Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Saturday, 23 December 2017

Shën Simeoni Teologu i Ri :Letër mbi Rrëfimin


Image result for Άγιος Συμεών ο Θεολόγος

(Shën Simeoni Teologu i Ri)

Letër mbi Rrëfimin

I dashur Atë dhe Vëlla!

Padenjësia e Tij.

1. I keni kërkuar padenjësisë sonë t’i përgjigjet pyetjes tuaj: “A është vërtet e lejueshme që të rrëfesh mëkatet tek murgjërit që nuk janë priftërinj?”, dhe më pas shtuat: “Meqënëse dëgjojmë që (autoriteti) të lidhin dhe të zgjidhin u është dhënë vetëm priftërinjve.” Kjo është padyshim një pyetje shpirtërore dhe flet mirë për mallin tuaj të zjarrtë dhe frikën e perëndishme. Ndërsa ne e kemi pranuar qëllimin tuaj si të mirë, meqënëse po përpiqeni të mësoni për gjëra që janë hyjnore dhe të shenjta, vetë ne nuk jemi në gjëndje të bëjmë dallime të tilla ose të shkruajmë rreth tyre. Do të kishim pëlqyer të heshtnim. Interpretimi i gjërave shpirtërore me fjalë shpirtërore (1 Kor. 2:13) është për njerëzit që janë të shenjtë dhe pa pasione; dhe në mënyrën e jetesës, në fjalë dhe virtyte, ne jemi shumë larg nga një shenjtëri e tillë.
2. Sidoqoftë, meqënëse është shkruar që “Zoti është afër gjithë atyre që e kërkojnë” (Psal. 145:18), unë gjithashtu që jam i padenjë, kam kërkuar të Njëjtin, dhe do t’ju flas për këto gjëra, megjithëse jo me fjalët e mia , por me shkrimet e shenjta dhe të frymëzuara nga Perëndia vetë. Nuk jam unë ai i cili do të japë mësimin. Por do t’ju paraqes dëshmitë e vetë shkrimeve të shenjta që iu përkasin problemeve që keni ngritur. Me hirin e Perëndisë, do të mundem të mbroj veten time dhe dëgjuesit nga një rënie e dyfishtë: ajo e njeriut që fsheh talentin, dhe ajo e personit që padenjësisht dhe kryelartësisht – me të vërtetë me një mendje të errësuar – e mban veten e tij si një ekspert në gjërat shpirtërore.
Ku mund të ketë një fillim më të mirë bashkëbisedimi ynë veçse me Atë, i cili është fillimi i të gjitha gjërave dhe vetë është pa fillim? Kjo është sigurisht mënyra më e mirë. Të siguron që ajo që duhet të themi do të jetë e sigurtë dhe e besueshme. Nuk u krijuam nga ëngjëjt, as nuk jemi mësuar nga njeriu. Por jemi mësuar nga Urtësia që lartazi, me të vërtetë nga hiri që vjen nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Kështu mësohemi gjithnjë, çdo orë dhe vazhdojmë të mësohemi. Duke kërkuar të njëjtën Urtësi, le të vazhdojmë duke nxjerrë së pari mënyrën e rrëfimit dhe fuqinë e tij.

Përkufizimi i rrëfimit dhe domosdoshmëria e tij.

