Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

 

Thursday, 28 March 2013

Kreshma e Μadhe



Duke folur për kreshmën mund themi se kryesisht qëllimi i saj është për të kapërcyer rënien. Përmbajtja e saj është një çështje reale në udhëtimin që sapo filloi. Shpesh me zakonet tona kreshma merr një kuptim folklorik dhe kthehet në një dok. Ndërsa Kisha i jep një rëndësi të veçantë dhe e ndan gjithë vitin në periudha kreshmimi. Gjithë diskutimet e viteve te fundit kanë pasur si rezultat ditët e kreshmës dhe përmbajtien e saj. Vetë kreshma e së Mërkurës dhe e së Premtes vjen që në shekujt e parë. Kisha tha se në këto dy ditë të javës duhet të kreshmohej. Por a do të jetë korrekte që unë të kreshmoj dy ditë të tjera të javës, për arsye se e kam të pamundur të kreshmoj të mërkurën dhe të premten. Në plan të parë kjo tingëllon e drejtë por po të mundohemi të hedhim një vështrim më në thellësi të gjërave do të shohim se jo më kot Kisha ka caktuar këto dy ditë. Sipas traditës të mërkurë u tradhëtua Zoti prej nxënësit të Tij, kurse të premten u ngjit në kalvar për t’u kryqëzuar. Megjithatë kjo është vetëm njëra pjesë e përgjigjes, pjesa e dytë konsiston në diçka më të thellë. Kisha dëshironte që të gjithë së bashku të ndodheshim në momentin e ardhjes së Krishtit. Pasi pritja e Krishtit është një ngjarje që ka të bëjë me të gjithë, kështu dhe Kisha do që të na mbledhë të gjithëve bashkë, sepse na ka thirrur të gjithëve për të na çuar në të njëjtën prespektivë, në atë të takimit me Perëndinë. Kur Kisha na fton të kreshmojmë të mërkutrën dhe të premten, e bën kreshmën një ngjarje të përgjithshme dhe na thërret të gjithëve, që në të njëjtin moment të bëjmë të njëjtën gjë. Kisha do të donte që ne të gjithë të jetonim sëbashku por duke qenëse një gjë e tillë nuk mund të ndodhë për shkak të rënies sonë, përandaj edhe ndau vitin kishtar në ditët që kreshmojmë dhe që nuk kreshmojmë. Kështu marrim pjesë në një ngjarje të përgjithshme që është ngjarje Kishës. Ne e përballojmë shpëtimin tonë në mënyrë personale, ndërsa problemi i rënies është i përgjithshëm dhe kjo i takon gjithë gjinisë njerëzore. Prandaj Kisha dëshiron që në mënyrë të përgjithshme të kalojmë ngjarjen e rënies. Kështu nëse nuk do të doja të merrja pjesë në kreshmët e vendosura nga Kisha do të shprehja idenë time të kundërt me përpjekjen e Kishës për të na ftuar në mënyrë të përgjithshme drejt shpëtimit, prandaj do të ishte e gabuar zgjedhja e ditëve të tjera.

Brenda këtij shembulli shprehet përpjekja e madhe e Kishës për të caktuar pikërisht këto ditë për të kreshmuar të gjithë të krishterët, sepse donte që të gjithë të krishterët bashkë të bënin këtë përpjekje. Si rrjedhim, kreshma e madhe lidhet me përpjekjen tonë brenda saj, e cila është një ngjarje e përbashkët. Nuk është vetëm një problem personal i vlefshëm vetëm për secilin prej nesh, por të gjithë bashkë përpiqemi që të takojmë Perëndinë. Përgjithshmërisht është pjesë e jetës sonë në tërësi dhe jo pjesë e disa aspekteve të caktuara të saj.
Përsa i përket përmbajtjes së kreshmës lidhet me dy ngarje historike. E para i përket Dhiatës së Vjetër, ndërsa e dyta lidhet me Dhiatën e Re. Njëra i përket Adhamit dhe tjetra Krishtit. Etërit e Kishës donin të lidhnin ngjarjen e rënies, por edhe kalimin e saj me kreshmën.

