Ngjallja-Radio, Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare.- LIVE

Tuesday, 2 October 2018

E Diela e II-të e Llukait!


Diela e 2 e Llukait   Lk.6: 31-36
Vëllezër dhe motra më Krishtin. Nëse Perëndia krijoi gjithçka me fjalën e tij, sepse tha edhe u bë, njeriu u krijua me një përkujdesje të veçantë, të cilën shkrimi i Shenjtë na e tregon qartazi. Të gjitha gjallesave Zoti u dha gjëllimin ose gjallësinë, por njeriu u pajis me frymë jete, sepse vetëm njeriun Perëndia e krijoi simbas ikonës dhe ngjashmërisë së tij. Njeriu është qenia më e lartë e gjithë krijimit, është një qenie e arsyeshme, e lirë dhe fetare, që d.m.th brenda tij është e lindur nevoja për të pasur lidhje me hyjnoren dhe njëkohësisht është edhe
qenie komunitare. Si qenie e lirë dhe e arsyeshme, njeriut i duhej ta mbronte lirinë që i ishte dhënë, nëpërmjet zgjedhjes. Por prova e lirisë për njeriun rezultoi tragjike, tundimi i djallit solli rënien e njeriut në mëkat dhe si pasojë natyra e vërtetë e njeriut u dëmtua dhe u errësua, pasoja që shfaqen në çdo qenie njerëzore në të gjitha kohërat. Humbja e lirisë nëpërmjet mëkatit e drejtuan njeriun drejt vdekjes, sëmundjes, dhimbjes dhe vuajtjes, por pasojat më të mëdha u shfaqën në planin shpirtëror. Njeriu tashmë filloi të kishte frikë, pasiguri, mërri, urretje, cmirë dhe gjithçka tjetër që shohim të shfaqt si e keqe në jetët tona.
Gjithë përpjekja e Dhiatës së Vjetër, është pikërisht që ky njeri i dëmtuar shpirtërisht, të ruhet dhe të vetë-kontrollohet duke e korrigjur dëmtimin dhe errësimin shpirtëror nëpërmjet rregullave dhe urdhëresave që Perëndia zbulonte me anën e profetëve dhe të njerëzve të drejtë të historisë biblike. Një mënyrë për të mbajtur nën kontroll dhe për të mos e lejuar që kjo sëmundje shpirtërore, në të cilën kishte rënë njeriu të acarohej dhe të përparonte, por shërimi ende nuk kishte ardhur. Sikundër thotë dhe Shën Athanasi i Madh, duhej që vetë Kirjuesi të vinte dhe ta restauronte krijimin e tij, sepse vetë krijesa e dëmtuar nuk do të mund të restauronte dot veten e saj, për këtë thotë shenjti: “Perëndia u bë njeri, që njeriu të bëhej Perëndi”. Zoti u bë si njëri nga ne, që ne të bëhemi si ai, duke hapur një rrugë në të cilën mund të ecimim që të gjithë dhe ky shteg është vetë Kisha dhe gjithçka tjetër kryhet brenda saj. Sa herë ne vijmë në Kishë dhe marrim pjesë në një liturgji, Zoti i drejtohet secilit prej nesh personalisht, nëpërmjet leximit të shkrimeve të shenjta. Edhe sot nëpërmjet Ungjillit Zoti na flet të gjithëve.
Vëllezër dhe motra më Krishtin. Ndonëse i shkurtër, Ungjilli i sotëm është thelbi të gjithë doktrinës së krishterë, një nga Ungjijtë më të thellë dhe më të vështirë për t’u shpjeguar. Nëse ne do të arrijmë të realizojmë atë që sot Zoti kërkon nga ne, do të thotë se kemi realizuar të gjithë qëllimin e ekzistencës tonë.
Shkurtimisht në Ungjillin e sotëm, i cili është një pjesë e predikimit në mal, Zoti na kërkon të përmbushim tre porosi, si kanon i artë për çdo të krishterë.
1.      Mos u bëni të tjerëve atë që nuk doni që të tjerët t’u bëjnë juve.
2.      Doni armiqtë tuaj dhe lutuni pë rata që ju bëjnë keq.
3.      Jini të mëshirëshëm, sikundër edhe Ati juaj qiellor është i mëshirëshëm dhe kështu do të quheni bij të të Lartit.