3. Rrëfimi nuk është gjë tjetër veçse pohimi ose njohja e rënieve dhe e budallallëkut, që është një konstatim i dobësive vetjake. Ashtu siç thotë Perëndia në një paravoli në Ungjill: “Një huadhënës,” – thotë Ai, “kishte dy debitorë: një i detyrohej atij 500 dinarë dhe tjetri 50. Kur ata nuk mund të paguanin, Ai i fali që të dy.” (Lluk. 7:41– 42). Çdo besimtar pra, është një debitor ndaj Zotit të tij të vërtetë dhe Perëndisë. Gjithashtu ai do të thirret të japë llogari për ato që ka marrë, në fronin e gjykimit të frikshëm dhe të tmerrshëm të Perëndisë ku të gjithë ne, perandorët dhe njerëzit e varfër, njësoj do të qëndrojmë të zhveshur dhe të përulur përpara Tij. Merrni në konsideratë çdo gjë që na ka dhënë. Ndërsa këto dhurata janë kaq të shumta sa që asnjë nuk mund t’i numërojë të gjitha, akoma më të mëdhatë dhe më perfektet janë: çlirimi ynë nga dënimi, shenjtërimi dhe pastrimi ynë nga ndotja, dalja jonë jashtë nga errësira dhe drejtimi ynë drejt dritës së Tij të papërshkrueshme, të bëhemi fëmijët, bijtë dhe trashëgimtarët e tij nëpërmjet Pagëzimit hyjnor, të vishemi me vetë Perëndinë, të bëhemi pjesëtarët e tij dhe marrja e Shpirtit të Shenjtë të veprojë tek ne – vula mbretërore me te cilin Zoti vulos delet që janë të tijat – dhe së fundi (por dhe sa më tepër mund të shtoj!) të na bëjë ne si veten e Tij dhe të na bëjë ne vëllezër dhe trashëgimtarë të Tij. Të gjitha këto, dhe të tjera akoma më të mëdha se këto, Pagëzimi i shenjtë ua jep menjëherë gjithë atyre që pagëzohen. Këto dhurata janë ato që Apostulli i shenjtë i quajti pasurinë dhe trashëgiminë e Perëndisë. (shiko Koll. 1:12, Ef. 3:8, 2 Kor 4:7).

Të gjitha urdhërimet janë të nevojshme: “Truprojet” e Hirit.

