Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Wednesday, 10 April 2013

Hieromartiri i shenjtë Grigori V, patriark i Konstandinopojës

Lindur në vitin 1745 në gjirin e një familjeje të varfër nga Dimicane në Peloponez, shën Grigori mori mësimet e tij të para nga xhaxhai i tij, i cili ishte murg dhe më pas shkoi të jetonte me të në Smirnë. U bë murg në një manastir në ishullin e Strofadhës, dhe përfundoi studimet e tij teologjike në Patmos. Në rikthimin e tij në Smirnë, mitropoliti Prokop, i cili tregoi për të një dashuri prindërore, e bëri kryedhjakon dhe më pas e dorëzoi atë në gradën priftërore. Kur Prokopi u zgjodh patriark në 1788, ai e dorëzoi Grigorin si pasuesin e tij.
    Për 12 vjet, hierarku i shenjtë, udhëhoqi qytetin e madh dhe të begatë të Smirnës, kryeqendrën e kulturës greke në Azinë e Vogël, me urtësi dhe zell apostolik. Ai rindërtoi disa kisha, ndërtoi shkolla dhe organizoi një sistem bamirësie për shtresën e varfër. Në 1797, ai u zgjodh patriark ekumenik dhe menjëherë mori përsipër të rrisë dinjitetin patriarkal në pallatin e rindërtuar të Fanarit. Ai ndërtoi një shtepi botuese ku botonte libra në gjuhën amtare, të cilat ndihmonin shumë në zgjimin e kulturës të popullit grek. Hierarku i shenjtë, tregohej vigjilent për zbatimet strikte të kanuneve kishtare dhe për ndershmërine morale të klerit. Në atë kohë të trazuar, kur grekët, të cilet ishin nën zgjedhën osmane pothuajse për katër shekuj, po përgatiteshin për një kryengritje dhe patriarku, i cili ishte i vetëdijshëm për përgjegjësitë e tij pastorale, u përpoq për të zbutur shpirtrat, ndërsa në fshehtësi ushqente ndjenjat kombëtare.
    Pas një viti e gjysmë, ai u denoncua tek sulltani nga disa episkopë të cilet ai i kishte qortuar për sjelljen e tyre. U internua në Kalqedoni dhe më pas në manastirin e Ivironit në Malin e Shenjtë. Gjatë qëndrimit të detyruar në Malin Athos, shenjtori vizitoi të gjitha manastiret, predikoi fjalën e Perëndisë, dhe ishte një model për jetën murgërore. Prej andej, ai i dha bekimin e tij shën Efthimit (22 mars) të shkonte dhe të martirizohej. Ai gjithashtu shprehu gëzim kur mori vesh për martirizimin e shën Agathangjelit (19 prill), duke treguar në këtë mënyrë se ai e konsideronte vdekjen për dashurinë e Krishtit si qëllimin suprem dhe kurorëzim për jetën e krishterë. Kur u rithirr në Patriarkanë në vitin 1806, ai u prit me entuziazëm nga të krishterët e Kostandinopojës dhe me përkushtim nisi punën e tij baritore dhe rritjen e standarteve morale të klerit. Por në vitin 1808, një grusht shteti solli në pushtet sulltan Mehmetin II-të.
    Ai e detyroi Grigorin të largohej për në ishullin e Prinkipos dhe përsëri në Malin Athos. Atje ai vazhdoi studimet e tij patristike dhe jetën asketike, duke ruajtur kontaktet me drejtuesit e kishës dhe besimtarët. Në vitin 1818, ai pati kontakte ngë anëtarë e "shoqërisë vëllazërore", një shoqatë sekrete që po përgatitej për revolucionin, duke u përpjekur të bashkonte dhe të koordinonte forcat e shpërndara. Grigori tregoi përkrahjen e tij për kauzën e lirisë me entuziazëm, por duke parë se koha nuk kishte ardhur ende, ai i këshilloi të bënin durim. Pak kohë më vonë ai u rithirr për të tretën herë në fronin ekumenik dhe rinisi veprimtarinë e tij, duke u interesuar për ndërtimin e shkollave. Ai ngriti një fond të veçante me të ardhurat e grekëve të pasur për të ndihmuar të krishterët në nevojë.
Kryengritja e grekëve nisi më 1 shkurt të vitit 1821 në Konstandinopojë dhe në qendrat e mëdha të perandorisë turke. Turqit masakruan shumë njerëz të shquar, të cilët kishin lidhje me kryengritjen dhe arrestuan katër episkopë. Kur qeveria urdhëroi që të gjitha familjet e shquara greke të Konstandinopojës të mbidheshin në Fanar, patriarku, me shpresën për të shmangur ndonjë masakër, e bëri veten përgjegjës për alencë me Portën e lartë. Sultani, i pakënaqur me këtë deklaratë e detyroi shën Grigorin të ç’kishëronte udhëheqësin e kryengritjes Aleksandër Ipsilantess si dhe bashkëpunëtorët e tij.
    Në 31 mars, nisi një revoltë e përgjithshme në Peloponez dhe tri ditë më vonë, të Hënën e Javës së Madhe, përfaqësuesi i komunitetit grek në në oborrin e sulltanit, u ekzekutua së bashku me disa qytetarë të tjerë. Patriarku, duke parashikuar se çfarë fati e priste, refuzoi sugjerimet  që ai të largohej duke thënë: “Si mund ta braktis grigjën time? Në qoftë se unë jam patriark, unë duhet të ruaj popullin tim dhe jo t’i dorëzoj ata tek shpata e jeniçerëve. Vdekja ime është më e nevojshme se jeta ime, sepse nëpërmjet saj grekët do të frymëzohen për fitoren”.
    Ditën e Pashkës në 10 prill, shën Grigori celebroi Liturgjinë e Ngjalljes i qetë dhe me përkushtim të madh që ndërpritek vetëm nga lotët e tij. Në fund të meshës u konfirmua lajmi i revolucionit në Peloponez. Ai u shpreh: “U bëftë vullneti i Zotit. Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.”
    Disa orë më vonë, ata erdhën t’i njogtonin shkarkimin e tij dhe jeniçerët e çuan në burg duke mos marrë në konsideratë personalitetin e tij. Gjatë pyetjeve dhe torturave, ai ruante një qetësi të jashtëzakonshme që u prish kur ata e urdhëruan të mohonte besimin, por patriarku i shenjtë tha: “Patriarku i të krishterëve duhet të vdesë i krishterë”.
    Pas pak kohe, kur një pasardhës u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë, shën Grigorin e varën në Portën e Patriarkanës, e cila qëndron ende e mbyllur në kujtimin e këtij akti të shëmtuar. Në çastet e fundit të jetës së tij, shën Grigori ngriti duart drejt qiellit, i bekoi të krishterët, të cilët ishin të pranishëm dhe tha: “Zot Jisu Krisht, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”. Ndërsa turqit dhe judenjtë, hidhnin gurë mbi trupin e tij. E lanë të varuar për tri ditë, derisa judenjtë e blenë trupin, e hoqën zvarrë dhe e hodhën në det. Megjithëse ata i lidhën një gur të rëndë trupit, ai përsëri doli në sipërfaqe dhe u gjet nga një anije greke e cila e çoi në qytetin e Odesës.
    I nderuar nga turma e njerëzve atje, për shumë ditë lipsani i shenjtë nuk tregonte shenjë prishjeje.
    Në vitin 1871, me rastin e 50-vjetorit të revolucionit grek, lipsani i patriarkut të shenjtë u transferua në Athinë dhe u vendos në Katedralen Qëndrore të kryepytetit.