Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Wednesday, 12 June 2013

Panairi i Shën Joan Vladimirit bashkon edhe politikanët


    Panairi i Shën Joan Vladimirit në manastirin me të njëjtin emër në Elbasan në dt. 3-4 qershor 2013 mblodhi besimtarë orthodhoksë të moshave të ndryshme të ardhur nga fshatra e qytete të ndryshme të Shqipërisë, por dhe jashtë kufijve, nga Republika e Malit të Zi dhe një grupi studentësh të Teologjisë nga Sh.B.A. të udhëhequr nga atë Luka Veronis, i cili ka shërbyer për shumë vite si bashkëpunëtor në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Si çdo vit ishin të pranishëm edhe studentë e pedagogë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, drejtuar nga Episkopi i Apollonisë, Imzot Nikolla, të cilët ndihmuan në organizimin e këtij panairi. Morën pjesë edhe grupe të ndryshme organizuar nga Qendra Studentore, Zyra Katekizmit, Zyra e Lidhjes së Grave.
    Programi festiv filloi që pasditen e 3 qershorit, ku edhe qindra besimtarë pritën me nderim dhe besim të veçantë mbërritjen lipsaneve të shenjta të Shën Joan Vladimirit. Në vazhdim shumë prej tyre panë filmin dokumentar për Jetën dhe veprimtarinë e Akademisë Teologjike si dhe për jetën e Shën Joan Vladimirit të përgatitur nga Zyra e Katekizmit të Kryepiskopatës si dhe morën pjesë në agripninë dhe Liturgjinë hyjnore, përgjatë natës. Të nesërmen në mëngjes, vazhdoi përsëri dyndja e besimtarëve për të nderuar shenjtorin e tyre çudibërës, duke marrë pjesë në Liturgjinë hyjnore dhe procesionin (litaninë) e klerikëve me lipsanet e shenjtorit rreth kishës. Predikimin festiv e mbajti Atë Alkiviadh Kaliva (lindur në Bularat të Gjirokastrës), teolog i shquar orthodhoks dhe ish dekan i Fakultetit Teologjik “Kryqi i Nderuar” në Boston. Në fund lipsanet e shenjtorit u vendosën në një tendë pranë kishës për nderim nga të gjithë besimtarët pjesëmarrës.
    E veçanta e kësaj të kremteje ishte se bashkoi politikanët e kaheve të ndryshme, duke i ulur krahë njëri-tjetrit me klerikët dhe besimtarët. Erdhën për të nderuar Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini, i shoqëruar nga kreu i listës së deputetëve të Partisë Socialiste në qark z. Ben Blushi. Ata u pritën nga Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, që drejtoi shërbesat. Pak më pas, në dhomën e pritjes erdhën dhe Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, kreu i listës së Partisë Demokratike për qarkun dhe Luçiano Boçi, kandidat për deputet i kësaj partie në Elbasan. Ata i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, duke lënë mënjanë fushatën dhe ndasitë politike, duke iu bashkuar festës.
    Pas takimit, z. Ben Blushi u ndal duke uruar besimtarët orthodhoks për festën. Ai tha, se sot nuk është dita për të folur për politikë por për të uruar më shumë mbarësi njerëzve, mes komuniteteve, mes gjithë shqiptarëve. Edhe me bekimin e Zotit shpresojmë që të kemi një fushatë të qetë, një fushatë pa probleme. Po kështu edhe Arben Imami tha se në këtë ditë siç edhe e patë i kapërcyem ndasitë e vogla që duhen kapërcyer. Është një ditë kur ne duhet të mendojmë për paqen, për mirëkuptimin dhe një jetë gjithmonë e më të moralshme.
    Mesazhet e urimit nuk munguan as nga kreu i Bashkisë z. Sejdini, z. Boçi dhe kryetari i komunës së Bradasheshit z. Sabri Sollaku, me  mesazhe mirëkuptimi dhe mbarësie.
    Në fund uroi dhe falënderoi të pranishmit Hirësia Nikolla, i cili përveç urimeve për besimtarët u shpreh edhe për zgjedhjet e 23 qershorit: “Sot Kisha Orthodhokse feston një festë të një shenjtori shumë të madh, Shën Joan Vladimiri. Ne kujtojmë ditën e martirizimit të tij. Për ne dita e martirizimit është një ditë lindjeje sepse me martirizimin e tij fillon një jetë e re. Secili prej nesh është një qytetar i përgjegjshëm për vendin e tij, ka të drejtën e tij për të votuar për personin që mendon se do kontribuojë për vendin. Ne urojmë për një fushatë të paqëshme. Urojmë që ata persona që do të zgjedhë populli të jenë të denjë”.
    Në këtë të kremte merrnin pjesë edhe besimtarë të komuniteteve të tjera fetare, duke ndezur qirinj dhe duke u lutur Perëndisë dhe Shën Joanit për mbarësi.
    Me rastin e kësaj feste, e cila është shpallur disa vite më parë nga Komuna Bradashesh si “Ditë e mirëkuptimit dhe harmonisë”, u organizua po nga komuna një koncert festiv me artistët më në zë të muzikës dhe të skenës.