Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Monday, 18 March 2013

Leximet Isa.1:1-20 Gjen. 1:1-13 Fja.Urt. 1:1-20 Ungjilli Llk. 21 :8-36




Leximet Isa.1:1-20 Gjen. 1:1-13 Fja.Urt. 1:1-20
Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës; Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje. Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend". Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa. Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon. Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj. Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë. Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar. Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t'i ngjisnim Gomorrës. Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës! Ç'më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej. Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia? Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t'i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta. Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar. Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak. Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve. Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit; por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t'ju përpijë shpata", sepse goja e Zotit ka folur.
Gjen. 1:1-13
Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave. Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira. Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë. Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat". Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë. Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë. Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë. Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
Fja.Urt. 1:1-20
Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura; për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta. Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin. Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate, sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde. Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano, në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak; le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë; ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka; ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme"; biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak. Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;
Ungjilli Llk. 21 :8-36
Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; dhe se koha u afrua. Mos shkoni pra prapa atyre. Edhe kur të dëgjoni luftra e trazira, mos u frikësoni; sepse këto duhet të bëhen më parë; po nuk është menjëherë fundi. Atëherë u thoshte atyre: Do të ngrihet komb kundër kombi, dhe mbretëri kundër mbretërie, edhe do të bëhen tërmete të mëdha në vende të ndryshme, dhe zira e murtaja, dhe do të ketë gjëra të frikshme e shenja të mëdha prej qiellit. Po para gjithë këtyre do të vënë duart e tyre mbi ju, dhe do t’ju ndjekin e do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje, duke ju prurë përpara mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. Edhe kjo do t’ju jetë juve për dëshmi. Vini pra në zemrat tuaja këtë, të mos mendoheni më përpara me ç’fjalë të përgjigjeni, sepse unë do t’ju jap juve gojë e urtësi, së cilës nuk do të mund t’i kundërshtojnë, as t’i rrinë kundër gjithë armiqtë tuaj. Dhe do të dorëzoheni edhe prej prindërish e prej vëllezërish e prej njerëzish tuaj e prej miqsh; dhe do të vrasin disa prej jush. Edhe të gjithë do t’ju kenë smirë për emrin tim. Po asnjë qime prej kokës suaj s’ka për të humbur. Me durimin tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj. Edhe kur të shihni Jerusalemin të rrethuar prej ushtrive, atëherë dijeni se u afrua shkretimi i tij. Atëherë ata që të jenë në Jude, le të ikin nëpër male; dhe ata që të jenë brenda në të, le të dalin jashtë, dhe ata që të jenë në fshatra, le të mos hyjnë brenda në të. Sepse ditë shpagimi janë ato, që të përmbushen gjithë të shkruarat. Edhe mjerë ato gra që janë shtatzëna e që kanë foshnjë në gji në ato ditë sepse do të jetë shtrëngim i madh mbi dhe, edhe zemërim mbi këtë popull. Edhe do të bien prej goje thikash, dhe do të skllavërohen nëpër gjithë kombet; dhe Jerusalemi do të shkelet prej kombesh, deri sa të plotësohen kohët e kombeve. Edhe do të ketë shenja në diell e në hënë e në yjet; dhe mbi tokë shtrëngim kombesh që nuk dinë ç’do të bëhen; dhe do të buçasë deti dhe valët. Njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga pritja e të këqijave që po vijnë mbi botë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden. Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi e me lavdi të madhe. Edhe kur të nisin të bëhen këto, shikoni lart dhe ngrini kryet tuaj; sepse po afrohet shpërblimi juaj. Edhe u tha atyre një paravoli: Shihni drurin e fikut dhe gjithë drurët; tanimë kur të çelen, duke parë vetë ju merrni vesh se tani vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë. Edhe vini re veten tuaj se mos u rëndohen zemrat prej dehjes e prej pirjes e prej kujdesjeve të jetës, e të vijë përmbi ju papandehur ajo ditë. Sepse si lak do të vijë përmbi të gjithë ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut. Rrini zgjuar pra duke u lutur në çdo kohë, që të bëheni të zotët të shpëtoni nga gjithë këto që do të bëhen, dhe të rrini përpara të Birit të njeriut.

No comments:

Post a Comment