
(Pasvargje ngjallësore të së Dielës).
     Ngjallja e Krishtit është e kremte e mbushur plot e përplot me dritë të tërëshkëlqyer. Ajo rrezaton valë drite në të gjitha drejtimet e botës. “Tani të gjitha mbushen me dritë, qielli dhe toka, dhe të nëndheshmet”, psal Kisha jonë, dhe Shën Joan Damaskinoi plotëson: “Kjo ditë e shkëlqyer dhe dritëprurëse e së Dielës së shenjtë, në të cilën drita e pakrijuar trupërisht del jashtë varrit si dhëndër i bukur, me hijeshinë e Ngjalljes”
   1.Me Ngjalljen, mbarë krijesa përfton dritë të re. Honi i mëkatit, errësirat e padrejtësisë, të urrejtjes, të gënjeshtrës, të vdekjes zmbrapsen përpara triumfit të të Ngjallurit. Siç na thotë përmbledhtazi Liturgjia Hyjnore e Vasilit të Madh: “Krishti pasi u ngjall të tretën ditë dhe i çeli çdo trupi rrugën e ngjalljes prej së vdekurish, meqë nuk ishte e mundur të zotërohej prej prishjes, Kryetari i jetës u bë fillimi i të fjeturve, i paralinduri i të vdekurve, që të jetë Ai gjithçka, duke qenë i pari në të gjitha”. Këtë Ngjarje unikale kremtojmë ne sot.
   Jisu Krishti Vetë shpalli se “Jam drita e botës” (Joan. 9:5). Analogjia është shumë e qartë. Drita është ajo që zbulon dhe tregon larminë e mrekullueshme të ngjyrave të krijimit. Pa dritën, e tërë krijesa zhytet në errësirë të akullt, vdekjeprurëse. Pa të, nuk ka jetë. Drita e tërëbardhë e Krishtit, zbulon hijeshinë shpirtërore, bukurinë e gjithësisë  dhe ofron plotësi jete, që shtrihet në përjetësi.
   Pasuria e re e dijeve tona në lidhje me dritën natyrore, “dritën e krijuar” (sipas terminologjisë theologjike), zgjeron akoma më tepër simbolikat dhe ndikimet e mahnitshme të dritës shpirtërore në botë. Në përgjithësi, drita natyrore është shumë familjare, por njëkohësisht e pakonceptueshme. Në mënyrë të ngjashme, Krishti i Ngjallur vazhdon të mbetet i njohur dhe familjar, por njëkohësisht është i pakonceptueshëm e i paafrueshëm sa i takon natyrës së Tij hyjnore. “Perëndia quhet dritë jo për nga esenca, por nga energjia e Tij” (Shën Grigor Pallamai).
   2.  “Ejani t’i falemi Atij që u ngjall së vdekurish dhe që i ndriçoi të gjitha”. Por nuk mjafton vetëm të kundrojmë në mënyrë dhoksologjike Krishtin e Ngjallur. Kisha këshillon secilin nga ne të marrë personalisht dritën e Ngjalljes. “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon”. Që të ndriçohen fytyrat dhe zemra tona, të cilat shpesh errësohen nga melankolia dhe dëshpërimi, gjithnjë me një kusht paraprak: Të këmbëngulim “në besim të themelosur dhe të patundur, duke mos luajtur nga shpresa e Ungjillit (Kol. 1:23). Sipas masës së pranueshmërisë së besimit, secili nga ne thith dhe shijon dritën paskale jetëprurëse.
   “Sa më shumë që përparojmë drejt katharsit, pastrimit, aq më tepër  shikojmë Perëndinë dhe, sa më shumë që e kundrojmë, aq më tepër e duam Atë”, shpjegon Shën Joan Damaskinoi dhe “sa më shumë që ta duam, aq më tepër e kuptojmë. Ai na zbulohet dhe bëhet i prekshëm, ndërkohë që del pak jashtë”. 
   Le të shijojmë personalisht,  në thellësitë e shpirtit tonë, dritën e tërëbardhë shpirtërore. Pashka nuk kufizohet në të shkuarën: ajo është Ngjarje që pareshtur ripërtërin.
