Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Thursday, 10 October 2013

Goditje e rëndësishme kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve të shenjta të kishave orthodhokse

    Përmes një njoftimi Ministria e Brendshme njoftoi se strukturat e luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, falë një pune hetimore dhe të mirëorganizuar bënë të mundur finalizimin e operacionit “Ikona”, në kuadër të të cilit u gjendën dhe u sekuestruan një sërë ikonash dhe pikturash të vjedhura.
    Për këtë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Arben Rrahman Spaho, 40 vjeç, lindur në Debrovë, Pogradec, dhe banues në Kamzë të Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Gjergji Vani Thimo, 43 vjeç, lindur ne Korçë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe falsifikimin të dokumenteve zyrtare.
    Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe ambientet e tjera që posedojnë të arrestuarit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 223 ikona të kishave të përmasave të ndryshme, 6 ikonostase, të cilat dyshohet që janë vjedhur me synim trafikimin e tyre me destinacion vendet e BE. 4 piktura murale të konservuara, të dyshuara si të shkëputura gjatë grabitjeve në Voskopojë , ungjij me kapakë metalikë për shërbesat kishtare etj.
Pas aksionit te Policisë se Shtetit, veprat u çuan  në Galerinë e Arteve në Tiranë, ku iu paraqitën mediave. Dorëzimi u bë në prani te Kryeministrit Rama, ministrit te Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministres së Kultures, Mirela Kumbaro. Kryeministri Rama e ka quajtur këtë një ndër aksionet antitrafik më të mëdha, por dhe një betejë që sapo ka nisur.
    Duhen falënderuar organet e rendit dhe gjithë ata që bënë të mundur ndalimin e trafikut të turpshëm të objekteve të shenjta të grabitura nga kishat, të cilat kanë vlera të paçmuara shpirtërore për kulturën dhe identitetin kombëtar. Më  në fund është hedhur një hap i rëndësishëm për të ndaluar vjedhjet e vazhdueshme dhe të padënuara dhe trafikimin e tyre, me shpresën dhe besim që ky do jetë vetëm hapi i parë në këtë drejtim.
    Tashmë, pas identifikimit dhe restaurimit, këto vepra të jashtëzakonshme të besimit dhe kulturës sonë duhet të kthehen aty ku u grabitën, në kishat orthodhokse, për t’i shërbyer adhurimit të besimtarëve dhe si dëshmi për të gjithë ata që duan të njihen me vlerë mbarëevropiane që populli ynë ka krijuar në shekuj.