Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Thursday, 19 December 2013

Me rastin e 1900 - vjetorit të martirizimit të Shën Ignat Hyjmbajtësit

Hieromartiri i shenjtë, Ignat Hyjmbajtësi
    "Le të vijnë mbi mua, zjarri, kryqi, egërsira, prerja e gjymtyrëve, bluarja e të gjitha kockave dhe të gjitha torturat e këqija të djallit, vetëm dua që të fitoj Jisu Krishtin (Rom. 5:3)."
    Rrallë herë ndodh që për një person kaq të rëndësishëm të njerëzimit historia na ruajti kaq pak të dhëna biografike. Disa e kanë konsideruar personin e shën Ignatit si një yll të madh dhe të shndritshëm, i cili u shfaq dhe u zhduk menjëherë. Megjithëse drejtoi mbi katër dekada Kishën e Antiokisë, veprimtaria episkopale dhe kryesisht mësimdhënia e tij ndoshta nuk do të njiheshin as sot nëse ai nuk do të martirizohej. Në javët e fundit të jetës, përpara se të martirizohej ai frymëzoi jetën e komuniteteve të krishtera, përgjatë rrugës nga atdheu i tij për në Romë, dhe njëkohësisht  gjithë botës së krishterë i dhuroi letrat e tij të mbushura plot me frymë dashurie e besimi.
1) Prejardhja e tij
   Të dhënat e pakta që zotërojmë për jetën e tij i marrim nga letrat që ai u drejtoi komuniteteve të krishtera të Azisë së Vogël dhe Romës. Fillimisht, rreth emrit të tij - duke pasur parasysh prejardhjen e tij romake - u hodh hipoteza, e cila mbetet e pavërtetuar, se emri Ignat vjen nga latinishtja (ignis=zjarr) dhe se u krijua në vitet e mëpasshme. Disa hulumtues kanë shprehur mendimin se ai rridhte nga një familje romake e helenizuar (që nga shek. III para Krishtit e deri në shek. IV pas Krishtit termi i helenizuar nënkupton ata persona që ndjekin dhe imitojnë mënyrën e jetesës, të mendimit, dhe në përgjithësi kulturën e pasur helene) e Antiokisë së Sirisë. Ndoshta ai kishte trashëguar nga i ati të drejtën e qytetarit romak. Sa i përket nivelit arsimor, ishte autodidakt, nuk duhet të kishte ndonjë arsim të veçantë dhe ç’kish mësuar ishin falë shoqërimit të tij me njerëz të shkolluar e të ditur. J. Gojarti thotë se Ignati ishte njohur dhe shoqëruar me Apostujt (Homeli për Ignatin, PG.50, 588), ndërsa Martirologu antiokian përmend se ai kishte dëgjuar predikimin e ungjillor Joan Theologut. Padyshim, ndikim pozitiv pati edhe territori ku ai jetoi, duke ditur faktin se Antiokia ishte qyteti i tretë i perandorisë për nga popullsia, kultura, dhe rëndësia, si edhe qendra më e madhe e Lindjes. Sot pranohet se Ignati ishte episkopi II i Antiokisë dhe kryepriftëria e tij zgjati rreth viteve 70-113/4 pas Krishtit (patjetër para vitit 118).
2) Arrestimi dhe martirizimi
    Pas ekspeditës ushtarake në krahinat e Armenisë dhe Parthisë, perandori Trajan (98-117) u gjend në Lindje. Në fund të vitit 113 ose në fillim të 114 episkopi i qytetit, Ignati, u arrestua nga autoritetet romake. Kjo dëshmohet nga Martirologu antiokian dhe ai romak. Sipas të parit, ai fillimisht, u gjykua në Antioki dhe më pas, u dënua e u ekzekutua duke e hedhur te bishat e egra në Romë, ndërsa, sipas të dytit, u gjykua dhe u dënua në Antioki dhe ekzekutimi i tij u krye në Romë. Lind pyetja pse u ekzekutua në Romë dhe jo në Antioki? Arsyet që detyruan Trajanin të merrte këtë vendim mund t’i përmbledhim në: a) Ai dëshironte t’u ofronte banorëve të Romës një spektakël të veçantë me protagonist një udhëheqës të famshëm të krishterë dhe b) T’u jepte një mësim të rreptë frike banorëve të Lindjes (kryesisht të Azisë së Vogël dhe Greqisë), të cilët kishin filluar të përqafonin me zell Krishterimin. Për këtë qëllim, ushtarët që e shoqëronin gjatë rrugës, terrorizonin dhe arrestonin të krishterë të ndryshëm. Por, me qëndrimin dhe vendosmërinë e tij ai preku gjithë të krishterët e krahinave madje, fitoi dashamirësinë dhe admirimin e shumë idhujtarëve.