E para është, mos u bëni të tjerëve atë që të tjerët nuk do të deshit t’i ua bënin juve. Në fakt, të gjithë ne do të donim që të tjerët të sillen mirë me ne, të jenë të sjellshëm, mos na cënojnë pronën nderin dhe gjithça që ne kemi. Kush është ai njeri që dëshiron të shpifin kundër tij, e të gjitha këto që ne nuk duam që të prekin jetën tonë, ne shpesh në të përditshmen tonë ua bëjmë të tjerëve. Shpifim, herë me qëllim dhe herë pa qëllim, se na kap zakoni i thashethemeve. Shpesh marrim nga të tjerët atë që nuk na takon, përgjojmë jetën e të tjerëve e megjithatë të gjitha këto nuk duam që të na ndodhin neve. Nëse ne nuk duam që këto të rëndojnë mbi jetën tonë, as ne nuk duhet t’i lëndojmë të tjerët. Por, për vetë faktin që ne i bëjmë këto do të thotë që ne kemi mugesë dashurie ndaj atyre që cënojmë. Askush nuk mund të shpifë kundër një njeriu që do. Fakti që ne bëjmë kaq shumë gjëra kundër të tjerëve, do të thotë që dashuria jonë është e dobët. Gjithmonë dhe kudo, në çdo literaturë flitet për dashurinë ndaj të afërmve, miqve dhe familjarëve. Zoti erdhi dhe tha: “doni armiqtë tuaj” fjalë që e kapërcejnë gjithça që ishte thënë më parë për dashurinë. Duke e vendosur veten përpara këtyre fjalëve si në pasqyrë, merreni me mend të gjithë do të ndiheshim të turpëruar, kur shpesh ne nuk duam as miqtë dhe as të afërmit tanë. Zoti na ka kërkuar të duam armiqtë tanë dhe jo pa qëllim. Këto që Zoti kërkon nga ne, janë për ne, jo për Zotin. Ai e di se cila është e mira e jonë, e di dhe sëmundjen tonë, prandaj dhe na jep mjekimin e duhur. Ata që duken armiqtë tanë, nuk janë armiqtë tanë. Ne në shumicën e rasteve prekemi nga mënyra si të tjerët sillen me ne, nga ajo çka të tjerët flasin kundër nesh, por asnjëherë nuk prekemi dhe mendojmë se si ne sillemi me të tjerët dhe çfarë ne themi për të tjerët. Dhe kush mund të jetë ai njeri që thotë se nuk folur asnjëherë kundër ndonjërit. Atëherë pse zemërohemi dhe na kap inati dhe pse duhet ta shohim si armik dikë që mund të ketë folur kundër nesh. Çdo i krishterë nuk duhet të ketë më armiq, të tjerët ndoshta mund të na shohin ne si armiq, por çdokush që është i pagëzuar nuk ka më armiq, kjo është dhe madhështia që solli Krishti, kjo është dhe ajo gjëja e rrallë që solli Krishtërimi në botë.  Gjithsekush që ka lexuar këto pjesë i krishterë apo jo, nuk ka mundur që të hedhë baltë mbi këto fraza, edhe armiqtë më të mëdhenj të krishtërimit nuk kanë mundur të thonë diçka kundër këtyre fjalëve që dëgjuam ne sot. Këto fjalë kanë qënë një rregull i artë për çdo të krishterë, duke thënë që të mos u bëni të tjerëve atë që ju nuk doni t’ua bëjnë. Nëse ne do të kultivojmë dashurinë në shpirt do të fillojmë të ndijejmë Perëndinë, sepse “Perëndia është dashuri”, - thuhet në Ungjill. Është e pamundur që një njeri të jetë i bashkuar me Zotin, nëse në shpirtin e tij mbretëron urrejtja. Sa herë që ne grindemi, sa herë që shpirtin tonë e mbush cmira, zilia dhe shpifjet, Zoti është larg nesh dhe nëse Zoti është larg, njeriu nuk është më i plotë. Njeriu është i plotë, vetëm atëherë kur ai i ngjan ikonës së Perëndisë.  Asnjeri nuk mund ta arrijë dimensionin e plotë njerëzor, nëse nuk do të ketë dashuri në zemrën e tij. Nëse ne do të kemi urrejtje qoftë dhe për armiqtë tanë, jemi ne që zvogëlohemi. Vetëm Dashuria i jep njeriut dimensionin e tij të plotë. Etërit e Kishës kanë theksuar se vetëm me anë të dashurisë ne mund t’i kuptojmë, t’i pranojmë dhe t’i ndjejmë të tjerët. Po të mos kemi dashuri në shpirt as, nuk mund t’i falim dot të tjerët. Etërit e Kishës kanë ngulur këmbë vazhdimisht, se nëse ne nuk falim të tjerët, kjo është shenja që tregon se as ne nuk jemi falur nga Perëndia.
