Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Monday, 23 June 2014

Kryepiskopi Anastas shenjtëroi kishën “Lindja e Krishtit”, Shkodër


 
   Për besimtarët orthodhoksë të Shkodrës dita e diel, 22 qershor 2014, ka qenë shumë e veçantë dhe e mbushur me përjetime shpirtërore. Në një atmosferë feste, Kryepiskopi Anastas bëri shenjtërimin e kishës së tyre, kushtuar Lindjes së Zotit tonë Jisu Krisht. Shërbesën e Shenjtërimit dhe Liturgjinë Hyjnore e kryesoi Fortlumturia e Tij ndihmuar nga Episkopi i Amantias Nathanaili, Episkopi i Bylisit Asti dhe klerikë të tjerë. Që herët në mëngjes sheshi i kishës ishte mbushur me besimtarë që pritnin ardhjen e Kryepiskopit. Ata donin të shprehnin jo vetëm gëzimin për këtë ditë të shënuar për komunitetin e tyre relativisht të vogël, por me histori të lashtë, por edhe falënderimin ndaj Fortlumturisë së Tij për kujdesin që ka treguar që në ditët e para për qytetin e tyre. Që në fillim të shërbesave nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Arqipeshkëvi i Shkodrës, Mons. Angelo Masafra, njëkohësihst Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Në Liturgjinë Hyjnore nderuan gjithashtu me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i Bashkisë, z. Lorenc Luka; Prefekti, z. Pjerin Radovani; deputetët Agron Çela, Voltana Ademi, Tom Doshi, Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku etj.
   Shërbesa filloi me litaninë me lipsanet e martirëve rreth kishës, ku morën pjesë të gjithë besimtarët të udhëhequr nga kori bizantin “Joan Kukuzeli”. Pas vendosjes së lipsaneve në Tryezën e shenjtë, filloi Liturgjia Hyjnore. Në fund të saj Kryepiskopi iu drejtua të pranishmeve, ku ndër të tjera tha:
   “Kujtoj herën e parë kur erdha këtu në këtë qytet, në vitin 1991. Shumë nga të pranishmit këtu sot ende nuk kishin lindur. Ishte koha kur persekutimi ishte ende aq shumë i ndjeshëm, saqë ishte e pamundur që ne të gjenim se ku kishte qenë dikur kisha në këtë qytet. Dhe në vitet që pasuan nuk patëm mundësinë që të kishim kishën tonë dhe duhej të merrnim me qira një sallë kinemaje, ku të kryenim Liturgjinë Hyjnore. U bënë shumë përpjekje që të na rikthehej vendi ku më parë ngrihej kisha orthodhokse e qytetit… u bënë edhe protesta e hapa të tjerë, por përsëri ishte e pamundur të na jepej ajo që ishte e drejta jonë. Në fund vendosëm të lusnim miq për të mbledhur fonde për të blerë një truall. Dhe e blemë këtë truall ku ndodhemi tani dhe ndërtuam një kishë... 
   Por gjithmonë kemi qenë pranë vëllezërve tanë të tjerë, dhe kemi këmbëngulur gjatë këtyre viteve në bashkëjetesën paqësore të të gjitha komuniteteve fetare këtu në Shqipëri. Besoj në mënyrë absolute në këtë bashkëjetese. Është një dhuratë e veçantë e Perëndisë që me anë të Hirit të Tij e shijojmë këtë gjë. Dhe sigurisht, çdo vend adhurimi, ashtu si në lutjen që përmendëm, është një port, një liman, për ata persona që ndodhen në rrugëtim mjaft të vështirë, është vend ku shërohen shpirtrat, është strehë për të gjithë ata që kanë nevojë dhe kërkojnë të gjejnë strehë dhe ngushëllim tek Perëndia. Jemi të sigurt, që dhe ky vend i shenjtë këtu në Shkodër do të kthehet në një vend ngushëllimi, në një vend shprese, në një vend lutjeje, në një vend të ripërtëritjes shpirtërore të njeriut, vend pajtimi, vëllazërimi, që do të kultivojë këto marrëdhënie midis njerëzve, familjeve...