    Ignati e nisi rrugën e martirizimit nga deti i Sirisë, i shoqëruar nga 10 ushtarë romakë dhe po aq të dënuar të tjerë (Rom.5:1). Më pas zbarkoi në bregdetin e Azisë së Vogël. Ushtarët që e shoqëronin. megjithëse ishin të ashpër, e lejonin (pasi i paguante) që ai të takohej me vizitorë të ndryshëm. Kur arritën në qytetin e Smirnës, ku qëndroi pak ditë, ai u mirëprit me entuziazëm nga komuniteti dhe episkopi i saj, Polikarpi, me të cilin pati një takim dhe bisedë mjaft të ngrohtë. Kur mësuan lajmin të krishterët e qyteteve fqinje (Efesit, Magnisisë, Tralës) dërguan përfaqësuesë të tyre që të takoheshin me të dhe t’i jepnin kurajë, mirëpo gjatë bisedave ata kuptuan nivelin e lartë shpirtëror që ai mbartte dhe më pas largoheshin me dobi të madhe shpirtërore, duke u këshilluar prej tij për probleme të ndryshme që hasnin në krahinat e tyre.
    Kur arriti në Troadhë, u informua se përndjekja në Siri kishte përfunduar. Ky lajm  sigurisht e gëzoi jashtë mase dhe e shtyu t’u drejtonte letra të krishterëve të Filadelfisë, Smirnës, Polikarpit (personale) e ndoshta grigjës së tij (letër, e cila nuk na ka shpëtuar). Më pas, ndoqi pa u ankuar rrugën tokësore (Via Egnatia) nga Filipia deri në Dyrrah (Durrësi i sotëm) dhe përsëri rrugën detare për në Brindizi, me destinacion përfundimtar Romën. Atje, disa të krishterë me pozita të larta shtetërore u përpoqën të ndërmjetësonin tek autoritetet romake, me qëllim që të anulohej ekzekutimi. Por, ai kur dëgjoi për këto përpjekje, me anën e një letre iu lut atyre që të mos e pengonin të martirizohej (Rom.4:2-3). Martirizimi u krye në amfiteatrin e Koloseut, rreth datës 20 dhjetor. Eshtrat e tij i mblodhën disa të krishterë dhe i dërguan në vendlindjen e tij. Në shekujt e mëvonshëm u transferuan përsëri në Romë.
3) Rreth mbiemrit të tij
    Në letrat e tij Ignati përdor për veten mbiemrin “θεοφόρος” = hyjmbajtësi. Tradita e krijuar ka shpëtuar dy versione: a) Pasi ndërroi jetë u gjend i gdhendur në zemrën e tij me shkronja të arta emri i Krishtit dhe, b) Ai ishte fëmija i vogël që Krishti e mori, e përqafoi, e vendosi në mes të nxënësve të Tij dhe ua shfaqi si shembull përuljeje e pafajësie (Mtth. 18:2-5. Mk. 9:36-37. Lk.9:47-48). Sipas disave, ai e quan veten hyjmbajtës, sepse përjetonte lidhjen reale me Krishtin dhe se i shërbeu Atij me zell deri në fund të jetës.
4) Kontributi i tij në Kishë
    Nga veprat e tij që kanë arritur deri më sot, 7 letra konsiderohen të vërteta, të cilat kanë një rëndësi të veçantë theologjike. Shën Ignati është Ati dhe Mësuesi i parë i Kishës dhe theologu i parë pas Apostujve. Është i pari që inaguron termin (Kishë Katholike = Kishë e bashkuar dhe e shpërndarë në tërë botën për të përfshirë gjithë botën) dhe ai që na jep një informacion mjaft të rëndësishëm dhe unikal për formimin e strukturës pasapostolike kishtare. Theologjia e tij mund të dallohet në tri pika: a) Episkopi dhe pozita e tij në Kishë. b) Uniteti i Kishës dhe c) Liturgjia Hyjnore = bashkimi i besimtarit me Krishtin. Autoriteti dhe fama e emrit të tij shpirtëror u përhap edhe më gjerë se vendlindja e tij. Kjo duket nga respekti dhe besimi absolut që treguan për të të krishterët e Azisë së Vogël dhe të Romës. Gjë që tregon se ai ishte një episkop me autoritet ekumenik. Edhe vetë fakti se ai vazhdon të nderohet për 1900 vjet  resht, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, është domethënëse për këtë episkop martir, pasardhës i  denjë i  apostujve, bari i Kishës dhe imitues i Krishtit.
    Zoti Perëndi të na japë të gjithëve zellin e tij të zjarrtë për t’i besuar, shërbyer dhe për ta ndjekur Krishtin deri në fund me përulësinë dhe bindjen e tij të plotë për të vërtetën e besi-mit që ai mbarte dhe përfaqësonte.
Arkimandrit Kozma Sovjani


 

 Martirizimi i Shën Ignatit. Minologu i Vasilit II (Vat. gr. 1613) shek.XI.