Adhami humbi parajsën për shkak të ngrënies. Nga ana tjetër Krishti kur ngacmohet nga djalli mohon të hajë dhe fiton mbi vdekjen.
Në këtë koorelacion fillon themelimi i kreshmës. Adhami nga një gabim ose mos kuptim, hëngri nga pema dhe vdiq, ndërsa Krishti si erdhi në botë me synimin për të mundur vdekjen, shkon në shkretëtirë dhe kreshmon për dyzet ditë. Brenda kësaj kreshme dyzet ditëshe Krishti niset drejt Golgothasë që të mundë vdekjen. Ky është shkaku që ne ndjekim të njëjtën rrugë. Por duhet vënë re diçka për të kuptuar ekzaktësisht thelbin e kreshmës. Perëndia i tha Adhamit të mos hante nga fruti se do të vdiste . Por shohim se edhe ngacmimi ishte i kundërt, djalli i tha- të hante se do të jetonte. Po e njëjta ndjenjë lind shpeshherë edhe brenda nesh, duke menduar: “nëse mbajmë kreshmë lind mendimi se shkatërrojmë shëndetin dhe si rrjedhojë lind frika se do të vdesim”. Gjë e cila do të thotë se ngjarja e jetës u lidh me ushqimin. Pra mendimi, nëse nuk hamë do të vdesim, kështu edhe ngacmimi i djallit ndodh në këtë moment, gjë që do të thotë se ushqimi është i lidhur me jetën, por edhe me marrëdhënit tona me Perëndinë. Kur djalli i tha Evës të hante se do të jetonte i tha gënjeshtër dhe ajo e besoi. Po të njëjtën gënjeshtër i tha edhe Krishtit në shkretëtirë por Krishti nuk e besoi dhe i tha: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë”, sepse e dinte se nuk ishte ai, ushqimi i përditshëm i cili do të na bënte të jetonim ose jo, por jeta gjendej diku tjetër në marrëdhëniet e njeriut me Perëndinë. Përgjatë Kreshmës Kisha nuk na rekomandon të bëjmë grevë urie, por na këshillon se lidhja jonë me jetën gjendet në kërkim të Perëndisë. Tek shëmbulli i një fëmije që qan, i cili kërkon nënën dhe babanë e tij, në atë çast atij nuk mund t’i haet sepse qëllimi i tij i vetëm është të gjejë prindrit e tij. Mund të kalojnë një apo dy ditë dhe fëmija të mos hajë sepse urrija e brëndëshme e tij është për atin e tij. Nuk do të pijë megjithëse ka etje sepse etja e tij eshtë për të atin. Duket qartë se urrija dhe etja marrin përmbajtje tjetër pikërisht kjo është edhe përmbajtja e Kreshmës që ne mbajmë, e cila na fton që pandërprerje të kërkojmë Perëndinë.
 
Përandaj dhe periudha e kreshmës parashtron falje, lutje dhe lot. Nëse shohim një grua e cila sapo ka humbur bashkëshortin, menjëherë tek gruaja shfaqen elementë që vërtetojnë ato sa thamë. Nuk ka dëshirë të hajë, qan sepse humbi kontaktin me të dashurin e saj, fillon vajin i cili është një bashkëbisedim me trupin e tij të vdekur. Megjithëse është e ndërgjegjëshme se burri saj nuk është më i gjallë ajo ende vazhdon të flasë me të.
Pra Kisha na fton që të kemi ndjesinë se e humbëm Perëndinë, se si rezultat i rënies u rrëmbyem larg nga Ati ynë dhe e humbëm komunikimin me të, i cili jep gëzim. Humbëm kështu dashurinë e Tij, përkëdheljet, puthjet dhe fjalët e Tij të ëmbëla. Përandaj me lutjet tona i flasim Atit të cilin e kërkojmë dhe duam t’i afrohemi. Qajmë dhe vajtojmë sepse nuk e kemi pranë dhe kreshmojmë sepse i gjithë mendimi ynë ndodhet tek Ai. Ajo që duhet të jetë kryesorja është që të mos lejojmë pasjonet dhe dobësitë tona të përcaktojnë jetën dhe rrugën tonë dhe pasi ti kapërcejmë të ecim drejt takimit me personin që na mungon, i cili nuk është askush tjetër veçse Jisu Krishti i Νgjallur.

No comments:

Post a Comment