Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Friday, 3 August 2018

20 vjet më parë u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës




- 20 vjet më parë u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës sonë pas persekutimit -
- Ky material është botuar në gazetën “Ngjallja”, gusht 1998 -

Pas bisedimeve të gjata ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës së Shqipërisë dhe autoriteteve shqiptare, u formua me Hirin e Perëndishëm Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Të shtunën, më 18 korrik, u bë në qytetin e Beratit fronëzimi i Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignatit (64 vjeç), i cili rrjedh nga një familje arvanitase dhe flet gjuhën shqipe; nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, dhe nga përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Eminenca e Tij, Mitropoliti i Pergjit, Evangjelos dhe Eminenca e Tij, Mitropoliti i Filadelfias, Melitoni.
Po atë mbasdite, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, dhe Hirësia e Tij Mitropoliti i Beratit, Ignati, duke përbërë bërthamën e parë të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, së bashku me dy Mitropolitët e lartpërmendur, përfaqësues të Patriarkanës Ekumenike, të cilët që në vitin 1992 morën pjesë në negociatat me autoritetet shqiptare, mbajtën në Tiranë Sinodin e Shenjtë. Gjatë kësaj mbledhjeje historike, u shqyrtuan çështje urgjente të Kishës së Shqipërisë, u pranuan dorëheqjet e parashtruara para pak kohësh të Hirësisë së Tij, ish-Mitropolitit të Gjirokastrës, Aleksandrit dhe të Hirësisë së Tij, ish-Mitropolitit të Korçës, Kristodhulit (të cilët nuk u pranuan kategorikisht nga au-toritetet shqiptare për shkak të kombësisë) dhe më pas u zgjodhën dy Hierarkë shqiptarë.
Mitropolit i Korçës u zgjodh Arkimandriti Joan Pelushi (43 vjeç), pedagog dhe nëndrejtor i Akademisë Teologjike të Kishës së Shqipërisë, i cili ka mbaruar Fakultetin e Kryqit të Nderuar (Holy Cross Orthodox School of Theology), në Boston të Amerikës dhe kreu studime pasuniversitare në po këtë Fakultet, dhe Episkop i Apollonisë u zgjodh Ikonomi Kozma Qirjo (77 vjeç), i cili gjatë viteve të persekutimit vazhdonte heroikisht të pagëzonte dhe të kryente Liturgjinë Hyjnore. Të hënën, më 20 korrik, në Kishën Katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas, me pjesëmarrjen e një numri të madh be-simtarësh, u bë hirotonia e Mitropolitit të Korçës dhe të enjten, më 23 korrik, do të bëhet në të njëjtën Kishë hirotonia e Episkopit të Apollonisë. Sot u larguan për në Konstandinopojë përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike.
Pas zhvillimeve të mësipërme, Sinodin e Shenjtë të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, të krijuar nga episkopët aktivë, e përbëjnë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, Kryetar; Hirësia e Tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Ignati; Hirësia e Tij, Mitropoliti i Korçës, Joani, dhe Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë, Kozmai, anëtarë.
Zgjidhja e këtij problemi të vështirë, i cili preokupoi për shumë kohë palët, dhe veçanërisht orthodhoksët e Shqipërisë, pati një pranim dhe miratim të për-gjithshëm.

Tiranë, më 21 korrik 1998

KRYEPISKOPATA
E HIRSHME







No comments:

Post a Comment