Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Friday, 1 November 2013

Fillojnë me shumë gëzim aktivitetet në qendrat orthodhokse të fëmijëve


    Bashkë me nisjen e vitit shkollor filloi edhe aktiviteti i përjavshëm në qendrat e fëmijëve të Kishës sonë. Fëmijë të moshës 6 - 13 vjeç, kanë mundësinë që të jenë pjesë e programit, i cili sivjet ka temën “Unë jam qytetar i Mbretërisë së Perëndisë”. Në Tiranë funksionojnë 5 qendra të tilla, që janë: në kompleksin e Katedrales së Re “Ngjallja e Krishtit”, në mjediset e kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses, në zonën e quajtur “Astir” (tek Unaza e re), në Shkozë (në qendrën Thavor) dhe në Bathore. Aktiviteti në të gjitha këto qendra ka filluar me hare nga ana e fëmijëve dhe me shumë përkushtim nga grupi i punës.
    Këto veprimtari kanë afruar një numër të madh fëmijësh, të cilët shtohen javë pas jave. Kështu, në Katedralen e re në programet e larmishme marrin pjesë më shumë se 60 fëmijë, tek kisha e Ungjillëzimit rreth 40 fëmijë, në Shkozë 65 fëmijë, në Bathore 80 fëmijë dhe në zonën e “Astir”-it 60 fëmijë.
    Gjithashtu, kanë filluar edhe programet me grupet e adoleshentëve dhe me të grave. Të gjitha aktivitetet janë konceptuar në përshtatje me moshën e pjesëmarrësve dhe kjo i bën që të jenë argëtuese, edukuese dhe shpirtërore.
    Fëmijët që kishin marrë pjesë edhe vitet e mëparshme ishin mjaft të gëzuar për rifillimin e veprimtarive. Nëpër këto grupe kishte sigurisht edhe fëmijë dhe të rinj që vinin për herë të parë, por lojërat e reja, puna e dorës që kishte lidhje me mësimin dhe me temën e përgjithshme të këtij viti, këngët, dramatizimet dhe ajo që është më kryesorja - ushqimi shpirtëror, bënë që edhe ata të kalonin orë mjaft të këndshme dhe të integroheshin shpejt.
    Përgjatë vitit fëmijët marrin pjesë edhe në programet e përgatitura enkas për festat e mëdha, si Krishtlindja, Pashka, Theofania etj. Në to kanë mundësinë të shohin të dramatizuara disa histori mjaft edukuese dhe të bukura, të shohin shfaqje me kukulla që trajtojnë tema të ndryshme etj.
    Janë rreth 25 të rinj që i dedikohen me përkushtim të vazhdueshëm përgatitjes dhe realizimit sa më të mirë të këtyre veprimtarive, me synimin që numri i pjesëmarrësve të jetë sa më i madh dhe aktivitetet sa më  të frytshme, formuese e zbavitëse.

Zyra Qendrore e Fëmijëve