4. Urdhërimet e Zotit janë si mbrojtës të këtyre dhuratave dhe përfitimeve të patregueshme. Ato e rrethojnë besimtarin dhe thesarin që ruhet brenda shpirtit të tij, si një farë muri duke i mbajtur që të dyja të sigurta dhe duke parandaluar ndonjë hajdut apo armik që të shtien duart e tyre mbi to. Sidoqoftë, ne imagjinojmë sikur jemi vetë mbrojtësit e urdhërimeve të dashura të Perëndisë, dhe për pasojë ndihemi shumë të rënduar. E injorojmë faktin që jemi ne ata që mbrohemi prej tyre, meqënëse personi që mban urdhërimet e Perëndisë nuk i mbron ato aq shumë sa veten e tij. Kështu ai mbron veten e tij nga kundërshtarët e dukur dhe të padukur për të cilët Apostull Pavli e bëri të qartë që janë të tmerrshëm dhe të panumërt kur tha: “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.” (Ef. 6:12). Ata janë tamam frymërat e ajrit që gjithmonë janë vendosur kundër nesh padukurisht.
Pra, kushdo që ruan urdhërimet, ruhet prej tyre dhe nuk e humb thesarin që Perëndia i ka besuar. Kushdo që i përbuz ato, e gjen veten e tij të zhveshur dhe lehtësisht të mposhtshëm nga armiqtë, dhe pasi të ketë humbur gjithë atë pasuri, nuk mund t’i përgjigjet Mbretit dhe Zotit për të gjitha që përmendëm më sipër. Për një njeri të japë një llogari të tillë, ose t’i gjejë ato gjera për veten e tij, është e pamundur. Ato i përkasin parajsës dhe Atij i Cili zbriti që lartazi nga parajsa, dhe çdo ditë zbret për t’ua shpërndarë besimtarëve. Por ku atëherë do të mundin të jenë në gjëndje t’i gjejnë përsëri ata që i morën dhe i humbën ato? Në të vërtetë, asgjëkundi. As Adami dhe as ndonjë nga bijtë e tij nuk ishte në gjendje të ndikonte rikthimin e tij ose atë të ndonjërit nga pasardhësit e tij. Jo derisa Perëndia që kapërcen natyrën të bëhej biri i tij (i Adamit) nga mishi, Zoti ynë Jisu Krisht, i cili kur erdhi na ngriti nga rënia edhe neve edhe Adamin me anë të fuqisë së tij hyjnore. Ai që mendon se nuk ka nevojë t’i mbajë të gjitha urdhërimet, por mund të mbajë disa dhe t’i neglizhojë të tjerat, duhet të kuptojë që në qoftë se neglizhon qoftë dhe vetëm njërën prej tyre, do të humbasë gjithçka.
Ja t’ju jap një shembull. Imagjinoni që urdhërimet përfaqësohen nga dymbëdhjetë burra të armatosur të vendosur në formë rrethi. Ti qëndroni në mes, i  zhveshur, por i mbrojtur nga këta ushtarë. Më pas, imagjinoni që ka edhe ushtarë të tjerë që po afrohen kundër të dymbëdhjetëve nga të gjitha anët, luftëtarë kundërshtarë që po sulmojnë dhe po përpiqen të të gllabërojnë në mënyrë që të të vrasin menjëherë. Në qoftë se, në këtë rast një nga të dymbëdhjetët me dëshirën e tij do të largohej dhe të neglizhonte mbrojtjen e tij, dhe kështu ta linte vendin si një derë të hapur për kundërshtarin, çfarë avantazhi do të kesh duke patur të njëmbëdhjetë të tjerët, kur një nga armiqtë t’ju ketë shpëtuar dhe të hyjë tek ti dhe të të bëjë copë-copë sepse mbrojtësit e tu nuk ishin në gjëndje të të ndihmonin? Ndërsa mund të donin të ktheheshin prapa dhe të të ndihmonin, ata nuk mundeshin sepse në atë rast do të shkatërroheshin vetë nga armiqtë. E njëjta gjë do t’ju ndodhë në qoftë se nuk i mbani urdhërimet. Sepse kur të jeni plagosur qoftë edhe vetëm nga një armik dhe të rrëzoheni, të gjitha urdhërimet do t’ju braktisin, dhe pas pak e gjithë fuqia jote po ashtu do të merret prej teje.
Le ta them në një mënyrë tjetër. Mendoni një kanë të mbushur me verë ose me vaj. Derisa kana të mbetet komplet e padëmtuar – domethënë në qoftë se ndonjë vrimë do të shfaqet në çdo pikë të kanës, e gjithë përmbajtja, dalëngadalë, do të derdhet. Pra po në këtë mënyrë në qoftë se ju do të braktisni qoftë dhe pak nga një prej urdhërimeve, do të braktiseni prej gjithë të tjerave. Është tamam siç thotë Krishti: “Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo që ka.” (Mat. 25:29); dhe përsëri: “Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime” – natyrisht me fjalën “shkel” ai këtu nënkupton “thyej” – “dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve.” (Mat.  5:19). Shën Pjetri gjithashtu thotë: “Sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.” (2 Pjet. 2:19). Dhe Shën Pavli thotë: “Edhe gjëmbi i vdekjes është mëkati.” (1 Kor. 15:56). Ai nuk nënkupton “ky mëkat” apo “ai mëkat”, por çfarëdolloj mëkati qoftë, është gjëmbi i vdekjes. Ai e quan mëkatin gjëmbin e vdekjes sepse ata që thumbohen nga ai vdesin. Çdo mëkat çon në vdekje. I njëjti apostull përsëri thotë: “Pasi një njeri ka mëkatuar, ai tashmë ka vdekur.” (Rom. 6:10 jo fjalë për fjalë). Një njeri i tillë është bërë pre i borxhit dhe i mëkatit, dhe hajdutët e kanë lënë atë për të vdekur, të shtrirë në anë të rrugës. (shiko Luk. 10:30).

Menjëherë pasi të ketë rënë, mëkatari, duhet të kërkojë një ndërmjetës.