Lutja më e shpeshtë dhe që të gjithë e dimë dhe e themi shpesh edhe përmendësh është Urata Zotërore, ose Ati ynë, siç e njohim ndryshe. Eshtë lutja që ndoshta na gjykon më shumë se gjithçka tjetër, por fatkeqësisht ne shpesh e themi vetëm me buzë, pa kutuar dhe pa qenë të vëmendshëm tek fjalët e saj. “Falnai fajet tona sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë”. E nëse ne nuk falim ata që kanë fëjyer ndaj nesh, çfarë po i kërkojmë Zotit, për sa ne do të falim të tjerët, për aq edhe Zoti do të na falë ne, “sikundër edhe ne ua falim”. Kjo lutje do të jetë kundërgjyqësia jonë përpara Zoti, si edhe masa me të cilën do të falemi. Nëse zemra jonë është e ngurtë, sa herë buzët tona thonë këtë lutje duhet të dridhemi dhe të reflektojmë, për atë çka po i kërkojmë Zotit, që të na fali për aq sa ne falim. Nëse ne do të ndjejmë thellë faljen që na ka bërë Perëndia për mëkatet tona, atëherë ne do t’i falim me lehtësi të tjerët. Ne nuk falim, sepse nuk ndjejmë praninë e Perëndisë në jetën tonë. Misteri i parë që kryhet në Kishë dhe që na bën të krishterë dhe anëtarë të Kishës është Pagëzimi, që është dhe misteri i faljes, por edhe një kontratë e thellë shpirtërore, një besëlidhje midis çdo të krishteri dhe Zotit. Ne nuk i falim të tjerët se ata e meritojnë faljen tonë, por sepse Zoti na ka falur neve dhe nëse ne do ta ndjejmë këtë falje, edhe ne do t’i falim të tjerët dhe duke i falur do të bëhemi të ngjashëm me Perëndinë. Historia e njohur nga të gjithë ju, e shën Paisit, që lutej për një mohues dhe armik të kishës, kur Zoti iu shafaq dhe i tha: “Pais ti po lutesh për një nga armiqtë e mi. Të lumtë, ti po bëhesh i ngjashëm me Mua”. Pikërisht ai që ka dashuri në shpirt që fal dhe lutet për armiqtë e tij, ai fillon dhe bëhet i ngjashëm me Perëndinë dhe këtë ngjashmëri na i kërkon vetë Perëndia. Njeriu është i krijuar sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë dhe vetëm nëpërmjet dashurisë ne mund të përmbushim ikonën dhe ngjashmërinë me Krijuesin.
Në Ungjillin e sotëm thuhet “bëhuni të mëshirshëm, sikundër edhe Ati juaj qiellor është i mëshirshëm.” Ashtu si Zoti e jep shiun mbi të drejtë dhe mbi të padrejtë, ashtu dhe drejtësia jonë duhet të jetë e po kësaj mase. Ajo që ne gjykojmë dhe na duket e drejtë, nuk do të thotë që është e drejtë në sytë e Zotit. Kur Zoti e fal një mëkatar, kush jemi ne, që të jemi më të rreptë se Perëndia. Zoti i derdh hiret e tij dhe mbi të mirët dhe këqinjtë. Që të jesh i mirë nuk mund të jetë një zgjedhje, të cilën e bëjmë ne, të jemi, apo të mos jemi të mirë? Të jesh i mirë do të thotë të jesh njeri i vërtetë. Askush nuk mund të ketë qënie në kuptimin e thellë të saj, nëse nuk do të ketë mirësi në shpirt. Kur Zoti na kërkon nga ne që të jemi të mëshirshëm, do të thotë që gjithsecili nga ne të bëhet i ngjashëm me Perëndinë, i cili është i mëshirshëm.  Historitë e etërve të shkretëtirës janë të mbushura me raste faljesh nga më të habitshmet, madje shpesh kur i lexojmë na duken si të pa mundura, madje dhe të pabesushme, por nëse ato shihen nën dritën e këtij Ungjilli ne mund ta kuptojmë nga buronte kjo fuqi e madhe faljeje. Murgjit e shkretëtirës kishin kuptuar dhe ndjerë thellë brenda tyre atë që Zoti kishte bërë për të gjithë ne. Dhe sjellja e tyre karshi të tjerëve nuk vinte si rrjedhojë e meritës, nëse ata e meritonin apo jo, por sepse ata kishin ndjerë dhe kuptuar mëshirën e Perëndisë. Nëse edhe ne e ndjejmë thellë mëshirën dhe faljen që Zoti i dha gjinisë njerëzore nuk do të mund të mos i falim të tjerët. Sakrifica dhe kryqëzimi i Zotit ishte për fajet tona, Zoti u kryqëzua dhe vuajti deri në vdekje për mëkatet tona, jo se ne e meritonim atë sakrificë, por sepse Zoti na deshi, masa e çdo të krishteri në marrëdhënie me të tjerët, duhet të jetë masa e mëshirës dhe e dashurisë së Perëndisë për ne, si e vetmja masë e drejtë dhe e vërtetë.
