Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Saturday, 23 December 2017

Mesazhi i Kryepiskopit Anastas me rastin e Krishtlindjes 2017

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

KRISHTLINDJE 2017

Tjetërsimi dhe kuptimi esencial i Krishtlindjes

Klerit dhe popullit besimtar

                  Bij fort të shtrenjtë më Zotin,
“Perëndia është dashuri. Në këtë u shfaq dashuria
e Perëndisë te ne: Se Perëndia, Birin e tij, të vetëmlindurin,
e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij” (1 Jn. 4:8-9)

    E kremtja e Krishtlindjes, në shoqëritë tradicionalisht të krishtera, ruan diçka të veçantë. Ajo rrezaton dritë, paqe, dashuri dhe shpresë. Por, për shkak të mënyrës si kremtohet në vendet tona të shekullarizuara, shpeshherë kuptimi i Krishtlindjes tjetërsohet dhe humbet brenda zbukurimeve të shumta. Histeria e konsumizmit dhe indiferenca shpirtërore e rrudhin interesin fetar. Shfaqjet e luksit dhe të lavdidashjes e deformojnë bukurinë e thjeshtësisë dhe të pafajësisë. Nuk bëhet fjalë për fenomene të jashtme. Ky modifikim ndodh pakuptuar në ndërgjegjen tonë.
    Tjetërsimi plotësohet me pushtimin e një figure që nuk ka lidhje me Krishtlindjen, që quhet “Shën Vasili” apo babagjyshi i Krishtlindjes, i cili na shfaqet si një plak i shëndoshë me rroba të kuqe, që vjen nga Veriu dhe shpërndan dhurata. Ky mit i krijuar, që rrëmben fantazinë e të vegjëlve dhe të mëdhenjve, në thelb është një shtrembërim i frikshëm i figurës së mrekullueshme të mësuesit të urtë ekumenik, Shën Vasilit të Madh, Kryepiskopit të Qesarisë, i cili e jetoi dhe e predikoi Ungjillin e Krishtit, duke lehtësuar vuajtjen njerëzore me vepra dashurie të realizuara për herë të parë në histori.
    Kisha këmbëngul të zbulojë kuptimin esencial të së kremtes: “Perëndia është dashuri”. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë për ne: dërgoi Birin e Tij, të vetëmlindurin, në botë, që të rrojmë me anë të Atij, duke përjetuar të vërtetën, fuqinë dhe hirin e Tij. “Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16). Kjo e dallon në mënyrë specifike besimin e krishterë nga çdo ideologji dhe sistem tjetër fetar. Duke theksuar se Perëndia është dashuri, shpallet qartë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një energji personale e përmbiepërme, dituri, fuqi, që njeriu do të kishte mundësi t’i afrohej me anë të aftësive të tij intelektuale. Është Perëndi personal dhe e shfaq dashurinë e Tij me marrëdhënie konkrete me gjininë njerëzore.
    Biri dhe Fjala e Tij merr natyrën njerëzore, “mishërohet”. Kuptimi unikal i së kremtes formulohet saktë nga Athanasi i Madh: “Fjala e Perëndisë u bë njeri që t’i çojë njerëzit në hyjnizim”. Lindja e Krishtit i ngjan një vaksine dashurie, që vepron mistikisht dhe përhapet në mënyrë afatgjatë brenda trupit të njerëzimit. Gjithnjë e më tepër dashuria tërheq respektin dhe admirimin e gjithanshëm dhe pranohet si vlera kryesore mbarënjerëzore.
    Gjatë periudhës së këtyre të kremteve, çdo besimtar ftohet në një riorganizim të brendshëm. Ftohet të ndërgjegjësohet më thellë rreth kuptimit të ardhjes së Shpëtimtarit Krisht në rrugëtimin historik të njerëzimit. Kjo Ngjarje vazhdon të mbetet rrënja e zbulesës së krishterë dhe ushqen çdo lloj propozimi dhe çdo vlerë tjetër të krishterë.
    Veçanërisht e rëndësishme është se Perëndia është Ai që i pari shfaq dashurinë e Tij: “Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shpërblim për mëkatet tona” (1 Jn. 4:10). Nga ky burim i dashurisë buron edhe detyrimi i dashurisë sonë: “Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin” (1 Jn. 4:11). Perëndia dashuron pavarësisht nëse të tjerët janë ose jo të denjë për dashurinë e Tij, dhe nëse në fund i përgjigjen siç duhet kësaj dashurie. Rrezaton atë që Vetë është: Dashuri. Dhe ata që e ndjekin, i fton pikërisht në këtë cilësi të dashurisë.

