Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Saturday, 29 June 2013

Petro dhe Pavli, Apostujt e Shenjtë!

Petro, apostull 
Bir i Jonasë, Simoni ose Simeoni nga Vithsaida e Galilesë, peshkonte në liqen, kur Perëndinjeriu e ftoi së bashku me të vëllanë, Andrean (30 nëntor) në funksionin apostolik. Pastaj i ndërroi emrin duke e quajtur Kifa = Petri greqisht = gur. Ishte i martuar dhe përmendet si babai i shën Petroniles (31 maj) dhe bashkëshort i Marisë. Së bashku me apostujt Jakov (30 prill) dhe Joan (26 shtator) ishin tre nxënësit e da-shur të Zotit, që vetëm ata u gjendën në çaste të rëndësishme të Tij, si p.sh. tek Metamorfoza. Entuziast dhe i vrullshëm u bë korifeu i apostujve dhe mori pjesë aktive në të gjithë veprimtarinë trevjeçare të Krishtit, i cili e lumuroi, sepse ai e kuptoi dhe e pohoi si Birin e Perëndisë, por edhe e qortonte për ndryshimet e tij dikur e quajti satana! Petri edhe pse me vetëdashje kishte premtuar të kundërtën, e mohoi Shpëtimtarin para Pësimit të Tij, por falë pendimit të tij u rehabilitua prej Tij pas Ngjalljes. Gjatë Pentikostisë peshkatari i pashkollë, Petro, predikoi në atë mënyrë, saqë tri mijë vetë u ndriçuan dhe u pagëzuan! Shpesh kryente mrekullira të mëdha, madje dhe me hijen e vet! I zellshëm, prandaj dhe u quajt “shtyllë” e Kishës, pësoi shumë vuajtje. Dikur u lirua nga burgu prej një engjëlli dhe i ranë prangat nga duart, d.m.th. zinxhiri, që nuk dihet se kur u transferua në Konstandinopojë (kjo ngjarje kremtohet më 16 janar). Ai veproi edhe në Samaria, në Azinë e Vogël, Antioki dhe më parë në Qesari të Palestinës, ku sipas Vepr.10.1-11.18 ndodhën si më poshtë: Kryeqindëshi Kornil ishte një romak dashamirës dhe i dhembshur që kishte simpati për Judaizmin. Ai shërbente në Qesari, ku falë lutjeve dhe lëmoshave të tij një engjëll i sugjeroi që të sillte Petron nga qyteti i afërt Jopi.Të dërguarit e tij mbërrijnë pasi korifeu pa në vegim diçka të vështirë për t’u interpretuar, d.m.th. pa të zbresin nga qielli kafshë të pastra e të papastra, sipas Dhiatës së Vje-tër, ku tri herë u urdhërua për t’i ngrënë, edhe pse ai kundër-shtonte. Tani e kuptoi: Perëndia nuk i veçon izraelitët nga të tjerët, gjë e pakonceptueshme për izraelitët. Shkon pra, dhe si katekizon oficerin dhe njerëzit e shtëpisë së tij u jep atyre Shpirt të Shenjtë dhe ata pagëzohen të krishterë të parë ish idhujtarë. Besimtarët e Jerusalemit u çuditën nga novacioni, por Petro u rrëfeu sa kishte bërë dhe i qetësoi. Petri sipas traditës, u kryqëzua kokëposhtë (64-67 pas Kr.) në kohën e Neronit (54-68) në Romë dhe u varros aty ku sot lartësohet kisha e tij kryevepër. Në Letrën e tij të parë të përgjithshme të Dhiatës së Re ai nxit për një jetë të shenjtë dhe mbështet besimin. Letra tjetër i referohet për më tepër Ardhjes së Dytë dhe lufton pseudoprofetët.

Pavli, apostull 
Kolosi i Krishterimit, “I pari pas Njëshit”. U lind prej prindërve judenj të shquar e shpresëtarë në Tarso të Kilikisë (Azia e Vogël Juglindore) midis viteve 5 dhe 15 pas Krishtit. Kishte një motër, e cila kishte një djalë. Shën Pavli quhej Saul, Savlos (hebraisht = i kërkuar nga Perëndia), por u bë i njohur në perandorinë romake me emrin latin Pavli (= i vogël). Mësoi zanatin e bërjes së çadrave dhe thelloi dijet në kulturën greke, madje dhe në atë hebraike dhe u bë farise aq i zellshëm, saqë kur qe i ri, mori pjesë indirekt, në vrasjen me gurë të shën Stefanit (27 dhjetor), duke ruajtur rrobat e atyre që e qëllonin Stefanin me gurë. Më vonë ai e ndoqi tmerrësisht Kishën... Pikërisht, duke shkuar në ndjekjen e besimtarëve në Damask të Sirisë, në vitin 34, dëgjoi në një vizion verbues Zotin: “Përse më ndjek? Keq për ty është t’u biesh me shkelma gjembave.” (Vepr. 26.14). Atëherë verbohet për tri ditë, gjatë të cilave qëndron pa ngrënë. Zoti, me anën e një vegimi, urdhëroi apostullin Anania (1 tetor) të shkonte të gjente Saulin, i cili ndërkohë lutej dhe në vegim shikonte Ananian që vinte për ta shëruar. Anania heziton për t’iu bindur porosisë hyjnore, sepse e dinte namin e Saulit si persekutor manjak i të krishterëve, i cili qëllimisht mbërriti në Siri: Vinte për t’i arrestuar dhe për t’i çuar në Jerusalem të krishterët që të dënoheshin aty. Por Zoti këmbënguli, sepse ky armik do të shndërrohej në “enë të zgjedhur”, në organ të zgjedhur të Tij! Atëherë Anania shkon në shtëpinë që i tregon Perëndia, vendos duart mbi të verbrin dhe i thotë se e kishte dërguar Perëndia për ta shëruar, që të shndërrohej në predikues të Tij “para kombeve dhe mbretërve”! Dhe urdhëron: “Vëlla Saul shih përsëri”! Ca si luspa ranë nga sytë e tij dhe menjëherë iu kthye shikimi! Ngrihet, pagëzohet nga Anania, ushqehet, forcohet, ripërtërihet.Më pas përcjell shumanshmërinë e tij të pakonceptueshme “prej mallkimit të ligjit të pazbatueshëm” të Dhiatës së Vjetër tek Hiri çlirues i Dhiatës së Re. Sinodi Apostolik i v. 49 miraton tezën e tij, se të krishterët që më parë ishin idhujtarë, nuk janë të detyruar të respektojnë porositë e Moisiut. Dhe hapet rruga për mbarë botën! Vetë ai bëhet “apostulli i kombeve”. Me të katër udhëtimet e tij plot dinamizëm të paimagjinuar dhe vetësakrificë (v. 47-64), përhap lajmin e Shpëtimtarit në shumë popuj, duke kryer mrekullira. U zbu-lon dhe athinasve Perëndinë e panjohur që respektonin.Ndërkaq, zemërimi i bashkatdhetarëve të tij i shkaktoi shumë të këqija në vende të ndryshme dhe së fundi arrestimin e tij në Jerusalem (v. 57). Duke patur qytetarinë e privilegjuar romake, lundron i lidhur për t’u gjykuar nga Qezari në Romë, ku mbërrin në vitin 59 pas mbytjes së anijes në Maltë. Në vitin 61 lirohet dhe vepron derisa burgoset përsëri në vitin 64 në Romë, ku sipas traditës i pritet koka në kohën e Neronit (54-68) midis viteve 64-68. Theologjia e 14 Letrave të tij vulos tërë gjerësinë e dog-mës dhe të moralit! Të paktën një Letër të tij (dërguar Romakëve) duke e diktuar ai vetë, e shkroi apostull Tertiu (30 tetor). Duhej shkruesi, sepse ai, kolosi Pavël, udhëtoi nëpër botë dhe ndriçoi, por ndoshta i ishte dëmtuar shikimi. Kjo duket se është “gjembi në mish, engjëlli i satanit” që e fshikullonte për të mos u mburrur se kishte zbulesën e Parajsës. Shumë herë i ishte lutur Zotit që ta shëronte, por i ishte përgjigjur se mjaftonte Hiri që i jepte, sepse fuqia hyjnore tregohet më së miri kur kryen vepra të mëdha nëpërmjet njerëzve të dobët. Që atëherë gëzohej nga sëmundjet. Për sëmundjen e tij të syve, ai bën fjalë tërthorazi në Letrën dërguar Galatianëve. Të tjerë shëronte, veten e tij jo!