Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Saturday, 3 May 2014

Seminar për ripërtëritjen e Lidhjeve të Grave Orthodhokse të Dioqezës së Tiranës


    Me bekimin e Kryepiskopit Anastas në dt.25-26 prill 2014 në mjediset e Akademisë Teologjike në Shën Vlash u zhvillua  seminari 2 ditor me përfaqësuese të Lidhjeve të Grave Orthodhokse të Dioqezës së Tiranës. Qëllimi i këtij takimi ishte ripërtëritja dhe fuqizimi i Lidhjeve të grave nëpërmjet mbështetjes dhe shkëmbimit të përvojave me njëra-tjetrën. 
    Nismëtarë të kësaj veprimtarie u bënë gratë e Lidhjes së Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me Episkop Astin dhe përgjegjesin e Zyrës së Katekizmit z.Miron Cako. Morën pjesë rreth 40 gra përfaqësuese të Lidhjeve të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Rrushkullit e Jubës, Shën Joan Vladimirit, Cërrikut, Gramshit dhe Gjinarit.  
    Seminari filloi me Paraklisin drejtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari. Në vazhdim Episkop Asti zhvilloi temën “Në fuqizim të Lidhjes së Grave të Krishtera Orthodhokse”, ku midis të tjerave theksoi rolin dhe rëndësinë e funksionimit të këshillit drejtues në çdo Lidhje, këshill i cili udhëheq dhe frymëzon jetën shpirtërore dhe veprimtaritë sociale të Lidhjes së Grave në bashkëpunim me klerikët e kishës përkatëse. Ky rol shprehet me organizimin e tyre rreth katër objektivave: Rritjes në Krishtin (në dije dhe përjetim), Miqësisë, Dëshmisë dhe Shërbimit. 
    Dita e parë u mbyll në mbrëmje vonë me një bisedë të gjallë e të hapur të grave mbi paraqitjen e veprimtarive të tyre në kisha si dhe problemet e ndryshme që ndeshin në rrugëtimin për të përhapur dashurinë e krishterë sakrifikuese brenda dhe jashtë komunitetit besimtar. Në miqësinë e ripërtërirë ato shfaqën angazhimin për të ecur përpara, duke kërkuar edhe ndihmë shpirtërore mes lidhjeve të tyre dhe në veçanti nga Zyra e Katekizmit për mësime të përjavëshme rreth besimit.  
    Dita e dytë nisi me Liturgjinë Hyjnore, që u krye nga Hirësi Nikolla, në kishëzën e Skitit të Grave Miraprurëse, në të cilën u kujtuan edhe motrat tona të fjetura në Krishtin, që kanë dhënë një kontribut të madh vullnetar. Një prej tyre ishte bashkëpunëtorja amerikane Lynette-Ekaterina Hoppe, eshtrat e së cilës prehen në varrezat e fshatit Shën Vlash, pranë manastirit. Prandaj në shenjë nderimi dhe dashurie për të, të gjitha gratë bënë një vizitë në varrin e saj.
    Programi vazhdoi me një referat interesante të z.Miron Cako me temën “Gruaja, qëllimi i jetës së saj në familje, shoqëri dhe Kishë”. Referati i pasur me mjaft  thënie nga Shkrimi i Shenjtë dhe etër të  Kishës, pëfshiu tematika mbi krijimin e gruas, ndryshimet ndërmjet burrit dhe gruas, rënien e tyre në mëkat, ardhjen e Shpëtimtarit prej Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari dhe vlerat e larta shembullore të saj, të cilat duhet të imitojë çdo grua për shpëtim.
    Mbresëlënëse ishte vizita që bënë gratë në Shtëpinë e Fëmijëve “Shpresa” brenda mjedisit të manastirit. Ato ndjenë nga afër dashurinë dhe entuziazmin e fëmijëve, të cilët kishin përgatitur enkas një program të shkurtër artistik me këngë të Pashkës, valle dhe recitime. Mikpritja në këtë familje të madhe bujare shprehte qartë mirënjohjen e tyre ndaj Kishës dhe Kryepiskopit Anastas.
    Seminari dyditor i grave përcolli mesazhe konkrete në të gjitha gratë pjesëmarrëse. Ato duhet të forcojnë më shumë kontributin e tyre brenda dhe jashtë komunitetit besimtar, duke kryer në mënyrë të vazhdueshme vepra të gjalla shërbimi, miqësie dhe dëshmi të krishterë. Gjithashtu të gjitha gratë u pajisën me të gjitha informacionet kontaktuese të secilës prej tyre për të përtërirë e forcuar lidhjet e tyre si edhe për të qenë të bashkuara gjithmonë në një mendje dhe në një zemër.
  Gratë seminariste shprehën falenderim dhe mirënjohje të veçantë për Kryepiskopin Anastas, që ofroi mbështetjen ekonomike në realizimin e këtij aktiviteti. 
Nga përfaqësueset e Lidhjes së Tiranës