Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Monday, 11 November 2013

Persekutorë komunistë të besimit fetar pranojnë fajin

Persekutorët komunistë të besimit fetar pranojnë fajin
Nga Pirro Prifti
 
(Marrë me shkurtime, botuar ne shtypin e shkruar dhe në internet)
   
    Z. Apostol Kotani, një komunist–ateist, i cili ka qenë vendimmarrës në rrëmbimin e kishës dhe pronës së Shën Marisë në Përmet, në vitet 1960, e pranon vetë në një shkrim të botuar në revistën elektronike Drini, se si ai, si sekretar partie i Komitetit Ekzekutiv, ia mori tokën dhe kishën e Shën Marisë së Përmetit KOASH.-it, dhe pa ndonjë brerje ndërgjegje, e boton këtë si një `yner personal të tijin`, duke nënkuptuar se … “sa mirë i a paska bërë këtyre priftërinjve të atëhershëm”, sepse edhe ata (sipas tij) e pranuan që të jepnin pronën dhe kishën…` (e cila u prish me urdhër të tij, pra si sekretar partie i komitetit ekzekutiv që ishte).
    Kush lexon shkrimin auto-demaskues të të ashtuquajturit Doktor Shkencash Apostol Kotani, që na paska bërë 16 libra për historinë (të miratuara sigurisht nga udhëheqja komuniste, sepse të tjerët nuk mund të botonin në atë kohë nëse nuk bekoheshin nga sekretari i partisë apo komisari ushtarak), do të zhgënjeheni, kur të lexoni shtrembërimet historiko-sociologjike prej një ish-komunisti i cili ka tradhëtuar besimin fetar të prindërve të tij dhe të familjes së tij.
    Shkrimi i tij ``Mashtrimet e Janullatos dhe të vërtetat mbi Pallatin e Kulturës e kishën e qytetit të Përmetit``, botuar në Revista Drini, me dt. 2 nëntor 2013, shpreh qartë jo vetëm ateizmin e tij të brumosur nga mësimet e sh. Enver, por çfarë është shqetësuese dhe provokuese janë mungesa e realitetit historik e tij, e tejmbushur me fantazi  hiperpiretike, për historinë e Kishës së Përmetit, duke e bazuar në doktoraturën e tij të marrë në kohën e PPSH.
     Lexoni se ç’thotë dotori i shkencave z. Apostol Kotani për historikun e Kishës së Përmetit sipas variantit diabolik komunist: ``Unë si dëshmitar okular, si përmetar, si Sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit, dhe sot si Doktor i Shkencave Historike, si autor i 16 veprave të botuara, të cilat janë vlerësuar nga personalitete vendase dhe të huaja, deklaroj nën përgjegjësinë time morale dhe penale se: Për të përgatitur qytetin për 20 vjetorin e Kongresit që i binte me 24 maj 1964, i kërkova Ministrit të Ndërtimit, Josif Pashko që kishte ardhur për të parë gjendjen pas përmbytjes, që të na dërgonte një grup specialistësh për të bërë një planimetri. Në projektligjin e këtij grupi u parashikua që veç të tjerash në vendin ku ishte kisha karabina, të ndërtohej Pallati i Kulturës. Atëherë unë thërras mitropolitin e qytetit, Papa Harallambin me origjinë nga Catistra, dhe i kërkoj aprovimin, dhe ai e dha mendimin e tij pro, e shtroi edhe në këshillin kishtar ku bënin pjesë Çole Lolja kryetar, Mati Prifti, Thodhor Gulo dhe Rako Tasellari anëtarë, të cilët ishin dakord. Pastaj u mor edhe pëlqimi i Mitropolisë së Qarkut të Gjirokastrës dhe kryepiskopit Paisi Vodica Pashko``.
    Me vetë fjalët e tij  pranohet se Kisha Shën Maria ka qenë që në atë kohë pronë e KOASH.-it, dhe shihet se si një pronë e Kishës e cila, nën presionin e Partisë së Punës, kalon pronësi shtetërore, për të ndërtuar një pallat Kulture, i cili përfshin një pjesë të vetë ndërtesës së Kishës Shën Maria, por shteti ishqiptar i asaj kohe shtetëzon të gjithë sipërfaqen prej afërsisht 6000 e ca m2 pronë e kishës.
    Z. Kotani pranon se “u muar pëlqimi i priftërinjve të asaj kohe`. E si të mos pranonin ata priftërinj të shkretë porosinë e z. Apostol që ishte ashtu si e pranon ai- një Sekretar Komitetit të PPSH së Përmetit`? Nëse ata nuk do të jepnin pëlqimin – ata do të kalbeshin në burg apo do të vriteshin; sidoqoftë ashtu si ndodhi pas shkurtit të 1967, këta priftërinj të shkretë përfunduan ose burgjeve ose u bënë kooperativistë duke mos i lejuar që të faleshin dhe të kryenin ritet fetare në kishën e tyre të shtetëzuar nga persekutori i fesë Apostol Kotani.
