Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Friday, 26 December 2014

Mesazhi i plotë i Mitropolitit të Korçës Hirësi +Joanit me rastin e Krishtlindjeve 2014!




Krishtlindje 2014


   “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe dhe mbi ata që banonin     në vendin e hijes së vdekjes doli një dritë.” Isaia 9:2
   Këtë varg të profetit Isaia përmend Shën Mateu në Ungjillin e tij për të treguar se ardhja e Krishtit në këtë botë dhe fillimi i shërbesës së tij shpëtimtare ishte përmbushja e kësaj profecie: Një dritë që ndriçon një popull që ecën në errësirë dhe një dritë që u jep atyre që banonin në vendin e hijes së vdekjes shpresë dhe shpëtim – Ky është mesazhi i Krishtlindjes.
I
   Me një popull që ecën mjegull dhe pa drejtim dhe me njerëz që banojnë në një mjerim shpirtëror e përshkruan profeti Isaia gjendjen e botës para ardhjes së Krishtit. Por çfarë do të thotë të ecësh në errësirë dhe të banosh në vendin e hijes së vdekjes? Do të thotë të jetosh pa praninë e Zotit, në një errësirë shpirtërore dhe në verbëri. Të banosh në vendin e hijes së vdekjes do të thotë të banosh në dëshpërim, në ankth, në frikë dhe në trishtim, të banosh në një jetë të gjymtuar, një jetë pa shpresë dhe pa gëzim. Një jetë e tillë, pa praninë e dritës hyjnore, nën tiraninë e frikës dhe dëshpërimit e vetmon individin dhe e deformon natyrën e tij, duke rrezikuar vetë njerishmërinë e tij, sepse njeriu është krijuar si një qenie komunitare dhe për një jetë plot me shpresë dhe me gëzim. Të ecësh në errësirë dhe të banosh në vendin e hijes së vdekjes do të thotë të ecësh në humbje dhe në kotësi, në një jetë pa qëllim dhe pa një destinacion përfundimtar. Pa dritën shpirtërore bota zhytet në terr dhe zemra e njeriut mbushet me frikë e dëshpërim, me indiferentizëm dhe plogështi, ose me cinizëm dhe urrejtje, duke e bërë botën një vend vuajtje, dëshpërimi, grindjesh e luftërash dhe një vend të vështirë për të jetuar.
   Por Ungjillori na jep shpresë dhe kurajo, duke na shpallur se populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe. Krishti erdhi si dritë në këtë botë, duke shpërndarë errësirën dhe duke larguar hijen e vdekjes. Nëse Krishti nuk do të kishte ardhur bota do të ishte akoma në errësirë dhe banorët e saj do banonin në vendin e hijes së vdekjes. Ishte Drita që lindi në Betlehem ajo që i dha botës sonë plotësinë e jetës dhe hoqi nga zemrat e njerëzve frikën dhe pasigurinë. Krishti është drita e kësaj bote dhe dhurata më e madhe që i është bërë njerëzve në tërë historinë e krijimit. Prandaj, çdo vit, në këtë festim të madh lavdërojmë Lindjen e Krishtit, se Perëndia zbriti dhe u bë si njëri nga ne, që ne të ngrihemi lart tek Ai. E shpallim me ngazëllim dhe me brohori këtë lajm të mrekullueshëm, sepse ky lajm është shpresa jonë, ky është ngushëllimi ynë, ky është gëzimi ynë dhe drita e jetës sonë. 
II
“Derisa të jem në botë, jam drita e botës”(Jn. 9:5), thotë Zoti. Duke komentuar këto fjalë një peshkop i shenjtë shkruan: “Derisa Ai është në shpirtin e njeriut, Ai është drita e atij njeriu. Derisa Ai është në një popull, Ai është drita e atij populli. Derisa Ai është në një shkollë, Ai është drita e asaj shkolle. Derisa Ai është në një punëtori, Ai është drita e punës dhe punëtorëve. Çdo vend, prej të cilit Ai largon praninë e Tij, ai vend pushtohet nga një errësirë e plotë: shpirti njerëzor pa Atë bëhet një ferr; një popull pa Atë bëhet një lukuni e uritur ujqish grabitqarë; një shkollë pa Atë bëhet një fabrikë e helmuar marrëzie; një punëtori pa Atë bëhet një vend grindjesh e urrejtje. Dhe mendo pastaj për spitalet dhe burgjet pa Atë – ato bëhen shpella të errëta dëshpërimi! Me të vërtetë, kushdo që mendon për ditët e jetës së tij pa Krishtin, ky njeri ka në vetvete një dëshmi për të vërtetën e këtyre fjalëve të Zotit:  Derisa të jem në botë, jam drita e botës.

Të dashur vëllezër e motra! Sot, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit, sepse jetojmë në një kohë errësire shpirtërore dhe në një kohë çoroditje, ku njeriu po e humbet qëllimin e ekzistencës dhe jeta po mbushet me kotësi. Dhe sa më e madhe të jetë errësira, aq më e madhe është nevoja për dritën, sado e vogël qoftë ajo; sa më e madhe të jetë çoroditja aq më shumë kemi nevojë për kthjellim dhe kuptim. Për dritën dhe praninë e Zotit kemi nevojë të gjithë. Por sidomos kanë nevojë të varfërit dhe të dëshpëruarit; të sëmurët, të dobëtit dhe të vetmuarit; kanë nevojë njerëzit që ndodhën në fatkeqësi, në konflikte dhe në luftëra.
 Le ta ndezim pra këtë dritë në zemrat tona dhe le ta përhapim atë kudo ku ka errësirë. Le të shkojmë tek të varfërit dhe tek nevojtarët dhe ti ndihmojmë në nevojat e tyre. Le të shkojmë pranë njerëzve në fatkeqësi, pranë atyre që janë të sëmurë dhe të vetmuar dhe tu japim ngushëllim. Kudo ku ka urrejtje të përhapim dashuri dhe ku ka konflikte të përhapim paqe. Le ta ndriçojmë udhëtimin e jetës sonë tonë me këtë dritë dhe le të dëshmojmë për dritën e Betlehemit tek të gjithë njerëzit. Le t’i lajmërojmë të gjithë se Zoti lindi, se Zoti është me ne, se në errësirën e jetës sonë erdhi një dritë e madhe dhe se prania e kësaj drite ka fuqi të largojë çdo dëshpërim, pasiguri dhe frikë, dhe t’i japë zemrave tona dritë dhe shpresë.
Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!

Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës
                                         

+ Joani