Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Thursday, 24 March 2016

“E keqja diskrediton veten!” nga Miron Çako



Nga Miron Çako
“E keqja diskrediton veten!”
Të dashur miq, vëllezër dhe motra më Krishtin! 
Nëpërmjet këtij informacioni me shkrim, zë dhe figure, që unë po e paraqes me anëtë këtij postimi, keni mundësi të dalloni opinionin dhe shqetësimin diametralisht të kundërt nga njëra anë që ka shprehur publikisht Kisha dhe besimtarët orthodhoksë në Shqipëri, të udhëhequr nga Fortlumturia Kryepiskopi Anastas, së bashku me Sinodin e Shenjtë në Asamblenë Kleriko-Laike të mbajtur në manastirin e ri të shën Vlashit, datë 11-12 mars dhe nga ana tjetër opinionin dhe shqetësimin e pseudopriftit dhe uzurpatorit të Kishës së shën Marisë, Kala, përfaqësuesit të vetshpallur të “Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare” shën Mari, Elbasan për përdorimin e ambienteve të brendshme të Kishave orthodhokse të Elbasanit dhe Beratit, monumente kulture, si pasarelë mode nga modele të veshura me fustane nusërie nga salloni i bukurisë “Frida Xhoi & Xhei”(siç ju jeni në dijeni dhe mund ta shikoni në këtë link: https://www.google.al/search…)

Ky pozim i këtyre modeleve me karakter reklame është bërë pa dijeninë dhe lejen e Kishës Orthodhokse që ka një marrëveshje me shtetin që nga viti 2009 ku neni 23/2 thotë: Shteti mund të marrë në përdorim një objekt kulti vetëm për nevoja dhe interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Opinioni dhe shqetësimi i Kishës Orthodhokse është i shprehur në këtë deklaratë publike: Fotografitë që tregojnë vajza të reja, teksa reklamojnë fustane nusërie sipër fronit dhespotik, para Derës së Bukur dhe ikonave të ikonostasit, konkretisht në kishat historike Orthodhokse të Beratit dhe Elbasanit, janë një ofendim i madh ndaj Kishës Orthodhokse. Kjo ngjarje është një sakrilegj i dukshëm dhe fyerje e ndjenjës fetare. Sigurisht që ky fakt nuk ndihmon harmoninë fetare për të cilën mburret vendi ynë. Rikujtojmë se veprime të tilla fyese të përsëritura nuk “promovojnë” trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Vlen për t’u theksuar fakti se sakrilegje të tilla nuk janë bërë në asnjë objekt kulti të ndonjë komuniteti tjetër fetar të Shqipërisë. Protestojmë, pasi organet shtetërore, të cilat mbajnë ende në zotërim vendet dhe objektet e shenjta pas njëzet e pesë vitesh demokraci në vend, japin leje që përdhosin të shenjtat dhe të hirshmet e Kishës Orthodhokse.
Kjo pasarelë mode, u krye brenda ambientit të kishës shën Mari Kala, me aprovimin e Nikolla Markut, i cili jo vetëm që nga viti 1995, e ka uzurpuar kishën me forcë, por ka ndërhyrë arbitrarisht, në këtë monument kulture, duke lyer me gëlqere muret e kishës, të cilat kanë qenë të pikturuara me afreske të vjetra dhe ka zhdukur ikonat origjinale nga ikonostasi dhe këto nën hundën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, që mbron monumentet nga ndërhyrjet arbitrare dhe Shtetit ligjor, që mbron pronën dhe dënon grabitësit. Këto mund t’i dalloni shumë qartë në këtë video ku ai shpreh opinionin e tij publikisht për pozimin e këtyre modeleve. (intervista e plote mund ta gjeni ne linkun: https://www.youtube.com/watch?v=BP0zGSmngdA