Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Wednesday, 9 September 2015

Fjala përshëndetëse e Kryepiskopit Anastas në ceremoninë e mbylljes të takimit ndërkombëtar


"PAQJA ËSHTË GJITHMONË E MUNDSHME"
Lutja - Përshëndetjet e fundit
Anastasi, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Primati i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Në përpjekjen për paqe secili nga ne udhëhiqet sipas traditës përkatëse fetare dhe për këtë marrim frymëzim e fuqi prej besimit tonë personal. Veçanërisht tek ata që ndjekin fetë monoteiste, mbizotëron siguria se paqja është dhuratë e Perëndisë.
Për këtë arsye, ne lutemi në mënyrë të përsëritur për paqen që vjen që lartazi, gjatë pjesës më të madhe të lutjeve tona. Ky mbetet fokusi ynë primar, e në radhë të dytë vjen detyrimi ynë për të punuar për paqen, me respekt për çdo person njerëzor, pavarësisht bindjeve të tij politike, fetare ose të llojeve të tjera.
Le të falënderojmë Perëndinë që gjatë referateve, diskutimeve dhe përfundimeve të përgjithshme të Takimit tonë Ndërkombëtar për Paqen, arritëm të fitojmë një kuptim më të thellë të temës sonë “Paqja është gjithmonë e mundshme” dhe madje të frymëzohemi për të vazhduar me entuziazëm më të madh që të jemi punonjës të paqes; me sigurinë se “lum ata që bëjnë paqe, sepse ata do të quhen bij Perëndie” (Mtth. 5:9).
• Le t’i lutemi Zotit që “dashuria dhe e vërteta do të takohen, paqja dhe drejtësia do të puthin njëra - tjetrën” (Psalm 85:10);
• Le t’i kërkojmë Zotit të na ndihmojë të kuptojmë më thellë, se e kundërta e paqes është egocentrizmi: individual, kolektiv, etnik, racor, se antidoti për të kapërcyer egocentrizmin është fuqizimi i dashurisë.
• Që mesazhi ynë kryesor të jetë gjithnjë se Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashurinë, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në atë. (1Jn.4:16).
Përpjekja për paqe, për paqen thellë përbrenda nesh, me ambientin, me komunitetin tonë, me mbarë planetin, është detyrimi që ka çdo qenie njerëzore. Në shekullin e 21-të, kjo duhet të kthehet në preokupimin tonë kryesor, me sigurinë se Perëndia është paqe. Perëndia është gjithmonë me paqebërësit dhe na frymëzon e mbështet në përpjekjet dhe mundimet tona.