    Z. Kotani, sa guxon të ngatërrojë historinë e kaluar që ka të bëjë me luftën e parë ballkanike dhe luftën e parë botërore,- me kërkesën e ligjshme për të kthyer pronën e Kishës së Shën Marië së Përmetit prej 6000 m2?!
    Z.  A. Kotani, tregon haptazi veten e tij si një persekutor i zellshëm komunist kur tregon me mburrje presionin që u paska bërë në atë kohë klerit ortodoks të Përmetit duke i u rrëmbyer pronat në emër të PPSH- dhe thotë pa brerje të ndërgjegjes se ..`` edhe për këtë, unë si sekretar i komitetit të partisë që kam transmetuar direktivën e partisë u them me përgjegjësi morale dhe ligjore se direktiva ka qenë kjo: “ndalohen predikimet fetare dhe baza e tyre materiale e kishave, teqeve dhe xhamive, duhet të grumbullohen, të inventarizohen dhe t’u dorëzohen këshillave me proces-verbal, ndërsa ndërtesat e tyre mund të përdoren vetëm shtëpi kulture, ose për magazina dhe jo për qëllime të tjera”.
    Z. A. Kotani,  justifikon shtrembërimet historike si doktor i shkencave historike, duke e pranuar në heshtje që Kisha e Shën Marisë është nja 3 shekuj e lashtë (dhe themelet e vjetra duken edhe sot e kësaj dite), por thotë se .. nuk kanë ç`i duhen Përmetit gjithë ato Kisha……
 Z. A. Kotani,  pranon se gjyshi i tij ka qënë një ortodoks i mirë, por mesa duket i ka ngelur hatri se përse Kryepeshkopi  nuk paska rindërtuar kishën e Dardhasit....
Ja se ç`thotë komunisti i vendosur  Apostol Kotani kundër Kryepeshkopit Anastas:…`` përse nuk ndërtoni Kishën e Kendrefit, në krahun e djathtë të Urës së Dardhasit me një terren shumë të gjerë, ndërtuar nga gjyshi im Josif Kotani….``???!!
    Në apologjinë e tij ateisto-komuniste, në të cilën vërehen dhe brejtje të ndërgjegjes së tij të jo-normale, ateisti-komunist Apostol Kotani përmend Prof. Kristo Frashërin përsa i përket vendimit të Gjykatës kushtetuese për Kishën, por ai nuk e ka kuptuar se ç`ka thënë Gjykata Kushtetuese për këtë problem, sepse Gjykata Kushtetuese në përgjigjen e saj i është shmangur problemit të pronësisë, dhe për më tepër ndaj Pronave të komuniteteve fetare për të cilat është shprehur ligji shqiptar.
    Favorizimi i padrejtë që i është bërë Bashkisë Përmet nëpërmjet një vendimi  të dytë e të korruptuar të gjykatës (sepse i pari ka qënë në favor të KOASH.-it), ngre përsëri pyetjen e drejtë: kush do t`ja japë pronat e vjedhura dhe të përvetësuara të kishës nga shteti komunist - KOASH.-it?
    Ish-Kryeministri Berisha pranoi që pronat janë të Kishës, dhe se zgjidhja do të jetë një kompromis, duke i dhënë Bashkisë Përmet shtëpinë e oficerëve në këmbim të pallatit aktual të kulturës, i cili është ndërtuar mbi pronën e KOASH.-it.
    Megjithatë, paranojat, dhe agresiviteti i disa ateistëve-komunistë me të ashtuquajtur tituj shkencorë, duke mbuluar padrejtësinë e rrëmbimit të pronave (me gjyqtarë dhe gjykata të korruptuara) të  KOASH.-it,  me anë të justifikimeve bajate dhe aspak koherente, duke  na kujtuar historinë e së kaluarës, e cila nuk ka aspak lidhje me problemin e pronës, duke na `konfirmuar` me anë të disa historianëve  të tipit Xhufi,  që shkruan nën emrin e 92 vjeçarit Kristo Frashëri, apo fallco-atdhetarë të tipit Danaj, apo pseudo-prifërinj si N. Marku, duke ngatërruar pronat e KOASH.-it, me problemet politike të shtetit shqiptar me Greqinë apo me Agimin e Artë - duhet të marrin fund.
    Sharjet dhe shpifjet e Persekutorit të kishës nga ateisti-komunist Apostol Kotanit nuk mund të ndalojnë kërkesën e drejtë të KOASH.-it për të marrë pronat e vjedhura nga shteti komunist.
    Z. Kotani nuk duhet më të persekutojë  Kishën e të parëve  të tij më dhe aq më tepër edhe në kohën e demokracisë..