Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Saturday, 25 July 2015

Për Shumë Vjet o Kryezot! 17 vjet nga Fronëzimi i Hirësi Joanit në Fronin e Mitropolitit të Korçës!

Joanit fort të Hirëshmit dhe Perëndizgjedhurit Mitropolit të Mitropolisë fort të Shenjtë të Korçës, Pogradecit, Kolonjës , Devollit dhe Voskopojës, Atit dhe Kryebariut tonë të shumta i qofshin vjetët.

Me hijeshi dhe me shumë gëzim besimtarët orthodhoksë të Korçës kremtuan festën e Shën Anës por dhe 17 vjetorin nga Dita e Bekuar e Fronëzimit të Imzot Joanit në Fronin e Mitropolisë së Shenjtë të Korçës. Të dy festat u kremtuan gjatë një Liturgjie Hyjnore (monoklisi) që u mbajt në Kishën e Burimit Jetëdhënës.
Në këto 17 vjet Imzot Joani si Kryebari dhe Kryeprift sipas tipit të Krishtit u kujdes dhe kujdeset ashtu si vetë Krishti tregoi dhe porositi. Gjithmonë i palodhur për të gjithë. Zyra e tij në Mitropolinë e Shenjtë pret dhe përcjell njerëz pa fund, trajton çështje nga të gjitha llojet, si ato të përditëshmet ashtu dhe ato më të rëndësishmet siç janë shpirtëroret. Shëmbëllen kudo dashurinë që duhet të kemi të gjithë për të gjithë duke e parë dhe trajtuar çdo njeri si unikal e të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit. I duruar i mirëkuptuar me mëkatet dhe gabimet tona na mbështet sa herë që ne biem dhe na këshillon për shërimin tonë. Na udhëzon me mençuri drejt mençurisë drejt formimit të plotë duke na orjentuar drejt më të lartave dhe përfitimit të parajsës që është dhe qëllimi i çdo besimtari. Nuk ndalon së këshilluari dhe së ndriçuari me predikimet e tij të mrekullueshme dhe kaq shumë konstruktive për jetën tonë shpirtërore. Na tregon me shembullin e tij dashurinë, besimin, shpresën, bamirësinë, thjeshtësinë, urtësinë, durimin, sakrificën, përulësinë  e shumë virtyte të tjera duke na i bërë të qartë se si duket dikush që ndjek, praktikon jetën e Krishtit ashtu si vetë dhe Ai na i tregoi.
Jo vetëm për Korçën por dhe për gjithë Shqipërinë ai përbën një shembull unikal i një të krishteri të vërtetë i cili reflekton me dashurinë kundrejt të gjithëve e cila është vetë thelbi e një patriotizmi të vërtetë që kaq shumë sot e kërkojnë në vende dhe mënyra të gabuara.
Ne besimtarët orthodhoksë Korçarë jemi të bekuar që kemi pranë për 17 vjet Hirësi Joani si Kryebari. Ai  ka ndryshuar jetën tonë në të gjitha aspektet për mirë. Të gjithë ne kemi nevojë ta kemi pranë për këtë arsye e shumë të tjera që nuk nxënë në shumë faqe,  lutemi fort dhe urojmë që Zoti të na i falë për Shumë Vjet ti falë atij bekime pa fund, ndriçim dhe shendet që të qëndrojë dhe të na udhëzojë drejt rrugës së vërtetë nga Froni i Mitropolitit të Shenjtë të Korçës sa më tepër të jetë e mundur.

Për Shumë Vjet o Kryezot!


Amin