Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Thursday, 24 March 2016

Delir shpifjesh kundër Kishës Orthodhokse


KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

Delir shpifjesh kundër Kishës Orthodhokse

    Mes shumë paradokseve që ndodhin në vendin tonë, shikojmë edhe një banor të Tetovës me origjinë myslimane, z. Arben Llalla, i cili merr përsipër të japë leksione të së Drejtës Kanonike dhe orientime për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Ai shtrembëron me mani patologjike dhe gënjeshtra dinake, ngjarje dhe vendime të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke u përpjekur në këtë mënyrë të mashtrojë opinionin publik. Deri më tani nuk ka dalë ndonjë Orthodhoks të bëjë diçka të ngjashme kundër ndonjë komuniteti tjetër fetar. Është më se e sigurt, se artikujt e mbushur me dashakeqësi dhe shpifje të pabaza të z. Llalla, që boton dhe riboton (në disa portale online: botasot.info, mapo.al, kosovarimedia.com, gazetanewborn.net, ina-online.net, shqiptari.eu, në datat 16.03.2016 si dhe në gazetën “Ballkan”, në datën 18.03.2016), helmojnë atmosferën e paqes dhe harmonisë midis komuniteteve fetare në Shqipëri.
    Sa i takon romanit shpifës kundër Kishës sonë që bëri në lidhje me një prift orthodhoks nga Vlora, të atë Ilia Qirio, me qëllim të vetëm të akuzojë me retorika fyese Kryepiskopin Orthodhoks, të vërtetën e ka zbuluar vetë atë Ilia me një letër të tijën, që u botua në Illiriapress.com 18.03.2016. Në këtë letër del në pah nderimi i madh që Kryepiskopi Anastas ka treguar gjithmonë për atin e tij, të cilën e hirotonisi episkop dhe përkujdesjen për familjen e episkopit Kozma Qirio. Priftërinjtë orthodhoksë nuk kanë nevojë për “prokurorin” e vetëshpallur z. Llalla për të mbrojtur të drejtat e tyre. Problemet dhe plagët- midis të cilave edhe pagimi i shumës të 23 milionë lekësh tek një qytetar jo orthodhoks i Vlorës, që rrëmbeu me forcë një pronë kishtare dhe ndërtoi një restorant të tijin),- është Kryepiskopi ai që përpiqet ti shërojë pa bërë zhurmë.
    Kryepiskopi jonë z. Anastasi është bërë shënjestra e përhershme i shkruesit i këtyre artikujve, i cili, bashkë me qarqet që e përdorin, përpiqet ta baltosë duke fabrikuar sajesa. Por, autoriteti i tij mbarë orthodhoks, që nuk mund vihet aspak në dyshim dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në Kishë për më tepër se 60 vite, njihet nga qindra mijëra besimtare brenda dhe jashtë Shqipërisë.

21 Mars 2016
Nga Kryepiskopata e Hirshme