Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Tuesday, 11 March 2014

Takimi triditor i Primatëve Orthodhoksë, Konstandionopojë 6-9 mars 2014

 
Me ftesë të Patriarkut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut, nga 6-9 mars 2014 u mblodhën në Kostandinopojë Primatët e të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale. Në takim u diskutuan problemet me të cilat përballet sot Orthodhoksia, u mbajt qëndrim për krizat e ndryshme, si në Siri dhe Ukrainë, si dhe u diskutuan çështje të ndryshme eklisiologjike, duke u vënë theksi tek uniteti mes të gjitha kishave tona.
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastasi, i shoqëruar nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani dhe Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri.
    Mbledhja e Primatëve arritën në përfundimin se Sinodi i Shenjtë dhe i Madh i Kishës Orthodhokse do të thirret nga Patriarku Ekumenik në Konstandinopojë, në vitin 2016. Për këtë, në shtator të 2014 do nisë punën një Këshill i veçantë Ndërorthodhoks, i cili do të veprojë deri për Pashkët e vitit 2015. Do të pasojë një Mbledhje Panorthodhokse Parasinodike, gjatë gjysmës së parë të vitit 2015. Të gjitha vendimet, si për punimet e Sinodit Panorthodhoks, ashtu dhe për fazat e saj parapërgatitore do të merren me unanimitet.
    Ditën e fundit të takimit, më 9 mars, të Dielën e Orthodhoksisë, u kremtua në kishën patriarkale “Shën Gjergji” në Fanar, me një bashkëmeshim të të gjithë Primatëve.
    Këtë bashkëmeshim të ndritshëm e udhëhiqte Patriarku Ekumenik Vartholomeu, së bashku me Patriarkun e Aleksandrisë Theodhorin, të Jeruzalemit Theofilin, të Rusisë Kirillin, të Serbisë Irineun, të Rumanisë Danielin, të Bullgarisë Neofitin, të Gjeorgjisë Ilian, dhe Kryepiskopët, të Qipros Krisostomin, të Greqisë Hieronimin, të Polonisë Savën dhe të Shqipërisë Anastasin.
    Pas leximit të Ungjillit të Shenjtë, Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës Ekumenike lexoi nga amvoni Deklaratën e Përbashkët të Primatëve Orthodhoksë. Kryepiskopi Anastas ishte kryetari i komisionit i cili hartoi këtë deklaratë të përbashkët (klikoni në http://www.ec-patr.org/docdisplay.php?lang=gr&id=1873&tla=gr www.patriarchate.org/documents/synaxis-2014-message).        
    Në vazhdim u krye një përkujtimore e shenjtë për prehjen e shpirtrave të atyre që luftuan për besimin.
    Në fund të Liturgjisë Hyjnore u krye litania e ikonave rreth oborrit të Patriarkanës dhe në vazhdim, nga ballkoni i Selisë Patriarkale, Patriarku Vartholome dhe Primatët orthodhoksë bekuan besimtarët.

Deklarata e Përbashkët e Primatëve Orthodhoksë do të botohet e plotë në ditët në vazhdim.