Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Monday, 18 August 2014

U krye Shenjtërimi i kishës së hirshme “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Këlcyrë.

...E vërteta, dashuria, pendimi dhe përulësia... armët e besimtarit ndaj fuqive demonike...
   Brenda një atmosfere hareje dhe përkushtimi shpirtëror, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, kreu sot Shenjtërimin e kishës së hirshme “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në qytezën e Këlcyrës. Ai celebroi së bashku me Mitropolitiin e Gjirokastrës Dhimitrin dhe Episkopin e Amantias Nathanailin, si dhe me shumë klerikë të kësaj Mitropolie. Që herët në mëngjes qindra besimtarë, mes tyre shumë të rinj, nga enoria e Këlcyrës, por dhe e gjithë treva e Përmetit, kishin mbushur oborrin e Kishës, duke marrë pjesë me lutjen e tyre në aktin e hirshëm të Shenjtërimit, me litaninë e lipsaneve të shenjta dhe në vazhdim, me shenjtërimin e Tryezës së Shenjtë.
   Më pas vazhdoi Liturgjia Hyjnore, ku Kori i Shkollës së Muzikës Bizantine të Kryepiskopatës së Hirshme të Tiranës i dha një përmasë më të lartë e shpirtërore gjithë shërbesave.
   Kisha e re që u shenjtërua nga Kryepiskopi Anastas (e katërta brenda pak javësh, nga cepi në cep të Shqipërisë pas Shenjtërimit të Katedrales së Tiranës; kishës “Lindja e Zotit Krisht”, në Shkodër; kishës “Ngjallja e Zotit”, në Pogradec dhe “Dyzetë Shenjtorët”, në Aliko dhe e fundit kjo në Këlcyrë “Ungjillëzimin i Perëndilindëses”), u ndërtua në periudhën 1994-1996 dhe është e tipit bazilikë me kube, me sipërfaqe të përgjithshme që arrin 300m2. Ndodhet në qendër të qytezës dhe përbën pikë referimi të qytetit të krijuar relativisht rishtazi.
   Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas u foli besimtarëve si për tipikonë e Shenjtërimit dhe kuptimin e pranisë së Tempullit Orthodhoks në jetën e komunitetit adhurues, por dhe të qytetit në të cilin ai jeton dhe aktivizohet, si dhe mbi Ungjillin e ditës. Fortlumturia e Tij i nxiti besimtarët që të jetojnë me të vërtetë besimin dhe që të armatosen përditë me armët ndaj të cilave fuqitë demonike (që janë të pranishme edhe në shoqërinë e sotme njerëzore dhe përpiqen ta zhysin atë në korrupsion dhe padrejtësi), nuk munden veçse të jenë krejt të pafuqishme dhe të parrezikshme. Këto armë janë: e vërteta, përulësia, dashuria dhe pendimi. Ato do të duhet të kultivohen pandërprerë edhe me lutjen në këtë kishë të re orthodhokse. Dhe përsëri edhe një herë tjetër përsëriti porosinë e tij atërore që ne të krishterët orthodhoksë të mos mjaftohemi me harenë e godinave adhuruese, të reja apo të rikonstruktruktuara, por përditë të tregojmë kujdes të ndërtojmë veten tonë si tempuj të Perëndisë së gjallë.
   Në Qendrën Shpirtërore në krah të kishës vijoi qerasje tradicionale nga ana e enorisë së Ungjillëzimit, në një amtosferë të përzemërt dhe mbushur me këngë tradicionale të zonës së Përmetit.
   Duhet kujtuar këtu, se para pak vitesh Këshilli i Bashkisë së Këlcyrës, në shenjë vlerësimi për nismën e Kryepiskopit Anastas që në qytetin e tyre të ndërtohet kjo kishë e bukur, vendosi që rrugën përpara saj dhe në sheshin qendror të qytezës ta emërtojë “Rruga Kryepiskopi Anastas”.
   Në këtë gëzim të veçantë të besimtarëve të Këlcyrës për shenjtërimin e Kishës së tyre i pranishëm ishte edhe Nënkryetari i Parlamentit, z. Vangjel Dule dhe personalitete të tjera.
   Për të gjithë Mitropolinë e Gjirokastrës kjo prani e Kryepiskopit Anastas dhe shenjtërimi i dyfishtë përbëjnë një notë të veçantë festive dhe rast për një përjetim më të thellë të këtyre tubimeve adhuruese në kuadrin e së Kremtes së Fjetjes të së Tërëshenjtës Mari, që populli e mbiquan edhe Pashkë e Verës. Ky ishte rast i veçantë edhe për dhjetra besimtarë të këtyre trevave, që jetojnë dhe punojnë më së shumti në Greqi.
Këlcyrë, 17 Gusht 2014
Foto: Dhjakon Stefan Ritsi