   Kjo ditë e sotme e përurimit dhe shenjtërimit të këtij vendi të shenjtë, nuk është thjesht një festë panegjirike, që lidhet vetëm me komunitetin tonë, por është edhe një ftesë që i bëhet gjithsecilit prej nesh. Një ftesë për t’u ripërtërirë shpirtërisht, ftesë për të gjetur akoma dhe më tepër Perëndinë, që të vazhdojmë të jetojmë me shumë korrektesë sipas vullnetit që Ai ka për ne, që të kapërcejmë egon tonë të vogël dhe të hapeni ndaj shoqërisë me shumë dashuri dhe respekt ndaj saj. 
   ...Të shumtë janë ata që flasin sot për shpresën e  dashurinë, por nga kush do të marrim forcë që t’i kemi. Gjeja më e keqe që ndodhi gjatë viteve të persekucionit nuk ishte se shkatërruan kishat dhe u përpoqën të ndalonin çdo formë të adhurimit hyjnor, por se shkatërruan besimin brenda shpirtit të njerëzve. Dhe kur besimi shkatërrohet, çdo gjë është e mundshme. Siç thoshte Dostojevski, “nëse nuk ka Perëndi të gjitha janë të lejueshme…”. Dhe jetuam këtë tragjedi, ku lejoheshin të gjitha; hakmarrja, e keqja, shpagimi ndaj tjetrit. Por edhe në ditët tona, edhe sot, ka një përndjekje të fshehtë ndaj besimit. Jo në mënyrë zyrtare, por ende nomenklatura e vjetër nuk i ka harruar ato çfarë ka bërë, dhe përsëri përpiqen të vënë pikëpyetje në mes....
   Me këtë rast, të shenjtërimit të kësaj kishe, dua të falënderoj me të gjithë zemrën time, të gjithë autoritetet e qytetit që ndodhen sot këtu, sepse ecin përpara pikërisht me këtë vizion, që ky qytet të jetë një qytet i dashurisë, bukurisë dhe i së vërtetës. Dua të falënderoj veçanërisht Arqipeshkvin Masafra, bashkëpunëtorët e mi, vëllezërit e komuniteteve të tjera fetare këtu në Shkodër, sepse bëhet fjalë për një bashkëpunim të mirë midis nesh. Nuk kemi vetëm tolerancë mes njëri-tjetrit, por është një bashkëpunim vëllazëror....
   Shpresojmë, dhe kjo është lutja që ne u japim, se shumë shpejt Shqipëria  do të jetë brenda Bashkimit Evropian, sepse esencialisht, dhe nga pikëpamja e kulturës, ajo tashmë është pjesë e kësaj Evrope. Shpresojmë edhe që Perëndia ruan për brezin e ri një epokë tjetër, në të cilën duhet të japim çdo gjë më të mirë që kemi nga tradita e jonë.”
   Më pas e mori fjalën famullitari i kësaj enorie, nga një familje e vjetër shkodrane, atë Aleksandër Petani, një nga klerikët e brezit të parë që dorëzoi Kryepiskopi Anastas, i cili e ka vazhduar këtë traditë në familjen e tij, ku është bërë prift edhe i biri, atë Nikolla. Ai shprehu falënderimin e thellë për gjithë kujdesin që Kryepiskopi ka treguar për qytetin e Shkodrës, jo vetëm në drejtimin baritor, me ndërtimin e kishës, por edhe për kontributin e Fortlumturisë së Tij për fëmijët (me dy kopshte fëmijësh), për rininë, për të shpërngulurit nga Kosova në vitin 1999, për familjet e ngujuara, për  të përmbyturit, për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës etj.
   Pastaj një grup fëmijësh me veshje popullore të qytetit të Shkodrës i dhuruan tufa me lule Kryepiskopit, lule të cilat ai ua ndau në shenjë mirënjohjeje miqve që kishin nderuar me praninë e tyre në këtë ditë të shënuar.
   Pas Shenjtërimit dhe Meshës, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, si dhe besimtarë të shumë orthodhoksë, morën pjesë në një koktej të shtruar me këtë rast, ofruar nga deputeti i LSI Agron Çela, në mjediset e Grand Hotel Evropa.
Thoma Dhima

Foto nga Aleksandra Ritsi, Thoma Dhima, ATSH.