   3.“Ejani t’i falemi Atij që u ngjall së vdekurish dhe që i ndriçoi të gjitha”. Dhe në vijimësi, vëllezërit e mi, ashtu siç transmetojmë dritën paskale, le ta sjellim dritën e Tij te llambadhja e shuar e të afërmit tonë, në ambientin ku jetojmë ose më gjerë, në atë të afërm e shoqëror. Dhe për më tepër, le të kontribuojmë në detyrimin e Kishës që të transmetojë dritën ngjallësore në skajet e dheut më të harruar, aty ku janë bërë më tepër padrejtësi. Si dhe në banesat luksoze të ndriçuara fort, me dritë artificiale, atje ku banorët e tyre jetojnë honin e vetmisë personale, të ndasisë dhe zbrazëtisë së brendshme, të zhytur në natën sterrë të pasioneve të pathëna me gojë.   
   Krishti këmbënguli që, të gjithë ata që qëndrojnë në Atë, nxënësit e Tij të vërtetë, duhet të bëhen “dritë e botës” (Matth.5:14). Shkëlqimi i dritës shpirtërore nuk lidhet me gjendje ekstaze (të tipit neoplatonik, induist apo budist), por me vepra konkrete dashurie. “Kështu le të shndrisë drita juaj përpara njerëzve, që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atin tuaj në qiej” (Matth.5:16).  Çdo besimtar-veçanërisht në epoka kritike, si kjo e sotmja- ka detyrimin të shprehë besimin e tij me vepra dashurie ndaj të gjithëve pa bërë dallim, veçanërisht ndaj atyre që vuajnë nga varfëria, dhimbja dhe dëshpërimi. Drita e tërëndritshme e Ngjalljes ka zgjuar ndërgjegjet e shpirtrave fisnikë në gjatësi dhe gjerësi të ndryshme të dheut, në vazhdën e historisë, për t’u përpjekur me forcë për lirinë, të vërtetën, pajtimin, dinjitetin e njerëzve që iu janë bërë padrejtësi.
   E bardha e dritës së natyrshme zbërthehet, siç dihet, në spektër ngjyrash të ndryshme. Dhe drita e tërëbardhë e Krishtit të Ngjallur shkrihet në ngjyrime të larmishme në jetë. Këtë dritë pra, ftohemi ta rrezatojmë në shoqërinë tonë:
   Dritë paqeje me veten tonë, me ata që ndodhen përreth, me tërë botën.
   Dritë drejtësie, duke u përpjekur për një shoqëri të drejtë në nivel lokal dhe mbarëbotëror.
   Dritë të vërtetë në hulumtimin e historisë, në analizën e realitetit social.
   Dritë fryme krijuese, që inkurajon mendimin origjinal në shkencë, art dhe në kulturë.
   Dritë shprese për pajtimin e njerëzve dhe të popujve.
   Dritë dashurie, siç e përcaktoi Krishti dhe siç e përjetuan ata që e pasuan me konsekuencë.
   Dritë nga drita paskale që nuk perëndon, që zbulon kapërcimin final të mëkatit dhe të vdekjes me fuqinë e Kryqit dhe të Ngjalljes së Krishtit.
*        *
   Kjo dritë paskale e tërëbardhë, me të gjitha ngjyrimet e saj, le të na zgjojë gjatë gjithë periudhës së sivjetshme paskale dhe le të udhëheqë, besimtarë dhe besëpakë, në një përpjekje të re, për më shumë mirëkuptim të ndërsjellë, pajtim, vëllazërim dhe ecuri krijuese.
   Uroj me gjithë zemër, të kremtojmë Pashkën me frymë përpjekjeje të ripërtërirë, për një shoqëri solidariteti dhe përgjegjësie të përbashkët. Krishti u Ngjall! - vëllezërit e mi. Kjo siguri le të ndriçojë qenien tonë me dritë të tërëbardhë shprese për të tashmen dhe të ardhmen, tonën, të vendit tonë, të mbarë botës.

   Me të gjithë dashurinë time më Krishtin,
+Anastasi