Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Sunday, 25 January 2015

Grigor Theologu i Konstandinopojës. Oshënar Marisi.

Grigor Theologu i Konstandinopojës.
 
Ishte fryt i shën Grigorit, episkopit të Nazianzit në Kapadoqi të Azisë së Vogël (1 janar) dhe i shën Nonës (5 gusht), e cila më vonë bëhet hallë e shën Amfilokut, episkopit të Ikonisë (23 nëntor). Çifti nuk lindte fëmijë për shumë vjet por falë lutjeve të bashkëshortes lindën shën Gorgoninë (23 shkurt), shenjtorin tonë Grigorin dhe shën Qesarin (9 mars).
 
Grigori u lind në vitin 328 në Arianzi, afër Nazianzit të Kapadoqisë. I ndjeshëm dhe poetik studioi filologji dhe retorikë në Qesari, Aleksandri dhe Athinë (350-359). Atje studentët, sipas rregullit të atëhershëm, e shpallën profesor.
 
Kur u kthye në Nazianz u pagëzua dhe dha mësime të retorikës, por duke qenë “teoricien”, misticist, i la të gjitha ashtu si edhe veproi në vazhdim, për t’u bërë asket në Pont në vitin 360, me shën Vasilin e Madh (1 janar). U kthye shpejt dhe bindi babain e tij shumë të moshuar filoarian të kthehej në besimin e vërtetë, i cili e mori të birin për ndihmës, duke e hirotonisur prift (361 ose 362). Por vitin tjetër shkon sërish te miku i tij, i cili e bindi të kthehej dhe të ndihmonte babain e moshuar. Në vitin 370, duke iu bindur të atit, shkoi në Qesari dhe kontribuoi në hirotonisjen e Vasilit të Madh, i cili e vendosi episkop të Sasimit në vitin 372 pa dëshirën e tij, një fshat i vogël por i rëndësishëm. Grigori e vizitoi këtë fshat por nuk meshoi.
 
Në vitin 374 fjeti episkopi i Nazianzit dhe Grigori, që të mos ia ngarkonin atij episkopatën, iku në manastir ku qëndroi derisa sinodi i mbledhur në Antioki e dërgoi në Konstandinopojën e atëhershme ariane. E ribëri orthodhokse për dy vjet me fjalët e tij theologjike në kishën e vogël të vetme “Anastasia” (d.m.th. ngjallja e besimit), që kishin në fillim orthodhoksët. I trishtuar nga një komplot kundër tij, organizuar nga një njeri të cilin e kishte ndihmuar shumë u largua, por lotët e besimtarëve e sollën përsëri.
 
U shpall zyrtarisht Kryepiskop i Konstandinopojës (381) nga Sinodi i Dytë Ekumenik, të cilin ai e drejtoi.
 
Ndërkohë si diplomat i ngathët shkaktoi reagime. Kështu për çudinë e të gjithë Sinodit dha dorëheqjen, përshëndeti grigjën e vet në mënyrë prekëse me një fjalim të famshëm dhe u tërhoq në vendlindjen e tij, ku fjeti në vitin 391.Kremtohet dhe më 30 janar së bashku me Vasilin e Madh (1 janar) dhe Joan Gojartin (13 nëntor). Më 19 janar kremtohet transferimi i lipsanit të tij (në Konstandinopojë në shekullin e 10-të).
 
Koka ruhet në Malin e Shenjtë, ndërsa trupi afër Kavallës, në Greqi (ose në Romë nëse në Kavallë është trupi i të atit).Mësuesi ynë Ekumenik ishte më letrari ndër Etërit. Ruhen 45 fjalime të tij, 240 letra, 17.000 vargje, si dhe fjalimi i përmortshëm para kufomës së të atit në prani edhe të Vasilit të Madh.
 
Gjithashtu ai mbajti edhe dy fjalime të përmortshme për dy vëllezërit e tij. Në mënyrë origjinale ai theologoi për Trininë e Shenjtë dhe ndikoi mbi shumë himnshkrues dhe dogmatikë.
 
Grigor, greqisht = i shpejt, i gatshëm.