5. Pra ç’gjë tjetër do një njeri që është duke vdekur, veç në qoftë se mund të ngrihet përsëri; apo një borxhli pa mundësi për të shlyer borxhin, veç në qoftë se do t’i falet borxhi, ose së paku të hidhet në burg derisa t’i arrijë detyrimet e tij? Vërtet duke parë se si e fundit s’ka asgjë, ai kurrë nuk do t’i shpëtojë errësirës së përhershme të burgut të tij. Tamam kështu do të kerkojë dhe njeriu, që është thyer nga hajdutët shpirtërorë, një mjek simpatik dhe të mëshirshëm që të ndihmohet prej tij. Ai nuk e ka më frikën e Perëndisë që të digjet brenda tij dhe ta shtyjë që të shkojë për ta kërkuar vetë mjekun. Meqënëse ai e ka dobësuar fuqinë e shpirtit të tij për shkak të mosbindjes së tij, ai qëndron si një shfaqje e tmerrshme dhe e mjerë për cilindo që mund të shohë qartë, ose më mirë shpirtërisht, ato rënie që janë tipike për shpirtin. Për shkak të mëkatit të tij ai është bërë skllavi i djallit – sepse thotë Shën Pavli, “A nuk e dini ju ... jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Rom. 6:16). Ai është bërë objekt talljeje për Perëndinë Atë, diçka për t’u shkelur nga kundërshtarët që janë mohues të Perëndisë. Ai është lënë i zhveshur nga rroba e purpurt mbretërore. Ai është njollosur, një fëmijë i djallit, jo i Perëndisë. Çfarë mund të bëjë ai për të arritur përsëri në zotërimin e atyre gjërave nga të cilat ishte larguar? Natyrisht, ai do të kërkojë një ndërmjetës dhe mik të Perëndisë, dikë të aftë për ta rikthyer në gjëndjen e tij të mëparshme dhe ta pajtojë atë me Perëndinë Atë. Sepse njeriu që ka qënë dikur i bashkuar me Krishtin nga hiri dhe është bërë pjesëtar i tij dhe adoptuar prej tij, në qoftë se ky njeri duke e braktisur Atë kthehet si qeni në të vjellat e tij (2 Pjet. 2:22), për shembull duke u bashkuar me një grua mëkatare, ose me një tjetër trup, ai do të dënohet me jobesimtarët si një që ka çnderuar dhe fyer Krishtin. Sipas Apostullit, “Ne jemi trupi i Krishtit dhe gjymtyrët e tij veç e veç” (1 Kor. 12:27). Pra kushdo që bashkohet me një prostitutë, i bën pjesët e trupit të Krishtit, pjesë të një prostitute (shiko 1 Kor. 6:15), kështu pra kushdo që ka praktikuar këto gjëra, ka fyer Zotin e tij dhe Perëndinë, ai nuk mund të pajtohet me të përveç se nëpërmjet dikujt që është ndërmjetës dhe i shenjtë, një mik dhe shërbëtor i Krishtit, dhe duke u larguar nga e keqja.
6. Pra së pari le të largohemi nga mëkati. Në qoftë se jemi plagosur nga shigjetat e tij, atëherë le të mos humbim kohë duke e lënë helmin e mëkatit të rritet ëmbëlsisht tek ne si mjalti. Dhe nuk duhet ta keqësojmë plagën tonë duke u mërzitur për atë, siç bën një ari i plagosur. Por le të vrapojmë tek mjeku shpirtëror dhe ta vjellim helmin e mëkatit nëpërmjet rrëfimit dhe ta nxjerrim jashtë vrerin e tij. Le t’i marrim kanonet që na jep ai si një antidot, dhe gjithnjë të mundohemi t’i plotësojmë ato me një bësim të ngrohtë dhe me frikë Perëndie. Të gjithë ata që e kanë zbrazur veten komplet nga pasuria që iu ishte besuar, që e kanë shpërdoruar trashëgiminë e atit të tyre me prostituta dhe publikanë, ndërgjegjia e të cilëve është aq e përulur për poshtë nga turpi i madh i tyre së ata nuk janë të aftë të ngrenë sytë dhe të shohin lart, sepse e kanë humbur lirinë e tyre për t’i folur Perëndisë me guxim, të gjithë këta njerëz të tillë, natyrisht, kërkojnë një njeri të Perëndisë që të qëndrojë si sponsor për borxhin e tyre, në mënyrë që nëpërmjet tij ata të mund t’i afrohen Perëndisë.
Unë mendoj që është e pamundur për ndonjë që të pajtohet me Perëndinë pa bërë një pendim të sinqertë dhe të hollësishëm. Kurrë s’ka dëgjuar njeri, dhe as ka qënë ndonjëherë e shkruar në shkrimet e frymëzuara nga Perëndia, që ndonjëri mund t’i pranojë mëkatet e dikujt tjetri ose të japë llogari për ato, pa dhënë së pari mëkatari evidenca të fryteve të denja të pendimit, fryte që janë të përpjestueshme me formën e mëkatit të tij, dhe duke i lënë punët e tij si një themel. Kështu thotë zëri i Pararendësit të Fjalës: “Jepni pra fryte të denja të pendesës! Dhe mos t’ju shkojë mendja të thoni me vete ‘Ne kemi Abrahamin për atë’” (Mat 3:8-9). Vetë Zoti ynë foli si vijon për ata që drejtojnë veten pa pikë kuptimi: (Po ju them juve, edhe sikur Moisiu dhe Danieli të ngrihen për të zgjedhur bijtë dhe bijat e tyre, në asnjë mënyrë nuk do të zgjidhen” (Jer. 14:14-16, LXX). Pra çfarë duhet të bëjmë, çfarë duhet të bëjmë ne që dëshirojmë të pendohemi, për faljen e borxhit tonë dhe rikthimin tonë nga shkatërrimi? Dëgjoni, dhe me ndihmën e Perëndisë do ta zgjidh pyetjen për juve.

