Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Sunday, 7 July 2013

Qirjaqia (E Diela), martire e madhe

U ushtrua në kohën e Perandor Dioklicianit (284-305). Dorotheu dhe Efsevia, të pasur dhe të pëlqyer nga Perëndia, por pa fëmijë, luteshin që të bëheshin me fëmijë. Dhe kështu lindën vajzë ditën e diel, ndaj dhe e pagëzuan me emrin E Diela (greqisht Qirjaqi = [dita] zotërore). Duke u rritur ajo pati shumë kërkesa për nuse nga arkondët, për hir të bukurisë së saj shpirtërore dhe trupore. Por duke dëshiruar dhëndrin e shpirtrave, Jisuin, nuk i pranonte propozimet për martesë. Kështu, një idhujtar, që e kërkonte nuse për të birin, u zemërua dhe e denoncoi pranë Dioklicianit, i cili hetoi prindërit dhe të bijën. I ati u rrah pa mëshirë. Më pas, së bashku me bashkëshorten i dërguan tek arkondi brutal i qytetit armen Melitini, se mos ndoshta i kthente në paganizëm. Por nuk ia arriti dot dhe u preu kokën. Qirjaqinë, Dioklitiani ia dërgoi bashkëperandorit Maksimian (286-305), i cili në atë kohë ndodhej në Nikomedia të Propontidës, në Bithini të Azisë së Vogël. Nikomedia në vitin 293 u bë kryeqytet i Dioklicianit. Meqenëse nuk e gënjeu me lajka, urdhëroi dhe e tendosën me këmbë e duar dhe e fshikulluan me orë të tëra. Ndërsa torturuesit u lodhën, virgjëresha e fuqizuar nga Hiri hyjnor dukej e gëzuar. Maksimiani i qortoi, duke kujtuar se nuk e godisnin fort ngaqë u vinte keq për bukurinë e saj. Më pas e dërgoi tek komandanti gjakatar i Vithinisë, i cili urdhëroi dhe e varën prej flokësh për orë të tëra dhe e digjnin me llambadha. Në burg iu shfaq Zoti, e inkurajoi dhe e shëroi, saqë komandanti u mahnit. Ajo pranoi të shkonin në tempullin e hyjnive, siç i kërkoi ai, por në vend që të bënte fli, ajo iu lut Krishtit. Kështu ra termet dhe u rrëzuan idhujt duke u thyer copa-copa, dhe një erë e fortë i shpërndau, ndërsa një rrufe goditi për vdekje tiranin. Predikoi lirisht, derisa pasardhësi i tij e arrestoi. E hodhi në zjarr, por zjarri u shua nga një shi i papritur. E hodhën tek luanët, por ata u sollën me të si kafshë shtëpiake. Atëherë shumë njerëz besuan dhe i vranë. Në fund, kur do t’i prisnin kokën, ajo iu lut xhelatëve dhe ata e lejuan që të lutej. Atëherë u shfaqën engjëjt dhe morën shpirtin e saj.