QËLLIMI & SYNIMI
Në kuadër të përpjekjes krijuese 20-vjeçare të Fortlumturisë së Tij,
Kryepiskopit Anastas, për ringritjen e strukturave të Kishës dhe sidomos
atë të arsimit kishtar është hapurShkolla e Muzikës Bizantine.
Qëllimi i saj konsiston në kualifikimin muzikor sistematik, në
shërbimin liturgjik të “Psaltit”, duke u mbështetur fort në traditën,
përvojën, studimet shkencore, si dhe metodat bashkëkohore. Filozofia e
shkollës është të nxjerrë psaltë të përgatitur profesionalisht për të
ndihmuar me talentin e tyre kryerjen e shërbesave të adhurimit hyjnor
dhe për të lartësuar shpirtrat e besimtarëve më pranë Perëndisë.
Gjithashtu, synimi i shkollës do të jetë ruajtja, përhapja dhe
promovimi i Muzikës Bizantine, si vazhdimësi tradicionale e
trashëgimisë sonë kulturore, artistike dhe shpirtërore.
VENDNDODHJA & AMBIENTET
Shkolla ndodhet në Tiranë, në ambientet e kompleksit “Thavor”. Ajo
disponon kushte moderne si për mësimdhënien, ashtu dhe për akomodimin e
studentëve. Ky kompleks është i pajisur me auditorë mësimorë, sallë
kopjuterike, bibliotekë, kishë, konvikt, si dhe kënd lojërash.
ADMINISTRIMI & STAFI PEDAGOGJIK
Shkolla e Muzikës Bizantine do të mbikqyret nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
President i shkollës është Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr.† Anastasi.
Stafi Pedagogjik përbëhet nga pedagogë të kualifikuar dhe me përvojë
në fushat përkatëse. Por, herë pas here do të realizohen dhe seminare
nga pedagogë të huaj të muzikologjisë bizantine, që do të përcjellin
rezultatet e fundit të studimeve shkencore rreth Artit Psaltik.
KURIKULA MËSIMORE
Kurikula
e shkollës është konceptuar në bazë të kushteve dhe nevojave të Kishës
sonë, duke e përmbledhur breda dy viteve akademike, të ndarë nga katër
semestra.
Mësimi do të kryhet intensivisht pesë herë në javë, nga katër orë në
ditë, nga e hëna deri të premten. Programi mësimor do të përfshijë
lëndën e specialitetit dhe katër lëndë të tjera të formimit të
përgjithshëm.
Lënda e specialitetit: Teoria dhe Praktika e Artit Psaltik (Protheoria-Anastasimatari- Irmologjio- Stihirar-Dhoksastar-Papadhika.)
Lëndët e përgjithshme:
Historia e Artit Psaltik, Repertori Psaltik në periudhën bizantine dhe
pasbizantine, Liturgjikë 1 dhe 2, Himnologji dhe interpretim himnesh,
Tipiko etj.
JETA LITURGJIKE
Shkolla e Muzikës Bizantine do të jetë e lidhur ngushtë dhe me jetën
liturgjike e shpirtërore të studentëve. Shërbesat e shenjta, përveç
dimensionit lutës, do të funksionojnë dhe si praktikim i materialit
muzikor të mësuar gjatë studimit në shkollë, e cila do të sjellë më
shumë efikasitet në kualifikimin liturgjik dhe psaltik të studentëve.
Vendi ku do të realizohen shërbesat e përditshme kishtare do të jetë te
kisha e shkollës “Metamofoza e Shpëtimtarit”.
BURSA SHKOLLORE
Kjo shkollë zyrtare e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do
të mundësojë falas për çdo kandidat, si mësimdhënien, ashtu dhe
akomodimin e ushqimin në kompleksin modern “Thavor”. Në përfundim të
studimeve, secilit do t’i jepet një certifikatatë që mund ta përdorë për
të shërbyer në kishat e enorive.
KRITERET E PRANIMIT
Moshae kandidatëve: 18-45 vjeç.
Kushtete kandidatëve:
1. Letër rekomandimi nga Mitropoliti i dioqezës.
2. Të jenë të pagëzuar në Kishën Orthodhokse.
3. Diplomë të shkollës së mesme.
4. Të kenë aftësi vokale dhe vesh muzikor.
5. Të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen konkursit të pranimit.
Për më tepër informacion kontaktoni:
Cel: 0692636132