Ati shpirtëror, një mjek i vërtetë.

7. Në qoftë se dëshiron, kërko një që është ndërmjetës, mjek dhe këshillues i mirë. Një këshillues të mirë, që të mund të të ofrojë mënyra të pendimit që përkojnë me këshillat e mira. Një mjek, që të të japë ilaçe që janë të përshtatshme për secilën nga plagët e tua, dhe së fundi një ndërmjetës, që ta marrë me të mirë Perëndinë duke qëndruar përpara tij ballë për ballë, dhe t’i ofrojë lutje dhe ndërmjetim për ty. Mos shko të përpiqesh të gjesh dikë që është lajkatar ose skllav i stomakut të vet dhe ta bësh atë këshilluesin tënd, dhe mos u bashko duke e përshtatur atë me dëshirën tënde dhe jo me atë çfarë do Perëndia, sepse ai të mëson çfarë ti dëshiron të dëgjosh dhe të le ty në të vërtetë një armik të pa pajtuar. As nuk duhet të zgjedhësh një mjek pa eksperiencë, se mos nëpërmjet ashpërsisë ekstreme dhe veprimeve dhe porosive të parakohëshme, ai të zhyt në thellësitë e dëshpërimit, ose, dhe kjo është pasoja më e keqe e mundshme, të të lejojë nëpërmjet simpatisë së papërshtatshme që të mendosh se po bëheshmë mirë, kur në fakt ti je akoma i sëmurë, dhe kështu të të dërgojë tek ajo që ti kishe shpresuar ta shmangie, domethënë tek dënimi i përjetshëm. Sepse kjo rrjedhë veprimesh nuk bën gjë tjetër veçse na pajis me sëmundjen që tashmë po na vret shpirtin.
Sa për një ndërmjetës dhe mik të Perëndisë, unë mendoj se nuk është aq e lehtë për ta gjetur. “Sepse jo të gjithë ata që janë nga Izraeli janë Izraelitë” (Rom. 9:6). Por njerëz të tillë janë ata që zotërojnë emrin dhe e kanë kuptuar qartë forcën e emrit, domethënë një intelekt që shikon nga Perëndia. (shiko Zan. 32). Jo të gjithë ata që thërresin emrin e Krishtit janë të Krishterë: “Sepse jo çdo njeri që më thotë Zot, Zot do të hyjë në mbretërinë e qiejve”, thotë Krishti, “por ai që bën vullnetin e Atit tim.” (Mat. 7:21); dhe njëlloj ai thotë: “Shumë do të më thonë ‘Zot, Zot a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd?’ Dhe atëherë unë do t’u them atyre ‘Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni prej meje ju të gjithë që keni bërë paudhësi.’” (Mat. 7:22-23 dhe 25:13).

Jo të supozohet thjesht si një detyrë që duhet përmbushur: Shembulli i oborrit Perandorak.