Fjalët që Zoti na thotë nëpërmjet ungjillit të sotëm, nuk janë thjesht dhe vetëm një lloj retorike e krishterë, ato kanë të bëjnë me esencën e qënies tonë. Nëse ne do të zbatojmë këto 4-5 vargje që përmenden në Ungjill është e mjaftueshme. Ky ishte dhe kuptimi i fjalëve që shën Joan teologu përsëriste vazhdimisht në fund të jetës së tij “doni njëri tjetrin dhe kjo është mjaft”. Kjo është dhe arsyeja që Kisha vazhdimisht nxit, gjithsecilin që ta përjetojë Ungjillin, sepse Ungjilli nuk mund të kuptohet dot nëse nuk përjetohet, as Zoti nuk mund të kuptohet nëse nuk përjetohet. Nëse ne nuk e përjetojmë Ungjillin do të mbetemi vetëm të krishterë me emër dhe i krishterë me emër, do të thotë të mos jesh i krishterë. Çdo i krishterë duhet të bëhet i ngjashëm me Krishtin, sipas ikonës së Krishtit, kjo është dhe arsyeja që në Pagëzim ne këndojmë “Sa u pagëzuat me Krishtin, me Krishtin u veshët” dhe nëse ne pretendojmë se jemi veshur me Krishtin duhet të kemi parasysh porositë e tij. Kini mendjen e Krishtit na porosit apostull Pavli. Mësimi dhe predikimi i kishës Orthodhokse nuk është një mësim etik, siç ndodh në konfesione të tjera të krishtera, se si ne të bëhemi njerëz më të mirë për t’i pëlqyer Zotit, sepse sado që sjellja jonë të rafinohet për shkaqe të jashtme dhe cila do që të jetë përpjekja jonë, ne nga vetja jonë nuk mund të bëjmë ndryshim. Sikundër thotë edhe Zoti në Ungjill, që pa mua nuk mund të bëni asgjë. Sepse sjellja jonë nuk vlen nëse formalish ne e orjentojmë vetëm si proces edukativ dhe mendor. Veprat e mira në botën othodhokse nuk vijnë si rrjedhojë e sforcimit edukativ dhe intelektual të njeriut, dhe as prej një morali të caktuar, apo për t’i pëlqyer Zotit, por si rrjedhojë e asaj që ne besojmë si përjetim. Sepse asnjë përpjekje e jona nuk do të ndikonte Perëninë, i cili e do çdonjërin prej nesh qoftë i mirë apo i keq, sepse Perëndia i dashurisë, bën që të bjerë shiu njësoj dhe mbi të mirët edhe mbi të këqinjtë. Përpara syve të Zotit të gjithë jemi njësoj dhe ai na do dhe na pret të gjithëve njësoj, si Atë i dhemshur. Bërja e veprave të mira, ka të bëjë me përmbushjen ondologjike të njeriut, duke përmbushur kështu veten dhe qëllimin e ekzistencës sonë, Orthopraksia (veprat e mira) në kuptimin e vërtetë vijnë si pasojë e orthodhoksisë (besimit të drejtë), si një përjetim i Ungjillit si mënyrë jetese dhe si aksion, i cili udhëhëq jetën e të krishterit. Ne nuk mendojmë për Zotin, ne e përjetojmë Zotin. Mësimi i Krishtit nuk është moralist, por një mësim përjetues, që buron nga një marrëdhënie e gjallë dhe intime me Zotin e gjallë, nga një bashkim dashurie, i cili transformon jetën e të krishterit, duke na bërë të ngjashëm me Zotin.
Nëse ne do të realizojmë këtë ne kemi realizuar gjithçka, prandaj le ti lutemi Zotit që të na ndihmojë, ndriçojë dhe të falë dashuri. Lum ai që ka dashuri në zemër, se ai do të quhet bir i të Lartit. Amin.




Korçë më 30 të vjeshtës së parë 2018
Atë Mihal Sanellari

No comments:

Post a Comment