Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Friday, 16 August 2013

DEKLARATË PROTESTË E Klerikëve të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës

KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË 
MITROPOLIA E SHENJTË E GJIROKASTRËS  
  
DEKLARATË PROTESTË
E Klerikëve të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës
 
  Sot në Përmet, Komuniteti Orthodhoks u bë dëshmitar i shkeljes më brutale të çfarëdo nocioni mbi demokracinë, të drejtat e njeriut në veçanti atij të ushtrimit të lirë të besimit siç sanksionohet në Kushtetutë si edhe të kushteve elementare që duhen garantuar për të në kuadrin e shtetit të së drejtës së barabartë.
    Që në mëngjes, sot e Premte, 16 Gusht 2013, dhe ndërsa i tërë Komuniteti Orthodhoks vazhdon përjetimin e së Kremtes të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, Pashkës së Verës, grupe paramilitare (me ndihmën e nëpunësve të Bashkisë dhe me mbështetjen e heshtur të autoritetit bashkiak), me pretekstin se trajtonin një çështje gjyqësore, ushtruan dhunë shumëformëshe në dëm të klerikëve dhe besimtarëve të Përmetit.
 
    E gjithë Kisha jonë është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të së Tërëshenjtës Mari në Përmet, proteston sepse sot:
- u rrahën në mënyrë barbare klerikët e atij qyteti
- u penguan në mënyrë të dhunshme besimtarët që të hyjnë në kishën e tyre dhe të kryejnë detyrat e tyre të besimit
- u grabitën sende të asaj kishe me pretekstin e përmbarimit të vendimeve gjyqësore të cilat ndërkaq janë parashkruar
-  sakrilegje të rënda ngaqë u vu dorë mbi sende të shenjta të kishës (ikona, enë të adhurimit etj)
- forca që spekulojnë me procedura të ndryshme ligjore faktikisht synojnë largimin e dhunshëm të besimtarëve nga vendet e tyre të adhurimit. Me ligj të posaçëm Shteti ka ratifikuar Marrëveshje midis Këshillit të Ministrave dhe KOASH ku i jepet prioritet pikërisht garantimit të lirisë së të gëzuarit të vendeve të shenjta dhe ceremonive të adhurimit.
 
    Ngremë zërin e protestës dhe njëherësh shprehim këmbënguljen tonë se nuk kemi për të braktisur përpjekjen me çfarëdo mjeti dhe metode që e drejta e jonë e pronës dhe e përdorimit të lirë të Kishës së Enorisë së Hyrjes në Tempull të së Tërëshenjtës Mari të realizohet plotësisht.
    Kërkojmë që forcat e errëta të dala jashtë çdo kontrolli të shtetit të së drejtës dhe frymës së tolerancës dhe kohezionit të shoqërisë që kryen aktet e sotme të dhunshme të marrin dënimin e merituar nga Ligji.
 
Gjirokastër, më 16 Gusht 2013.
                                              Nga Klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës
Lexo për informim