8. Ne, vëllezërit e mi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm për këtë çështje, që të dy nga ne; ata që ndërmjetojnë dhe ata që kanë mëkatuar dhe dëshirojnë të pajtohen, në mënyrë që as ata që ndërmjetojnë të zbresin zemërim të madh mbi veten e tyre në vend të shpërblimit, dhe as ata që kanë mëkatuar dhe po përpiqen seriozisht që të pajtohen t’ju rastisë të hasin një armik dhe vrasës dhe këshillues të keq në vend të një ndërmjetësi. Këshilluesit e këqinj do të dëgjojnë një paralajmërim të tmerrshëm: “Kush ju vendosi juve si sundimtarë dhe gjykatës të njerëzve të Mi?”, dhe përsëri “O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.” (Mat. 7:5). “Tra” këtu do të thotë ndonjë pasion ose epsh që errëson syrin e shpirtit. Dhe në të njëjtin humor: “Mjek, shëro veten tënde.” (Luk. 4:23), dhe përsëri: “Por të pabesit Perëndia i thotë: ‘Çfarë të drejte ke ti të përmendësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time, ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij. Perëndia është i zoti që nëpërmjet shërbëtorit të Tij besnik ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë.” (Rom. 14:4. Simeoni shndërron gjysmën e dytë të tekstit).
9. Vëllezër dhe Etër! Në dritën e te lartpërmendurave, unë dridhem dhe rrëqethëm. Ju kërkoj të gjithëve duke siguruar veten time po ashtu nëpërmjet kësaj lutjeje për ju, që ju të mos drejtoni veten tuaj në mënyrë përbuzëse në lidhje me këto mistere. Ato janë të shenjta dhe të tmerrshme për cilindo që është i interesuar. Mos luani me gjëra që nuk janë lodra, as mos lejoni ndonjë nga këto që të mbahet kundër shpirtrave tona për arsye të kotësisë sonë, ose dëshirës për lavdërime, ose pandjeshmërisë, ose shpresës për fitim – sepse ndodh ajo e çuditshmja, mendime tunduese ju vijnë njerëzve kur ata thirren “Ravi” ose “Atë”. Le të mos, e përsërit, le të mos përpiqemi për dinjitetin e Apostujve, por le të mësohemi nga shembulli që vijon i jetës sonë.
Në qoftë se ndonjëri do të kishte guximin të nxirrte veten e tij sikur të ishte përfaqësues i perandorit tokësor, dhe të shpallej fajtor për mbajtjen dhe bërjen fshehurazi të atyre gjërave që i janë besuar asaj zyre, ose vërtet në vijim, do t’i shpallte dhe praktikonte haptazi, që të dy ai dhe bashkëkonspiratorët e tij dhe vartësit, do t’u nënshtrohen ndëshkimeve më ekstreme si shembull për të tjerët. Çfarë pra, do t’ju ndodhë, me siguri, në të ardhmen atyre që kapin padenjësisht rangun e Apostujve?
10. Nuk duhet të dëshironi të bëheni ndërmjetës të të tjerëve përpara se të jeni mbushur me Shpirtin e Shenjtë, ose përpara se të dini, duke e ndjerë në shpirtin tuaj, që duheni si mik nga Mbreti i të gjithave. Jo çdo njeri që njeh perandorin tokësor është në gjendje të ndërmjetojë tek ai për të tjerët. Janë jashtëzakonisht pak ata që janë në gjendje ta bëjnë këtë. Jashtë virtytit të tyre, djersës dhe punëve, ata janë gjendje të flasin me guxim përpara atij. Njerëz të tillë nuk kanë nevojë për ndërmjetës për veten e tyre. Ata flasin vetë me perandorin vetë për vetë. Etër dhe vëllezër, a s’duhet pra të jemi të kujdesshëm për këtë rang, për hir të Perëndisë? A s’duhet ta nderojmë Mbretin qiellor së paku aq sa e nderojmë perandorin tokësor? Apo duhet më mirë të kapim dhe t’i japim vetes titull në fronet e dorës së Tij të djathtë dhe në të majtën e tij përpara se t’i kemi kërkuar dhe t’i kemi marrë ato? Oh, guximi! Sa turp i madh do të ishte atëherë për ne?! Sepse, veç në mos ishim dënuar, gjithashtu për ndonjë akuzë tjetër, vetëm për këtë shkak do të jemi pandreshmërisht të privuar nga fronëzimi, si fajtorë nga përbuzja dhe do të hidhemi jashtë, brenda në zjarrin e pashuar. Por le të jetë ky si një paralajmërim. Le t’i kushtojnë të gjithë vëmendje të madhe vetes së tyre. Në të vërtetë është tamam për këtë arsye, që është si një paralajmërim, që ne kemi bërë këtë dalje të zgjeruar nga tema. Tani, pra biri im, le të flasim për pyetjen që na drejtuat në fillim.
Përktheu Dhimitër Prifti