Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 6 December 2014

Kronikë - Vizitë e Papa Franceskut në Patriarkanën Ekumenike të Konstandinopojës


   Në kuadrin e vizitës së parë në Turqi të Papës Francesku, pjesë tepër e rëndësishme ishin takimet me Patriarkun Eumenik Vartholomeu.  Patriarku i shprehu mirëseardhjen Papës së pari në aeroportin e Stambollit, më 29 nëntor. Më pas, Patriarku Ekumenik mori pjesë në Meshën e celebruar nga Papa Francesku në katedralen katolike “Shpirti i Shenjtë”.
 
   Po në datë 29, Papa Francesku u prit në Fanar nga tingulli festiv i kambanave. Më pas ai u drejtua për në kishën patriarkale të “Shën Gjergjit”, ku u prit me një Dhoksologji dhe shkëmbyen dhuratat me Patriarkun Ekumenik. Më pas, dy kryehierarkët  patën një bisedë kokë më kokë dhe pastaj Patriarku Ekumenik e prezantoi Papën me anëtarët e Sinodit të Shenjtë.
 
   Të nësërmen, 30 nëntor, Papa Francesku u prit përsëri me shumë ngrohtësi në Patriarkanën Ekumenike, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore të së kremtes së Apostull Andreas, shenjtori mbrojtës i Kishës së Konstandinopojës. Gjatë shërbesës, Papa dhe Patriarku Ekumenik shkëmbyen edhe puthjen e paqes, si simbol pajtimi dhe dashurie dhe Lutja Zotërore u lexua nga Papa Francesku në latinisht.
 
    Pas kremtimit, Papa Francesku dhe Patriarku Ekumenik nënshkruan një deklaratë të përbashkët, që i kushtonte rëndësi rrugës drejt bashkimit, ku përmendeshin edhe takimet e përparshme midis Kryebarinjve të të dy Kishave të Krishtera. Por, pjesa më e madhe iu kushtua gjendjes tragjike në Lindjen e mesme dhe vuajtjeve të të krishterëve atje, si dhe tek nevoja e ndalimit të konfliktit në Ukrainë. Një vend të rëndësishëm në deklaratë zuri edhe nevoja e një dialogu vëllazëror me Islamin.
 
    Pas vizitës dhe nënshkrimit të deklaratës, Patriarku Ekumenik e përcolli Papën Francesku në aeroportin e Stambollit.