* * *

    Por ekziston akoma edhe një tjetërsim. Ky e plagos rëndë kuptimin e dashurisë. Dashuria, kjo fjalë e mrekullueshme, përdoret me semantika të ndryshme që e modifikojnë kuptimin e saj të vërtetë. Ky tjetërsim i saj mbizotëron në aq shumë forma të artit të epokës sonë, saqë njeriu pyet veten: Ku është dashuria që humbi në erotizëm? Dhe ku është erosi që humbi në pasione, të cilat vështirë se mund t’i nxërë goja e njeriut?
    Kisha, si “Trup i Krishtit”, nxjerr vazhdimisht në pah kuptimin e dashurisë, siç e zbuloi Jisu Krishti me Lindjen e Tij, me tërë jetën dhe doktrinën e Tij. Dashuria gërshetohet me përulësinë e vullnetshme. Çlirimtari erdhi në botë si foshnjë e pafajshme. Ky është një veprim i mahnitshëm i Perëndisë së pashprehshëm dhe të pakonceptueshëm të dashurisë. Është diçka e pakapshme për frekuencat e kapacitetit perceptues njerëzor.
    Dashuria është një lëvizje lirie për t’u çliruar nga robëria e egocentrizmit. Ajo përcakton sjelljen njerëzore në të gjitha shprehjet e saj. Dashuria është zemërgjerë, ka fuqinë për të falur, nuk ka smirë, nuk mburret, nuk mbahet me të madh, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen për të tjerët, nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet kur shikon të mbizotërojë e vërteta (shih 1 Kor. kap. 13). Dashuria nuk njeh kufij racorë, socialë apo politikë.
    Reagimi i të krishterëve besimtarë ndaj epidemisë së lakmisë dhe padrejtësisë që fshikullon shoqëritë e shekullarizuara kapitaliste, si dhe ndaj amokut të dhunës dhe të urrejtjes që në shekullin tonë shpërthejnë me parulla fetare, është përjetimi dhe ofrimi i dashurisë me përulësi dhe predispozitë flijuese. Asnjë institucion social nuk e zëvendëson dot Kishën në këtë kontribut. Ajo është punishtja diakronike e dashurisë. Duke pasur si krye të saj Krishtin, i Cili është Dashuria e Mishëruar e Perëndisë, shpall se: “Perëndia është dashuri” (1 Jn. 4:16) dhe se mënyra e vetme për një jetë të vërtetë është të përjetojmë dashurinë, siç e përjetuan shenjtorë të panumërt në të gjitha epokat. Vetëm kështu “do të rrojmë me anë të tij” dhe të jemi në kungim me Atë: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1 Jn. 4:16).
    Vëllezërit e mi, e kremtja e Lindjes së Krishtit zbulon një dimension të pamasë të dashurisë. Le t’i përqasemi asaj me meditim, lutje dhe mirënjohje për këtë dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë. Krishtlindje të bekuara me dashuri jo të shtirur në zemrën tonë, por me dashuri të mbushur me përulësi, paqe dhe ndjeshmëri sociale, siç na e zbuloi Jisu Krishti, Çlirimtari dhe Zoti ynë.


Me lutje të zjarrta te Zoti
†Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë